Zhvillimet ndërkombëtare, Valon Murati: Po krijohen rrethanat për bashkimin Kosovë-Shqipëri

Zhvillimet ndërkombëtare, Valon Murati: Po krijohen rrethanat për bashkimin Kosovë-Shqipëri

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, në një intervistë të shkurtër për Periskopin, ka shprehur mendimet e tij lidhur me ndikimin e luftës në Ukrainë në raport me stabilitetin në vend, për mundësinë e përshpejtimit të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për rritjen e gjasave për bashkimin kombëtar në kuadër të kontekstit të ri që po krijohet.

Periskopi: A mendoni se zhvillimet e fundit në Ukrainë do të ndikojnë në raport me paqen dhe stabilitetin në Kosovë?

Valon Murati: Zhvillimet në Ukrainë kanë ndikim në zhvillimet globale dhe domosdo se do të kenë ndikim edhe në zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin tonë. Për shkak të problemeve të pazgjidhura me Serbinë mbetet e brishtë situata në veri të vendit. Megjithatë për shkak të pozicionit të Serbisë në raport me luftën në Ukrainë, e posaçërisht përpjekjet për të luajtur në rol neutral në raportet në mes të Perëndimit dhe Rusisë, rol që dobëson pozitën e saj në raport me BE-në dhe SHBA-të, nuk besoj se ajo hapur do të bëjë përpjekje për të destabilizuar situatën në veri. Sidoqoftë, ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse Rusia mund të përdor të gjitha mekanizmat për të krijuar situata tensioni kudo në Ballkanin Perëndimor, përfshirë veriun e vendit.

Periskopi: Lufta në Ukrainë a mund ta përshpejtojë apo do t’i ulë gjasat për përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi?

Valon Murati: Besoj se në planin afatshkurtër dinamika e paraparë e dialogut mund të bie. Në këtë do të ndikojnë edhe zgjedhjet e prillit në Serbi. Por kjo rënie e intensitetit të dialogut nuk do të zgjas shumë. Andaj ne nuk duhet të sillemi komod dhe ta injorojmë këtë proces. Dialogu është i rëndësishëm për Kosovën dhe mënyra e vetme që t’i zgjidhim problemet e mbetura me Serbinë, përfshirë pozitën e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Lufta në Ukrainë dhe çarja e madhe në mes të Perëndimit dhe Rusisë mund të bëjë që SHBA-të dhe BE-ja të ecin me hapa më të shpejtë për të mos lejuar vatra krize në rajonin tonë. Ky kontekst i ri gjeopolitik nuk duhet të na gjej të papërgatitur por do të duhej të mobilizoheshim që të përfitonim maksimalisht nga ajo. Po ashtu pozicioni i brishtë i Serbisë në këtë kontekst të ri gjeopolitik duhet shfrytëzuar maksimalisht.

Periskopi: Meqë për një kohë të gjatë keni proklamuar idenë e bashkimit kombëtar, a mendoni se pas rrethanave të reja që po krijohen kjo ide mund të shqyrtohet më shumë dhe më seriozisht edhe në rrafshin ndërkombëtarë?

Valon Murati: Në kohëra të tronditjeve të mëdha gjeopolitike, të cilat mund të shtrojnë rrugën edhe për ndryshime në rendin botëror që e njohim, rreziqet për shtetet e vogla si Kosova dhe për popujt e vegjël si shqiptarët janë evidente. Por njëkohësisht edhe mundësitë për të përfituar janë të mëdha. Në kontekstin që po krijohet, dhe me përcaktimin e qartë euro-atlantik të shqiptarëve, po krijohen mundësitë që disa procese të përshpejtohen. Kështu unë shoh gjasa reale që të përshpejtohet njohja nga pesë vendet anëtare të BE-së, të vendoset procesi i integrimit evropian në rrugë zyrtare, dhe njëkohësisht hapet mundësia e anëtarësimit në NATO dhe Këshill të Evropës. Por po ashtu besoj se gradualisht po krijohen rrethanat ndërkombëtare për mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë në një entitet shtetëror, gjithnjë në bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në. Si një projekt i punuar mirë me aleatët tanë bashkimi mund të jetë një opsion real. Ky proces duhet parë edhe në funksion të fuqizimit të interesave amerikane dhe evropiane në rajon. Në anën tjetër bashkimi, siç po e tregojnë edhe këto momente dramatike në historinë e Evropës, është një projekt i domosdoshëm për shqiptarët jo vetëm në planin politik, ekonomik, e historik, por edhe në atë të sigurisë./ PERISKOPI

 

Shpërndaje në: