Zbulohet se kush janë hakerët që e sulmuan Shqipërinë

Zbulohet se kush janë hakerët që e sulmuan Shqipërinë

Mediat iraniane kanë publikuar fotot e katër personave që thuhet se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

Sipas Iran International, ata janë autorë të disa sulmeve kibernetike globale dhe janë të lidhur me agjenci të ndryshme të inteligjencës qeveritare në Teheran.

Rasti më i fundit i një sulmi kibernetik shkatërrues, që u atribuohet operativëve të inteligjencës iraniane, ishte një ndërhyrje e hakerëve në sistemet kompjuterike të qeverisë shqiptare, që filloi në vitin 2021 dhe përfundoi me një ndërprerje masive në korrik, sipas hetimeve të sigurisë të Microsoftit. Informacioni u vodh dhe shërbimet publike u ndërprenë nga hakerët iranianë, sepse Shqipëria strehon një grup opozitar, shkruan media iraniane.

Javën e kaluar, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi diplomatët e saj.

Sipas informacionit të marrë nga firma e sigurisë kibernetike Backdoor, kreu i luftës kibernetike të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) është një person i identifikuar si Hamidreza Lashkarian (Lashgarian) 61-vjeçar, me banim në Teheran, pedagog universitar. Ai ka një histori të përfshirjes në operacione të ndryshme të inteligjencës së IRGC-së kundër lundrimit komercial dhe aktiviteteve të tjera klandestine.

Vitin e kaluar, një grup i quajtur Sayyad Project kishte shënjestruar aeroportin e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë. Një grup kibernetik anti-Iran, i quajtur Lab Dookhtegan ose Read My Lips, zbuloi identitetin e personit që drejtonte sulmin kibernetik si Mohammad-Bagher Shirinkar.

Pseudonimi i tij është Mojtaba Tehrani, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjen e tij me IRGC.

Vëllai i tij Mhammad-Hossein Shirinkar, është gjithashtu një nga aktorët kryesorë në grupin Sayyad. Ai thuhet se është kreu i Inspektoratit të Inteligjencës së IRGC, sipas Lab Dookhtegan.

Një operator tjetër është Mehdi Hashemi Tughraljardi, i cili është kunati i vëllezërve Shirinkar. Ai është gjithashtu i sanksionuar nga ShBA-ja dhe drejtor i përgjithshëm i një kompanie digjitale në Teheran./Euronews.al

Shpërndaje në: