Zyrtari i BIK-ut: S’ka falje të Bajramit në xhami, s’do ketë asnjë organizim

Zyrtari i BIK-ut: S’ka falje të Bajramit në xhami, s’do ketë asnjë organizim

Bashkësia Islame e Kosovës ka vendosur që falja e Fitër Bajramit të mos bëhet në xhamit e vendit të dielën e 24 majit.

Zyrtari i BIK-ut, Ekrem Simnica, deklaroi se falja e Fitër Bajramit nuk do të bëhet as edhe jashtë xhamive në organizime të vogla për shkak të situatës pandemike.

“Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë me një vendim rreth faljes së Fitër Bajramit apo mos faljes të themi në këtë rast”.

“Kjo është një traditë e jashtëzakonshme,  që nuk ka ndodhur tek ne deri tani. Së paku gjeneratat e tona nuk mbajnë mend që të festohet festa e Fitër Bajramit në këtë formë”.

“Pandemia ka përfshirë edhe vendin tonë”.

”Tash jemi në këtë situatë që duhet tu përmbahemi udhëzimeve të ekspertëve të shëndetësisë dhe atyre shtetërorë për këtë çështje dhe kjo do të ndodhë – do të festohet në një formë paksa të jashtëzakonshme”.

”Pra, falja e Fitër Bajramit nuk do të bëhet në asnjë xhami në Kosovë, por as edhe jashtë xhamive – nuk do të bëhet ndonjë organizim”.

Simnica deklaroi se imamët e xhamive do të kryejnë ritualet fetare në faljen e Fitër Bajramit me mikrofon për tu dëgjuar nga besimtarët myslimanë.

“Ne e kemi paraparë që të gjithë imamët apo muzeinët, njerëzit e autorizuar që janë në xhamitë tona, në kohën e hershme të mëngjesit të së dielës është ditë feste dita e Bajramit, ata do të dalin në xhamitë e tyre në kohën e faljes së Bajramit që është në ora 05:42”.

”Do të jemi në xhami, do t’i ndezim mikrofonat, do të marrin Tekbir, ku do t’thuhet ”Allahu Ekber” dhe të binë salavate mbi të dërguarin tonë Muhamedin a.s”.

Ai më tej deklaroi se Myftiu i Kosovës, Naim Ternava të dielën do të informojë besimtarët se është koha e faljes së Fitër Bajramit dhe ai në xhami do të japë një mesazh për qytetarët.

 

Shpërndaje në: