Zafir Berisha për 100-ditëshin: Qeveria Kurti do të vet-shkarkohet, nuk i shkon më larg se marsi ose prilli

Zafir Berisha për 100-ditëshin: Qeveria Kurti do të vet-shkarkohet, nuk i shkon më larg se marsi ose prilli

Zafir Berisha nga Nisma Social Demokrate e vlerëson 100 ditëshin e punës së Qeverisë Kurti II si jo të favorshme për qytetarët e Kosovës, duke thënë se rezultatin e vetëm e ka manifestuar me ‘ngarkim-shkarkim’. Berisha në një intervistë për Periskopin mendon se kjo Qeveri do ta shkarkojë veten për shkak të qëndrimeve dhe pamundësisë që t’i përballojë situatës së krijuar në vend.

Zafir Berisha po ashtu komenton edhe paraqitjet e kryeministrit Kurti nëpër seanca parlamentare dhe qëndrimet e tij arrogante karshi opozitës.

Tashmë kandidati për kryetar të komunës së Prizrenit deklarohet edhe rreth zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Lexojeni intervistën e plotë:

Periskopi: Jemi në prag të 100 ditëshit të Qeverisë Kurti II. Si e vlerësoni qeverisjen e tyre deri më tani?

Zafir Berisha: Qeveri e cila ka bë vetë-numërim në hapa dhe nuk është se ka bë ndonjë kapërcim të madh një ia vlen me u përmend pozitivisht, përpos kësaj terminologjisë tashmë bajate të ngarkim-shkarkimit që e ka përdorë si vazhdimësi e atyre ditëve të Qeverisë Kurti I. Thjesht nuk është një Qeveri e cila është në përputhje me rrethanat dhe kërkesat e qytetarëve sepse proritet të prioriteteve i ka ligjëratat pompoze dhe veprimet populiste dhe jo në raport me nevojat e kërkesat që ka Kosova dhe qytetari i saj.

Periskopi: A mendoni se mund të rrezikohet shkarkimi i kësaj Qeverie duke parë qëndrimet dhe veprimet që po acarojnë ndërkombëtarët?

Zafir Berisha: Këta kanë me u vet-shkarku, nuk ka me i shkarku askush sepse në një moment kanë me pa se kështu nuk funksionon dhe kam thënë se kjo qeveri më së gjati marsin ose prillin munden me shku sepse përpos adoleshencës që po tregon me partnerët tanë sa i përket politikës ndërkombëtare veçanërisht bisedimeve Serbi-Kosovë të cilat nuk janë problem veç e Kosovës por është pjesë strategjike e politike të fuqive të mëdha, në këtë rast perëndimit dhe veçanërisht SHBA’së, por jo veç për këtë arsye, por edhe për situatën e rëndë që është shkaku i pandemisë, gjendjes ekonomike dhe sociale, që megjithatë kanë me e bë të veten. Edhe veprimet pozitive që i ka bë Qeveria e kaluar më herët për me mujtë me iu gjetë afër qytetarëve, i kanë ndalë dhe kjo krizë ekonomike e morale nuk mundet me u duru gjatë.

Periskopi: Si i keni parë paraqitjet deri tash në Kuvendin e Kosovës të zotëri Kurtit, ku shpesh herë kemi parë nuanca arrogance karshi opozitës aktuale dhe pozicionim ndryshe krahas kohës kur vet ishte në opozitë?

Zafir Berisha: Ai si një mashtrues ordiner, dmth një hipokrit i llojit të veçantë është duke u treguar edhe tash kur është në pushtet. Zakonisht injoranca me grimasa artistike që paraqitet, tregon atë brendinë e tij të personalitetit të dyshimtë dhe vet fakti që edhe kur paraqiten në Kuvend flasin më shumë për të kaluarën, jo për të tashmen e të ardhmen, tregon se s’ka gjë prej kësaj qeverie.

Periskopi: Së shpejti do i kemi edhe zgjedhjet lokale në Kosovë. Ju keni shpallë tashmë kandidaturën për kryetar te Prizrenit. Kush mendoni se do të jetë fituesi më 17 tetor?

Zafir Berisha: Unë mendoj që fituesi do të jem unë për arsye se kam çka i ofroj qytetit te Prizrenit në raport me kandidatët e tjerë ose me shkollat politike kushtimisht po e them që janë provuar në Prizren. Kam rreth vetes një ekip të djemve dhe vajzave me një përgatitje profesionale edhe të dëshmuar në karrierë që mendoj se ka me u pranu nga qytetarët e Prizrenit. Kjo frymë politike që e përfaqsoj do të triumfojë më 17 tetor.

Periskopi: Po Vetëvendosje si partia trimfuese në nivel qendror, si mendoni se do të rezultojë në zgjedhjet lokale?

Zafir Berisha: Që nga paslufta, ndryshime të mëdha janë mes zgjedhjeve qendrore dhe lokale. Natyrisht këta kanë me u mundu këtë frymë me e bartë, por natyrisht qytetari është duke u mundu çdo ditë dhe e kanë pa më herët se cila është logjika e qeverisë e këtij sekti politik dhe mendoj se në zgjedhjet lokale votohet për personalitetet lokale sepse as Albini e as Ramushi e as një lider tjetër partie politike nuk kanë me ardh me qeverisë Prizrenin po asnjë komunë tjetër.

Shpërndaje në: