Zaimi i VV’së: Dritan Abazoviq, përgjegjës për ardhjen e forcave serbofile në Qeverinë malazeze

Periskopi.com Lajme

Zyrtari i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, e ka bërë përgjegjës kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq për ardhjen e forcave serbofile në qeverinë e Malit të Zi.

Zaimi përmes një shkrimi në Facebook tha se presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka përvojë të keqe me faktorin serbofil në Mal të Zi dhe me Beogradin. Ndërsa, sipas tij, Abazoviqi jo.

“Është e qartë, Gjukanoviçi për arsye historike e aktuale ka përvojë të keqe me faktorin serbofil në Mal të Zi dhe me Beogradin. Abazoviçi jo. (Arsyet historike e aktuale në përvojat me Beogradin janë ato që shtyjnë edhe Kosovën e Bosnjën larg Ballkanit të Hapur).

Gjukanoviçi është politikani malazez që, duke rritur bashkëpunimin e komunitetit malazez me atë shqiptar, kroat e boshnjak të Malit të Zi, arriti pavarësimin nga Serbia, duke i mbijetuar dhe përpjekjeve për grusht-shteti organizuar nga faktori serbofil dhe nga Beogradi.

Ndërsa Abazoviçi, teksa përfaqëson një qasje pozitive antikorrupsion dhe një politikë përtej-etnike, mbetet përgjegjës për ardhjen për herë të parë në qeveri të Malit të Zi, të forcave serbofile me të cilat ai vetë ishte në koalicion në qeverinë e kaluar”, shkroi Zaimi.