Frika pas luftës në Ukrainë: Qeveria Kurti nis procedurat për Gazsjellësin Amerikan

Frika pas luftës në Ukrainë: Qeveria Kurti nis procedurat për Gazsjellësin Amerikan

Qeveria e Kosovës ka nisu procedurat për projektin e Gasjellësit Amerikan, shkruan Gazeta Periskopi.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte refuzuar këtë projekt, duke thënë se nuk ka interes ekonomik.

Madje, Kurti e kundershtonte këtë projekt duke e akuzuar opozitën për mungesë vizioni.

“Nuk ndreqet aleanca me Amerikën me do gypa, kjo është cektësia dhe shkurtpamësia e juaj”, kishte thënë Kurti në një replikë në Kuvendin e Kosovës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, pati shprehur zhgënjimin për mosmarrjen e vendimit nga Qeveria Kurti.

“Qeveria nuk ishte në gjendje të merrte vendime për rrugën e saj të ardhshme në afatet kohore që kërkon MCC’ja. Kjo domosdoshmërish është dështim. Jo domosdoshmëri është diçka që po kritkoj. Thjesht është realiteti. Mezi presim që Qeveria e Kosovës të marrë disa vendime përfundimtare për strategjinë energjetike. Mirëpresim mundësinë që të mund ta mbështesim. Në ndërkohë puna e MCC’së duhej të vazhdonte. Programi ‘Kompakt’, nëse miratohet, do të përmbajë ndihmë shumë të rëndësishme në mbështetje të infrastrukturës energjetike për Kosovën – për ta ndihmuar Kosovën që të ketë furnizim me energji që është i sigurt, i qëndrueshëm, bashkëkohor i shekullit XXI”, ka thënë ambasadori amerikan.

Pas refuzimi të këtij projekti, Qeveria Kurti është përballur me kritika të rënda dhe të vazhdueshme nga opozita dhe Shoqëria Civile.

Në një nga kundështimet e Haradinaj për këtë temë, ai e kishte pyetur Kurti se arsyeja e refuzimit të Gasjellësit Amerikan mos është Gazpromi rus.

“Po iu pyes Kryeministër Kurti: “Gjatë vizitës suaj të gjatë në Greqi, a e keni takuar ndonjërin nga përfaqësuesit e Gazpromit rus dhe a është kjo arsyeja e refuzimit të projektit të gazsjellësit amerikan!? Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, kishte shkruar Haradinaj

Edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e kishte kritikuar qëndrimin e Qeverisë Kurti për këtë temë.

Krasniqi e shihte refuzimin si problematik, dhe këtë jo vetëm në kuptimin ekonomik.

”200 milion dollar grand, para falë, para që nuk kthehën me i refuzu nuk besoj se ka arsyje racionale për cfardo qoftë. E dyta potenciali i ndertimit të termocentralit më gazë që ka qënë projekt i propozuar për 200 më kish më qënë jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën, sepse dhe projekti i Kosovës së re tashmë ka dështuar dhe ai ka qenë projekt Amerikan që është tërhequr në kohën kur zoti Kurti ka qenë Kryeministër. Këtu po krijohet një patern i refuzimit të projekteve amerikane që nderlidhën më Energjinë dhe unë nuk kam spjegim, arsyetim përse një gjë e tillë mund të ndodhë, përveq asaj se ne e kemi mbështetur dhe e mbëshetesim se kjo nuk ka filluar më zoti Kurtin, këto janë edhe nga qeveritë e kaluara të cilat kanë negocuar dhe diskutuar më MCC-n, besoj dhe në kohën e zotit Haradinaj pasaj edhe në kohën e zotit Hoti, tash në kohën e zotit Kurti është dashur që kjo punë vec të marrë rrugë pasi gjashtë muaj janë me vonesë dhe refuzimi sipas mendimit tim është shumë problematik jo vetëm nga kuptimi ekonomik”, kishte thënë Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kishte thënë se Kosova u fut në krizë energjetike meqë e refuzoi Gasjellësin Amerikan.

Tutje, Abdixhiku e kishte kritikuar Qeverinë Kurti që vetëm po kundërshtonte projekte pa bërë asgjë të hairit.

“Farat e kumbullave nuk janë zgjidhje dhe na duhet alternativë afatgjatë. Gazi është njëra dhe tjetra efiçienca e energjisë. Kur të vjen dita të prodhojmë më shumë, bizneset do të kenë nevojë për energji. Na duhet pavarësi energjetike, njëra nga to është gazi por këta e refuzuan, natyrisht që mbesim në krizë. “Këta janë mësuar të thonë  “jo, jo, jo” gjithçka dhe jo të bëjnë një punë të hairit”, kishte thënë Avbdixhiku.

Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës bëhet e ditur se një nga tetë nismat që janë miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë dhe që lidhen me marrëveshje ndërkombëtare është edhe projekti i Gasjellësit Amerikan.

“Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, për projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”. Marrëveshja parasheh shfrytëzimin e fondeve, në shumën mbi 200 milionë dollarë, për sektorin e energjisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga opozita që Qeveria Kurti ta pranonte menjëherë projektin e Gasjellësit Amerikan, Qeveria Kurti nuk kishte ndryshuar qëndrim.

Por, javëve të fundit, kryeministri Kurti, në pothuajse të gjitha intervistat që ka dhënë për mediat vendore dhe ndërkombëtare e ka theksuar se Kosova dhe Ballkani Perëndimor është në rrezik, tash pas agresionit rus në Ukrainë. Pikërisht në këtë kohë destabiliteti, Qeveria Kurti ka vendosur që ta ndryshojë mendjen dhe t’i fillojë procedurat për Gasjellësin Amerikan./PERISKOPI

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: