Zelensky akuzon Rusinë se po e shantazhon Europën për gazin

Zelensky akuzon Rusinë se po e shantazhon Europën për gazin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Moskën se i ka shpallë “luftë gazi” Europës dhe se po shkakton terror mbi njerëzit, pas një njoftimi se një kompani ruse po e redukton transportin e gazit drejt Gjermanisë.

Gazpromi rus tha se po redukton rrjedhat e gazit në Gjermani për të lejuar punën në një turbinë në tubacionin Nord Stream 1.

Megjithatë, këtë s’po e beson Zelensky, i cili tha se ky ishte thjesht “shantazh gazi” kundër Europës, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

“Shantazhi me gaz ndaj Europës, i cili vetëm përkeqësohet çdo muaj, i duhet vetëm një shteti terrorist për t’ia bërë më keq jetën çdo europiani”, tha Zelensky në fjalimin e tij gjatë natës.

Ai tha se ishte menduar qëllimisht që ta bënte më të vështirë për Europën përgatitjen për dimër, pa treguar aspak kujdes për varfërinë që njerëzit mund ta vuajnë në muajt e ftohtë si rezultat i kësaj.

Ky vendim për gazin rus vjen pasi shpresat mbeten se eksportet e grurit nga portet ukrainase mund të rifillojnë këtë javë pas një marrëveshjeje.

Gazprom tha të hënën se duhej të shkurtonte furnizimin me gaz në rreth gjysmën e niveleve aktuale në mënyrë që të kryente punë mirëmbajtjeje – por qeveria gjermane tha se nuk kishte asnjë arsye teknike që ajo të kufizonte furnizimin.

Tubacioni Nord Stream 1, i cili kalon nën Detin Baltik për të pompuar gazin nga Rusia në Gjermani, tashmë ka funksionuar shumë nën kapacitetin për javë të tëra dhe u mbyll plotësisht për një pushim 10-ditor në fillim të këtij muaji.

Rusia furnizoi BE-në me 40% të gazit të saj vitin e kaluar derisa BE-ja e ka akuzuar Rusinë se po e përdor energjinë si armë.

Shpërndaje në: