Zjarrfikësit në Kamenicë përballen me kushte të rënda të punës

Zjarrfikësit në Kamenicë përballen me kushte të rënda të punës

Në Kamenicë,  zjarrfikësit po ankohen për kushte të rënda të punës. Ata kërkojnë ndihmën edhe të komunës, por edhe të institucioneve qendrore për t`ua zgjidhur problemet.

Njësiti i zjarrfikësve në Kamenicë po përballet me kushte të rënda të punës. Krahas automjeteve, në një garazh qëndrojnë edhe zjarrfikësit.

“Në këtë  objekt qëndrojnë edhe automjetet edhe personeli, gjë që po na shkakton edhe probleme shëndetësore”, thotë zjarrfikësi Femi Imeri.

“Siç dihet këtu për çdo ndërrim, automjetet ndizen brenda, lirojnë monoksid të karbonit e të qëndrohet në ato kushte edhe personeli ne atë tym, besoj qe kjo nuk do as koment”.

“Ne rrimë ku ndizen automjetet, ku lirojnë gazra, aty e bëjmë pushimin ditor, pushimin e kujdestarisë d.m.th në gazra të automjeteve qëndrojmë”, thotë zjarrëfikësi tjetër, Isa Isufi.

Komandanti i këtij njësitit, Riza Bunjaku, thotë se këtë problem e ka adresuar që moti, por që nuk ka marrë përgjigje.

“Këtë çështje  e kemi ngritur qysh herët. U jemi drejtuar AME-së, me kërkesë ku agjencioni ka projektet kryesore për ndërtime, të njëjtin projekt e kemi dorëzuar edhe në komunë që ka qenë gatishmëri e komunës për ta ndihmuar, por në realitet deri sot nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim”, thotë Riza Bunjaku.

Kujtim Kallaba, drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, thotë se po i shikojnë mundësitë e gjetjes së ndonjë donatori për përmirësimin e kushteve sepse komuna nuk ka mundësi buxhetore.

“Si komunë buxhetin e kemi të vogël dhe nuk mundemi që komplet atë objekt ta ndërtojmë me mjete financiare vetanake të komunës”, thotë Kallaba. “Jemi duke tentuar edhe me donatorë të jashtëm, por që deri tash jemi ku jemi dhe nuk kemi mundur të bëjmë diçka më shumë”.

Ky njësit kërkon kushte më të mira për shkak se, në këtë formë, thonë se po u rrezikohet edhe shëndeti. /rtk

Shpërndaje në: