1.5 milionë euro për Martinin nga GEN-i i Beogradit: Emisioni i plotë i televizionit shtetëror slloven

Një emision hulumtues i televizionit shtetëror slloven, risjell në vëmendje skandalin e Martin Berishajt. Atje, policia po heton “marrëdhëniet ballkanike të GEN-it”, ndërkaq në Kosovë, krerët e shtetit heshtin – përballë thirrjeve për shkarkimin ose dorëheqjen e Martin Berishajt. Minuta të tërë të emisionit, i kushtohen raportimit të Berishajt në Komision Hetimor Parlamentar, sidomos një […]
***
Televizioni shtetëror slloven, të enjten në emisionin qendror të tij ‘Target’, ka trajtuar skandalin ku është i involvuar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
(EMISIONI i plotë i televizionit shtetëror slloven për lidhjet e Martin Berishajt me GEN-in)
Sipas emisionit investigativ, rasti më i nxehtë me të cilin po merret policia slovene për momentin janë marrëdhëniet ballkanike të GEN-i.
Në disa minuta të emisionit, i kushtohet edhe raportimit të Martin Berishajt para Komisionit Hetimor Parlamentar dhe pjesës për të cilin foli edhe vetë deputeti Driton Selmanaj dje në Kuvend.
Pjesë nga Komisioni Hetimor Parlamentar, që jepet në emisionin e televizionit slloven, përcjell Periskopi:
Martin Berishaj: Unë GEN-in natyrisht e njof, ajo është firmë që ka 25 vende të botës. Kam qenë aty si këshilltar, kam punu edhe profesor natyrisht, ashtu sic jam. Unë kam dhënë këshilla politike se çka do të duhej me ba një firmë.
Driton Selmanaj: A ka pasë punëtor tjetër aty kjo kompani apo vetëm ju keni qenë?
Martin Berishaj: Vetëm unë.
Driton Selmanaj: Si doktor shkencave politike keni pasë mundësi me ofru ekspertizën për kompani të huaj që tregtojnë energji.
Martin Berishaj: Nuk kam punu për shitje të energjisë, unë kam dhanë qasjen politike në bazë të strategjive që një shtet i jep në këtë situatë.
Selmanaj: Martin Berishaj gënjeu në Komision, për këtë mund të dënohet deri në 5 vjet burg
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, dje në Kuvend, deklaroi se Martin Berishaj ka gënjyer nën betim dhe kjo është vepër e dënueshme deri në 5 vjet burg.
Ja pjesa e fjalimit të Selmanajt që transmeton Periskopi:
“Kam qenë insistues në Komision që ta pyes zotin Berisha, a është pronar i MB Conculting.
Përgjigja e tij është kështu: po është një firmë që e kam formuar më 2017 në Malin e Zi. Nuk funksionon nga viti 2020. Ka kryer të gjitha obligimet, nuk ka hyrje dalje. Unë e pyes përsëri, pra kjo nuk funksionon më, thotë: jo jo kjo është cështje e mbyllur.
Unë e pyes, po kompania, sa punëtorë ka? Thotë vetëm unë jam.
I them a keni kontratë me GEN për kontratë të energjisë, thotë po. Kam punu aty edhe si këshilltar edhe si profesor. I them cka ka lidhje profesori në tregtim të energjisë. Ai thotë unë kam punu me konsulta për cështje strategjiko-politike. Merreni me mend, një profesor, është këshilltari më i rëndësishëm i GEN të Beogradit, ndërkohë që thotë s’ka asnjë qarkullim prej vitit 2020, tash del që ky tërheq para, ku në Kosovë dhe në vitin 2022.
Ça është gjithë ky zell, me mbrojtë Martin Berishajn që na ka gënjy neve nën betim.
Para se të raportonim, e kam pasë detyrë t’ia lexoj deklaratën nën betim.
Ajo thotë: Në rast se ju nuk e thoni vetëm të vërtetën dhe vetëm të vërtetën atëherë ndiqeni sipas Kodit Penal dhe Ligjit të procedurës penale, nëse deklaroni rrejshëm burg deri në 5 vjet heqje lirie. Ndërkohë neve na gënjen nërsy”, tha Selmanaj.
Çka u than ë emisionin e televizionit shtetëror slloven, mbrëmë?
Një ekip i emisionit Target ka qëndruar në Prishtinë me qëllim për të kontaktuar degën e kompanisë GEN-I në Kosovë, përcjell AlbanianPost, teksa përcjell përmbajtjen e emisionit.
“Aty ku duhej të ishte zyra e degës, ekipi gjeti një kompani për fotokopje”, thotë gazetarja e njohur sllovene, Erika Znidarshiç, duke shtuar se më pak se një kilometër më larg nga kjo ndërtesë gjendet zyra e kompanisë së Martin Berishaj, MB Consulting.
“Më 14 janar 2015, Berishaj themeloi kompaninë MB Consulting në Kosovë. Më pak se një muaj më vonë, më 11 shkurt 2015, paratë vijnë nga Beogradi për herë të parë. GEN-I transferon 66 mijë e 500 euro të majme në kompaninë e sapo hapur, në të cilën është i punësuar vetëm Berishaj. Dy ditë pas kësaj, Berishaj tërheq 50 mijë nga llogaria”.
“Brenda një muaji, një tjetër fluks nga Beogradi mbi shtatë mijë euro. Berishaj tërheq pak më pak se tre mijë të nesërmen. Në prill 2015, përsëri një transferë më e madhe: 22 mijë. Tërheqje 18 mijë në pak ditë. Dhe kështu me radhë. Transferim – tërheqje, transferim – tërheqje. Një shembull tjetër: transferimi në shkurt 2016 arriti në 92 mijë euro”, vazhdon shpalosjen e të dhënave emisioni në fjalë.
Nga lista e transaksioneve të cilën e ka analizuar emisioni në fjalë del se GEN-I në Beograd vetëm kompanisë MB Consulting i ka transferuar gjithsej 1.5 milionë euro.
“Sipas analizës sonë nga llogaria e kompanisë së Berishajt janë tërhequr rreth 1.2 milionë euro cash”.
Emisioni në fjalë ka analizuar gjithashtu edhe pasqyrat e transaksioneve të kompanisë së Martin Berishajt në Mal të Zi.
“Mes viteve 2019 dhe 2020 – kur remitancat nga Beogradi në kompaninë kosovare u ulën – sipas tabelave të publikuara në media, paratë kanë rrjedhur në një masë më të madhe në kompaninë malazeze të Berishës me të njëjtin emër, MB Consulting . Transfertat bëheshin çdo muaj, për gati dy vjet, dhe më shumë se 50 mijë euro në muaj. Sipas dokumenteve, në vitin 2019 dhe 2020 janë arkëtuar gjithsej 566 mijë euro transferta nga dega serbe e GEN-I”.
Ndër të tjera emisioni ka zbuluar se paratë e transferuara – rreth 8 mijë e 500 euro – tek kompania MB Consulting nga GEN-I dega në Beograd, janë shpërndarë tek një kompani tjetër në pronësi të ambasadorit Berishaj, Myloja, ku përveç Berishaj, bashkëpronar ishin edhe sllovenët Anton Cerne dhe Janez Bukovink, të dy drejtues të vjetër të Lotarisë Sportive Sllovene.
Bukovink në një përgjigje të dhënë për emisionin Tarça ka thënë se nuk ka invetuar para në kompaninë në Kosovë.
“Vite më parë me iniciativën e Berishës e hapëm për çdo rast, në pleqëri, do të bënim diçka me këtë kompani”.
Kryeredaktori i Planet TV, Mirko Mayer, ka njoftuar përmes llogarisë së tij në Tëitter se Gjykata në Slloveni ka vendosur në shkallën e dytë se lajmet e këtij mediumi për përfshirjen e Martin Berishajt në një skandal financiar dhe pagesat e majme për të nga GEN-I në Beograd, nuk janë shpifje.
Mayer në njoftimin e tij i është drejtuar edhe Albin Kurtit, i cili kishte thënë ditë më parë se shpreson që të vendoset drejtësia në këtë rast.
“Kam dëgjuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një deklaratë dhe ka shprehur dëshirën që drejtësia do të thotë fjalën e saj në rastin e Berishajt kundër Planet TV. E njoftoj se kjo dëshirë i është plotësuar dhe drejtësia tashmë ka vendosur. Rasti i hapur nga Berishaj është refuzuar nga gjykatë në shkallën e dytë”, ka shkruar Mayer.
Kërkohet shkarkimi i Berishajt: Krerët e shtetit heshtin
Pas transmetimit të emisionit të mbrëmshëm në televizionin shtetëror slloven, në Kosovë janë ngritur sërish zërat që në vazhdimësi kërkojnë shkarkimin ose dorëheqjen e ambasadorit Martin Berishaj.
Derisa krerët e shtetit vazhdojnë të heshtin karshi kësaj afere, për Ehat Miftarajn, drejtor i Institutit Kosovar për Drejtësi, ‘edhe sikur Berishaj të jetë i pastër si loti’ përballë akuzave që i bëhen, ‘dorëheqja ose shkarkimi i tij do të duhej të ndodhte menjëherë nga një qeveri që promovon luftë kundër korrupsionit’.
“Ambasadori Berishaj kryelajm në televizionin publik në Slloveni, sigurisht jo për ndonjë vepër fisnike ose që promovon ndonjë interes për Republikën e Kosovës.
Edhe sikur i njejti të jetë i pastër si loti në aspektin penal dhe krejtë çka ka dal në publik të jetë trillim, një qeveri që promovon luftë kundër korrupsionit, qeverisje me integritet, me duar të pastra, i njejti nuk do të duhej as edhe një ditë më shumë të ishte ambasador. Një shtet normal nuk duron raste të tilla në pozita të ambasadorit. Dorëheqja do duhej të ishte hapi i parë, nëse ska dorëheqje, atëherë shkarkim! Por për këtë duhet lidership që kanë parime dhe që e duan shtetin më shumë se Martinin”, shkruan Miftaraj, përcjell Periskopi.
Për shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, heshtja e presidentes Osmani, kryeministrit Kurti dhe ministres Gërvalla, ndaj aferës së Martin Berishajt, ‘tregon se ata janë të përfshirë thellësisht në të’.
“Afera e Martin Berishajt, krye lajm në Slloveni dhe mediat rajonale, e “çuditërisht” krejt e pa vërejtur nga presidentja Osmani, kryeministri Kurti e ministrja Gërvalla. Mbrojtja që pushteti ia ka bërë dhe po ia bën Martin Berishajt, është dëshmi në vetvete se këta pushtetarë janë thellësisht të përfshirë si hisedarë në këtë aferë”, shkruan Tahiri sot në Facebook. /PERISKOPI/












