Zemaj: Kurti një magjistar që nuk i ka humbur shkopi magjik, por rruga në oborr

Periskopi.com Lajme

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me rend dite: Debat parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast, deputeti nga radhët e LDK’së, Armend Zemaj ka kritikuar qeverinë për menaxhimin me pandeminë.

Zemaj ka thënë se kryeministri Albin Kurti është një magjistar politik të cilit nuk i ka humbur shkopi magjik por rruga në oborr.

Sipas tij, Qeveria Kurti është qeveri akrobate e cila i ik thelbit të çdo problem që i kanoset vendit.

“Edhe atëherë edhe sot edhe kësaj dite, ne e kemi ditur që magjistar nuk është por aktrobat me një qeveri akrobate i cili dhe të cilët i ikën thelbit të çdo problemi që i kanoset vendit. Me veprimet e tyre, duket se është magjistar politik, të cilit sot nuk i ka humbur shkopi magjik por rruga në oborr”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka thënë se shifrat e larta të të infektuarve me COVID-19 janë epilog i paaftësisë së qeverisë.

“Edhe unë në emër të gjithë kolegëve nënshkrues shprehim përkrahjen, solidaritetin me të gjithë të infektuarit të cilët po kalojnë këtë gjendje të pandemisë por edhe kolegëve tanë, kryetarit të kuvendit dhe kryetarët dhe të gjithë të tjerëve pa përjashtim. Afër 30 mijë rastet me COVID vetëm gjatë këtij muaji. Vetëm dje kemi mbi 4 mijë raste. Ky është epilogu mujor i paftësisë së qeverisë. Ky është rezultati i menaxhimit online të pandemisë të cilin e patë proklamuar qeveria thuase pandemia është përhapur online, mbasë të njëjtën mënyrë e ka menaxhuar edhe gripin sezonal”, ka deklaruar ai.

Zemaj ka kritikuar Kurtin edhe për masat ashpërsuese ndaj atyre që hyjnë në Kosovë, me ç’rast përsëri e ka quajtur atë acrobat.

Po ashtu, ai ka thënë se kjo qeveri po i neglizhon testimet masive e vaksinimin masiv edhe në shkolla.