Zyrtare: Caktohet dita e takimit të delegacioneve Ukrainë – Rusi

Zyrtare: Caktohet dita e takimit të delegacioneve Ukrainë – Rusi

Zëvendësministri i Brendshëm i Ukrainës, Evgeny Yenin tha se bisedimet midis delegacionit ukrainas dhe atij rus do të zhvillohen të hënën në mëngjes me orën lokale, raporton CNN.

Zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko e ka telefonuar presidentin ukrainas të dielën.

“Ata kanë rënë dakord që delegacioni ukrainas do të takohet me delegacionin rus pa parakushte në kufirin ukrainas-bjellorusi, pranë lumit Pripyat”, tha zyra e tij.

Zelensky ka njoftuar edhe vetë se ka biseduar në telefon me presidentin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenkon, aleatin e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Rezultati i bisedës me Aleksandër Lukashenkon. Kemi rënë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me rus pa kushte paraprake në kufirin ukraino-bjellorus, në zonën e lumit Pripyat”, shkroi Zelensky në Facebook.

Presidenti ukrainas tha se Lukashenko ka marrë përgjegjësi se avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin bjellorus do të mbeten në tokë përgjatë nisjes, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas në vend.

Rusia u kishte dhënë zyrtarëve ukrainas afat kohor deri në orën 15:00për të vendosur nëse do të takohen për bisedime në Bjellorusi.

Zelensky tha se do të ishte i gatshëm të zhvillonte bisedime me Rusinë, por hodhi poshtë propozimin e palës ruse për një takim që do të mbahej në Bjellorusi.

Bjellorusia është aleat i Rusisë dhe ka luajtur rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës. Trupat ruse pushtuan kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë me mbështetjen e qeverisë bjelloruse, sipas zyrtarëve ukrainas.

Shpërndaje në: