Zbulohet mashtrimi që Erdogan i bëri presidentit Trump

Periskopi.com Lajme

Kurrë mos i beso një turku! Fraza e filmit të njohur “Mesdheu” duket se është ilustruar në praktikën e punës së presidentit amerikan Donald Trump që mesa duket është gënjyer hapur nga homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Një libër i publikuar së fundmi në SHBA mbi politikën e jashtme të administratës aktuale, nxjerr në pah mënyrën sesi presidenti aktual amerikan vepron për të zgjidhur situata të vështira. Libri quhet “Një gjeni shumë i qëndrueshëm” dhe ka për autorë gazetarët e “Washington Post” Carol Leonnig dhe Philip Rucker. Gazeta izraelite “Haaretz” nxjerr një detaj nga ky libër sipas të cilit Trump i bëri presion kryeministrit Benjamin Netanyahu që të lironte një qytetare turke që akuzohej se ndihmonte Hamasin, sepse një gjë të tillë e kërkonte presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

…Marrëveshja nisi të merrte formë kur Trump u takua me Erdogan në samitin e NATO-s në Bruksel në fillim të korrikut 2018. Gjatë takimit Erdogan i kërkoi Trump që të bënte presion Izraelit për të liruar Ozkan, e arrestuar disa javë më parë pas hyrjes në Izrael me para të padeklaruara dhe me një celular për operativët e Hamasit. Në këmbim, Erdogan i premtoi Turmp se do të lironte Andreë Brunson, një pastor amerikan që ishte arrestuar në Turqi thuhet në libër.

Mjaftoi kjo dhe një telefonatë e Trump për Netanyahun që çështja të merrte drejtim. Gazetarët shkruajnë se kryeministri izraelit nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për shtetasen turke që u lirua të nesërmen.

Lirimi i saj i kapi në befasi zyrtarët izraelitë dhe nuk ishte e qartë menjëherë se pse Trump kishte kërkuar një gjë të tillë, shkruajnë autorët.

E papritura erdhi më vonë. Ndërkohë që Ozkan u lirua me një urdhër verbal nga Trump te Netanyahu dhe ky te autoritetet e veta, Erdogan nuk u nxitua.

Në datën 18 korrik gjykata turke refuzoi apelin për lirimin e Brunson dhe caktoi një datë tjetër për në muajin tetor. Trump shkruajti në tuiter se vendimi ishte një turp i vërtetë. Ai u ndje i mashtruar nga presidenti turk…Në 26 korrik Trump telefonoi Erdogan dhe ishte i zbehtë. Telefonata ishte e shkurtër, me Trump-in që fliste në shumicën e kohës dhe që nuk merrte përgjigjet që donte. Trump pastaj iu kthye tuiterit për të njjoftuar pakënaqësinë e tij. SHBA do të vendosë sanksione të mëdha ndaj Turqisë, shkroi ai raporton gazeta në fjalë.

Do duhej pritur tetori i vitit 2018 që Brunson të lirohej nga burgjet e Turqisë dhe pas kthimit në SHBA ndalesa e parë ishte në Shtëpinë e Bardhë ku bëri një fotografi me Trump që kërkonte të rifitonte mbështetjen e evangjelistëve.

Situata në dukje zbavitëse është premisë për një pyetje: Nëse Erdogan gënjen hapur presidentin e SHBA, sa të vështirë e ka ta bëjë një gjë të tillë me miqtë e shumtë që i zënë derën sa herë kanë nevojë?

 

Shpërndaje në: