Zbardhet dosja e ‘Eskobarit të Ballkanit’/ Si u nis skafi me drogë nga brigjet e Sarandës

Zbardhet dosja e ‘Eskobarit të Ballkanit’/ Si u nis skafi me drogë nga brigjet e Sarandës

Prokuroria për krime të rënda zbardh detaje të dosjes së Kelmend Balilit, të shpallur në kërkim që në Maj nga autoritetet greke si një nga financuesit dhe organizatorët e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Evropës Qendrore.

Në Shkurt të këtij viti, autoritet greke kanë arritur të identifikojnë dy numrat e telefonit, një grek dhe shqiptar që rezultuan se përdoreshin nga shtetasi Kelmend Balili i njohur në biseda telefonike si “Keli”. Në atë kohë, Balili mbante detyrën e drejtorit në Drejtorin Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Sarandë. Në dosje thuhet se Balili në bashkëpunim me disa biznesmen grekë, bullgarë dhe shqiptarë me qëndrim në Belgjikë, janë pjesë e një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe canabisë sativa.

Për rrjetin në fjalë, thuhet në dosje autoritet greke janë njoftuar nga selia e DEA-së amerikane në Athinë. Në materialet që prokuroria ka përdorur për caktimin e masës së isgurisë “arrest me burg” për Balilin, thuhet se rrjeti kriminal përdorte për transportin e drograve kamionë që janë të regjistruar në vende të ndryshme të Europës, në pronësi të kompanive që zotërohen nga shtetas grekë dhe përdorin si përfaqësues të këtyre firmave njerëz të ndryshëm. Ky rrjet, thuhet në dosje, funksionon prej vitesh por vetëm në fund të Prillit autoritetet ligjzbatuese kanë rënë në gjurmët e tyre.

Kjo pasi është transkriptuar një bisedë telefonike mes Balilit dhe një biznesmeni greke, që kishte kompani transporti, me degë të saj në Bullgari, Austri dhe Belgjikë. Shtetasi greke, tashmë i arrestuar është Georgios Alifantis dhe bënte transportin e drogave nga Greqia drejt Evropës Qëndrore, pasi ato silleshin në Greqi nga njerëzit që komandoheshin nga Kelmend Balili, qoftë në rrugë detare me skaf apo me mjete tjera tokësore.

Në fund të Prillit, Balili ngarkon skafin me emrin “Vasiliki” me rreth 679 kg hashash dhe ia beson mallin dy skafistëve Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët i nis drejt ishullit të pabanuar Zakynthos të Greqisë. Për nisjen e skafit nga brigjet e Sarandës, rrugën që do ndiqte mjeti lundrues dhe vendin e zbarkimit, prokuroria ka siguruar bisedat e Kelmend Balilit që orientonte dy skafistët dhe njoftonte për veprimet e tyre edhe shtetasin greke, Georgios Alifantis. Ky i fundit, me shoferët e tij, e priste drogën në Greqi.

Me të mbërritur skafi në Greqi, malli ngarkohet në vende të ndryshme të kamionëve të modifikuar për fshehjen e drogës dhe bëhej gati për nisje drejt Bullgarisë, Austrisë e Belgjikes. Por, për shkak se po ndiqeshin nga autoritetet greke mbrëmjen e 8 Majit, skafistët shqiptarë u arrestuan bashkë me biznesmenin grek dhe shoferët e bashkëpunëtorët e tij në Greqi, ku u bllokua edhe droga. Për këtë rast dhe një tjetër, që ka dështuar në Bullgari, rrjeti kriminal i drejtuar nga Kelmend Balili akuzohen për trafik droge në kuadër të organizatës kriminale. /ABC News/

Shpërndaje në: