Zeka tregon a do të intervistohet nga Prokuroria për deklaratën ku thoshte se ka filluar blerja e votave

Zeka tregon a do të intervistohet nga Prokuroria për deklaratën ku thoshte se ka filluar blerja e votave

Kandidati për Kryeministër nga Partia Euroatlantike e Kosovës, Milaim Zeka ka mohuar se ka marrë ftesë nga Prokuroria e Shtetit për tu intervistuar pas deklaratave të tij ku tha se “një parti ka dhënë 220 mijë euro për të blerë 6 mijë vota në Drenicë”, shkruan Periskopi.

“Jo, nuk kam marrë kurrfarë ftese”, tha Zeka.

Sipas tij, Prokuroria është duke bërë fushatë mediatike.

“Kjo ndodh sepse Prokuroria e Kosovës, nuk e lufton krimin e organizum në Kosovë, por do në me ba fushatë mediatike dhe kjo është edhe njëherë dëshmia e turpit të prokurorëve të Kosovës që po bën një krim në vazhdimësi me i njoftu mediat që mu më kanë ftu, kur unë nuk kam marrë kurrfarë njoftimi”, u shpreh Zeka.

I pyetur nëse do t’i përgjigjet kësaj ftese nëse e merr gjatë ditëve në vazhdim, ai tha se kjo i mbetet atij ta vendos pasi ta marr një njoftim të tillë.

“A do t’i përgjigjem apo jo është diçka që do ta vendosi pastaj, por nuk ndodhë kurrkund në botë që prokurorët t’i shkatërrojnë hetimet e veta përmes medieve përveç në Kosovë. Unë i kuptoj mediat që luftojnë për klikime, por nuk e kuptoj prokurorinë që lufton për klikime”, u shpreh Zeka.

Prokuroria e Shtetit sot gjatë ditës ka thënë se do ta intervistoj kryetarin e Partisë Euroatlantike, Milaim Zekën, pas deklaratës së tij të mbrëmshme në T7, ku ka thënë se ka informacione që ka filluar blerja e votave në Drenicë dhe ka treguar si po bëhet kjo.

“Milaim Zeka, do të ftohet nesër për dëgjim në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për deklaratat e bëra në emisionin “PRESSING”, ku deklaron se ka informata për blerje të votave në rajonin e Drenicës”, thuhen në një përgjigje të Prokurorisë së Shtetit për Express.

“Kemi informacion nga ndërkombëtarët se një parti politike në zyrën e saj në orën 2 të natës i ka paguar 220 mijë euro me i ble gjashtë mijë vota në Drenicë”, ka thënë kryetari i PEK’ut. /Periskopi

 

Shpërndaje në: