Zemaj: Javën tjetër fillon shpërndarja e 160 mijë vaksinave kundër gripit sezonal

Zemaj: Javën tjetër fillon shpërndarja e 160 mijë vaksinave kundër gripit sezonal

Javën e ardhshme do të fillojë shpërndarja e mbi 160 mijë vaksinave kundër gripit sezonal. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë është në proces të sigurimit edhe të 340 mijë vaksinave të tjera. Shpërndarja e tyre do të bëhet në bazë të kërkesave të IKShP-së, komunave dhe QKMF-ve.

Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas takimit me përfaqësues të institutit “Robert Koch”, të cilët kanë vlerësuar punën e stafit shëndetësorë gjatë kohës së luftimit të COVID-19.

“Javën tjetër fillojmë me shpërndarjen e 160 mijë e 500 vaksinave të siguruara. Dhe jemi në proces të sigurimit edhe të 340 mijë vaksinave kundër gripit sezonal. Dhe kjo shpërndarje do të fillojë duke filluar nga kërkesat, të cilat i ka marrë tash Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në komunat dhe QKMF-të tona anembanë Kosovës”, ka deklaruar Zemaj.

Veç tjerash, Zemaj ka falënderuar edhe ekipin e ekspertëve për përvojat e tyre që kanë treguar për mjekët në vend.

“Për dy javë dhe në ditët që po vazhdojmë me vizitat e tyre në QKUK, bashkëbisedimin me profesionistët tanë shëndetësorë, me spitalet rajonale, me IKShPK janë duke marrë dhe duke trajtuar mënyrat e luftimit të pandemisë, por edhe parë për së afërmi vlerësimin e infrastrukturës, kapacitetet humane dhe gjitha çështjet tjera që ndërlidhen jo vetëm me luftimin e COVID-19, por edhe me shërbimet shëndetësore në Republikën e Kosovës. Unë e mora një prezantim të shkurtër, jam shumë i kënaqur me vlerësimin e tyre, por mbi të gjitha me vlerësimin për punën e profesionistëve tanë shëndetësorë, të organizimit tonë si Ministri e Shëndetësisë se si e kemi menaxhuar situatën pandemike në këta muaj të vështirë pas hapjes në qershor të pakontrolluar, të cilën ne e gjetëm si ministri dhe si qeveri e re. Dhe gradualisht të cilën e futëm nën kontroll dhe sot jemi ndër shtatë vendet që më së miri jemi duke e menaxhuar pandeminë”, tha Zemaj.

I pari i Ministrisë së Shëndetësisë u zotua se do të vazhdohet me disiplinë dhe me mbikëqyrjen e masave, me qëllim të luftimit të koronavirusit, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë maskat, distancën fizike dhe higjienën personale.

Përfaqësuesi i Institutit “Robert Koch”, Jonathan Baum ka ngushëlluar të gjitha familjet që kanë humbur të dashurit e tyre nga virusi korona. Ai ka theksuar se COVID-19 nuk njeh kufijtë, për çka tha se është e rëndësishme që të jenë së bashku në luftimin e kësaj pandemie.

“Unë falënderoj ministrin e Shëndetësisë dhe gjithë punëtorët shëndetësorë që janë ballafaquar gjatë kësaj kohe me këtë pandemi. Në të njëjtën kohë edhe OBSh-në me punën e tyre që e kanë ndihmuar që të bëhet luftimi i kësaj pandemie… Gjatë këtyre dy javëve që i kemi pasur në dispozicion kemi vizituar një numër të klinikave në vende të ndryshme, po ashtu edhe jemi takuar me punëtorë shëndetësorë të ndryshëm që janë duke u ballafaquar dhe punuar me punën kundër pandemisë… Vërtet, kam pasur përshtypje të mira kur kam parë se sa është i dedikuar stafi ose personeli shëndetësor në punën e tyre që janë ballafaquar. Thjesht e kanë rrezikuar edhe jetën e tyre dhe jetën e atyre që shumë herë janë përballur edhe me humbje të jetës gjatë punës që kanë bërë gjatë këtyre muajve”, tha ai.

Ndryshe, Zemaj si shenjë falënderimi dhe mirënjohje i ka dorëzuar “Hyjneshën në Fron” përfaqësuesve të institutit “Robert Koch”.

Shpërndaje në: