ZRRE jep detaje për secilën kategori që do t’i shtrenjtohen faturat e rrymës

ZRRE jep detaje për secilën kategori që do t’i shtrenjtohen faturat e rrymës

Bordi i ZRrE-së ka aprovuar planin për rritjen e tarifave të çmimit të rrymës për 15 për qind, nga muaji prill.

Tre anëtarë të bordit votuan pro kësaj pikë dhe asnjë nuk ishte kundër.

Kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, tha se kjo po bëhet në mënyrë që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi nëse nuk bëhet furnizimi, kostot do të jenë edhe më të larta.

Komunikata e plotë e ZRRE:

Më 30 mars 2023, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka mbajtur seancën e tij të tretë (III) për këtë vit.

Sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, ZRRE përcakton tarifa për shërbime të rregulluara në sektorin e energjisë. Qëllimi i përcaktimit të tarifave është reflektimi te kostove të shërbimit për secilin aktivitet të sektorit të energjisë elektrike, ashtu që të garantohet siguria dhe vazhdueshmëria e furnizimit me energji elektrike.

Tarifat e energjisë elektrike të aprovuara reflektojnë koston e shërbimit për secilin aktivitet ashtu që të mos cenohet siguria dhe vazhdueshmëria e furnizimit me energji elektrike. Tarifa e aprovuara duhet te mbulojnë kostot investive të nevojshme në Termocentralet, investimet në rrjetin e Transmetimit dhe Shpërndarjes, reflektimin e kostove me shumicë dhe të operimit.

Tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të aprovuara do të jenë në masën 15.4% më të larta për çdo kategori të konsumatorëve të rregulluar. Faktorët që kanë ndikuar në rritjen e kostove të furnizimit, janë:

  • Rritja e çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. Edhe pse në vitin 2023 çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane shënuan rënie në krahasim me vitin 2022, ato vazhdojnë të jenë më të larta në krahasim me çmimet që mbulojnë tarifat aktuale.
  • Kapacitetet e kufizuara gjeneruese në vend për të plotësuar kërkesën në rritje detyrojnë Kosovën të blejë sasi më të mëdha të energjisë elektrike në tregun rajonal dhe ndërkombëtar.
  • Shkalla shumë e lartë e inflacionit, nga 0.25% deri në 1.75% në periudhën 2018 deri 2020, në 8.39% në vitin 2022, ndikoi në rritjen e konsiderueshme të kostove tek furnizuesit e energjisë elektrike.

ZRRE-ja njofton të gjithë konsumatorët se çmimet e reja të energjisë do të aplikohen për sasinë e energjisë të konsumuar nga data 1 Prill  2023.

Shpërndaje në: