Zëdhënësja e BE-së për siguri: Deklaratat e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë për luftën janë shqetësuese

Periskopi.com Lajme

Zëdhënësja e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Nabila Massrali, ka reaguar pas deklarimeve të fundit të liderëvë të Kosovës dhe Serbisë, për një konflikt të ri të armatosur.

Massrali konsideron se këto deklarime janë shqetësuese, duke kërkuar që veprimet e tilla të ndalen menjëherë.

“Rritja e retorikës nxitëse së fundmi mes zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat për luftë dhe konflikt në Ballkanin Perëndimor janë shqetësuese. Të dyja palët duhet t’i japin fund menjëherë armiqësive të ndërsjella”, shkroi Massrali në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Akeksandër Vuçiq tha se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar popullsisë serbe që jeton në Kosovë.

Një ditë pas kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti tha kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për vete, “flasin për imagjinatën e mendimet e tyre”.

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të shndërrohen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën”, tha Kurti për Reuters, duke folur në anglisht. “Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, kishte thënë Kurti.

Lidhur me këtë më 17 gusht, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 18 gusht do të zhvillohet takimi i dy liderëve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ky takim ishte thirrur pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, lidhur me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.