Zhdukja e politikanit të vetëm të Kosovës

Zhdukja e politikanit të vetëm të Kosovës

Albin Kurti dje i thoshte opozitës se nuk po dinë ta kritikojnë. Shumë e vërtetë! Ligjërimi i opozitës është aq i mangët e i çalë sa aktualisht legjitimiteti i Albin Kurtit, ndoshta i gjithë legjitimiteti, bazohet në mungesën e legjitimitetit opozitar dhe në atë ligjërim për gjynah.

Ta fusim në funksion fakultetin e imagjinatës për pak! Imagjinoni çka do t’i bënte opozitari Albin Kurti, kryeministrit Albin Kurti, për shumë prej vendimeve që i mori qeveria e tij e për shumë prej qëndrimeve radikale të ndërruara. Por, s’ka nevojë as për imagjinatë.

Aktualisht, Albin Kurti është president, kryekuvendar, dhjetëra deputetë. Ai përcakton angazhimin e secilit prej njerëzve që bartin këto funksione, forma e ushtrimit të së cilave paradoksalisht i rrudh thjesht në biologjinë e tyre. Prandaj, nuk ka asnjë arsye që e gjithë kjo farsë të mos çohet në një nivel tjetër dhe Kurti të jetë njëkohshëm edhe opozitar i vetes së tij.

Në fakt, sado absurde të tingëllojë, kjo është e vetmja rrugë që ai të shpëtohet nga çkuptimësimi i plotë i angazhimit dydekadësh në politikë.

Kurti ishte i vetmi politikan që ia doli të shihte matanë rrugës së parapërcaktuar politike për Kosovën nga ‘fuqitë e mëdha’. I vetmi politikan i këtij vendi të vogël. Të tjerët ishin disa badihavxhi që në një kuptim më përmbajtësor dështonin të aktualizonin cilësorin në fjalë. Kurti ishte i vetmi që ia doli ta vizatonte mundësinë e daljes prej servilitetit. I vetmi që na zgjoi prej dremitjes së viteve 2000 në të cilat efektivisht u zhduk politikani brenda secilit politikan të kohës.

Por si pushtetar ai po i grahë të njëjtit kurs politik në ekonomi, në drejtësi e në diplomaci duke e çkuptimësu jo veç angazhimin e tij politik por edhe krejt dramat politike të dhjetë viteve të fundit e me këtë edhe demokracinë. Cili është kuptimi i demokracisë nëse zgjedhjet që bëjmë janë thjesht midis do gjitarëve dhe jo edhe mes orientimeve të ndryshme politike e ideologjike? Përtej zgjedhjeve, cili është kuptimi i mbetur i kritikave të Kurtit për programet e lodhta të qeverive të mëparshme kur programi i qeverisë së tij duket si i shkruar prej ndonjë nxënësi fillorist? Cili është kuptimi i protestës kundër kushteve të prodhimit kur në pushtet s’premton kurrgjë përmbajtësore përveç rritjes së buxhetit në 3 miliardë prej 2.5 sa është për katër vjet. PDK-ja e mori Ekzekutivin me 815 milionë [2008] dhe e la me 1.6 miliardë [2015]. Pra, edhe premtimi i tij për ritmin e rritjes së buxhetit është më i vogël se realizimi i partisë që u bë sinonim i korrupsionit.

Prandaj, ky është një moment kritik. Dhe duket se e vetmja formë për ta shpëtuar politikanin e vetëm kosovar nga asimilimi i plotë është t’i lejojmë që të bëhet njëkohshëm edhe opozitar. Derisa vepron kundër qëndrimeve të tij, ai do të mund të bënte kritikë pikërisht përmes këtyre qëndrimeve.

Ta zëmë, opozitar Kurti do të mund ta qortonte ashpër kryeministrin Kurti për qëndrimin skandaloz të qeverisë për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Do të mund ta qortonte ashpër edhe për vendosjen e ambasadës në Jerusalem, që e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit duke njohur praktikisht edhe politikat fashiste okupatore të këtij shteti ndaj palestinezëve. A ka ndonjë popull që e ka më qartë të ilustruar të drejtën e vetëvendosjes se sa populli palestinez? Si mund ta kërkojmë ne një të drejtë të tillë për veten kur ia mohojmë Palestinës?

Zhdukja politike e Albin Kurtit nënkupton ardhjen e një faze të re të absurditetit komik. Një fazë e re që ndoshta mund ta shtyjë vetë Kurtin të ndërveprojë pa skenar me publikun duke iu thënë troç se nuk ka asgjë të rëndësishme në dorë; se politika kosovare s’është veçse një farsë dhe politikanët veçse njerëz që provojnë të kacavirren sa më lart në pjesën fiksionale të tregut të punës; se debatet ‘politike’ që dëgjojnë çdo natë karakterin themelor e kanë ‘zbavitjen’.

Shpërndaje në: