Zhvendosja e Sunny Hill në Tiranë, Latifi: Prishtina po merr formën e një qyteti provincial

Zhvendosja e Sunny Hill në Tiranë, Latifi: Prishtina po merr formën e një qyteti provincial

Profesori i filozofisë, Blerim Latifi, thotë se Prishtina po merr formën e një qyteti provincial, ku asgjë e rëndësishme nuk ndodh. Kjo deklaratë e tij vjen, pas anulimit të festivalit Sunny Hill në Prishtinë. Festivali do të mbahet në të njëjtën kohë në Tiranë.

“Prishtina përditë e ma shumë po merr formën e një qyteti provincial, ku asgjë e rëndësishme nuk ndodhë. Aq më pak në fushën e kulturës”, shkruan Latifi në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërkohë, ai ka fjalë të mira për Tiranën.

“Zhvendosja e Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë është simptomë e një fenomeni ma të thellë: derisa Tirana me hapa të shpejtë po shndërrohet në një metropol europian”, thotë Latifi.

Reagimi i plotë i Latifit.

Zhvendosja e Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë është simptomë e një fenomeni ma të thellë: derisa Tirana me hapa të shpejtë po shndërrohet në një metropol europian, Prishtina përditë e ma shumë po merr formën e një qyteti provincial, ku asgjë e rëndësishme nuk ndodhë. Aq më pak në fushën e kulturës.

Komuna e Prishtinës ishte pajtuar që t’ia japë “Sunny Hill Festival” 17 hektarë tokë në shfrytëzim për 99 vjet në mënyrë që ta mbajë këtë ngjarje në Kosovë.

Por procedurat më tej janë zvarritur në Qeveri, gjë që ka bërë që organizatorët e kësaj ngjarjeje të tërhiqen përfundimisht. Festivali ishte paraparë të mbahej nga 4 deri më 7 gusht.

Festivali që nisi së mbajturi në 4 vite më parë, kishte pauzuar gjithashtu edhe në vitet 2020 dhe 2021, si pasojë e pandemisë Covid-19, që përfshiu të gjithë botën.

Edicioni i parë i festivalit ishte mbajtur mes 10 dhe 12 gushtit në vitin 2018 në Parkun e Gërmisë. Siç patën thënë organizatorët në atë vit, festivali ishte ndjekur nga më shumë se 18 mijë njerëz. Çmimi i biletave ishte 55 dollarë. Mes performuesve ishte edhe vetë këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjini, me grupin e tij Oda.

Edicioni i dytë i festivalit ishte mbajtur në vitin 2019, mes datave 2, 3 dhe 4 gusht, po ashtu në Parkun e Gërmisë. Mes performuesve ishin artistët botërorë Calvin Harris, Gashi, Klangkarussell, Miley Cyrus dhe sërish, vetë Dua Lipa.

Shpërndaje në: