52-48: Matematika e thjeshtë për garën se kush fiton Prishtinën

52-48: Matematika e thjeshtë për garën se kush fiton Prishtinën

*Në bazë të informatave brenda exit polleve, rezultati për Prishtinën po shkon drejt realizimit të kësaj matematike publikuar nga Periskopi më 21 tetor. 

Gara për kryetar të Prishtinës është bërë më e nxehtë se asnjëherë për shkak të rezultatit të 17 tetorit. Por, cilat janë matematikat e kësaj gare?

Arben Vitia i Vetëvendosjes do të jetë në balotazh me Përparim Ramën e Lidhjes Demokratike.

Vitia doli i pari me 42.33 për qind ose 35 mijë e 433 vota ndërsa Rama doli i dyti me 29.35 për qind ose 24 mijë e 572 vota.

Distanca mes të dyve është kësisoj 10 mijë e 861 vota, ose më e vogël se sa që e kishte parë çdo sondazh i mundshëm.

Dalja në zgjedhje në Komunën e Prishtinës ishte relativisht e lartë në krahasim me komuna të tjera shqiptare të Kosovës. 44.88 për qind të votuesve të regjistruar kishin marrë pjesë në këto zgjedhje, ose 87 mijë e 959.

Çdo dalje përtej kësaj shifre në zgjedhjet e balotazhit të 14 nëntorit, është në favor të Përparim Ramës duke qenë se në sondazhe vazhdimisht favorizohej Arben Vitia dhe Vetëvendosje kishte propaganduar një fitore pa balotazh të tij.

Duke marrë parasysh organizimin e jashtëzakonshëm të Vetëvendosjes, është zor e mundshme që të ketë pasur votues që të dielen e 17 nëntorit thjesht nuk morën pjesë në votime. Por, është e mundshme që shumë votues të Përparim Ramës të kenë qëndruar në shtëpi duke mos besuar në mundësinë e balotazhit, përcjell Periskopi.

Më e pakta, nga një gjë e tillë Rama do të përfitojë +3 mijë vota të dielen e 14 nëntorit.

Rezultati aktual: Arben Vitia, 35433 – Përparim Rama, 27572

Tashmë, kanë mbetur jashtë balotazhit pesë kandidatë të tjerë që kanë një numër të konsiderueshëm të votave.

Të mbledhur së bashku, ata kanë 23 mijë e 709 vota, një shumë tepër e madhe dhe përcaktuese për fituesin e kësaj gare.

Nëse prej këtij numri heqim 20 për qind që nga dëshpërimi për rezultatin e kandidatit të tyre nuk dalin fare në votime, atëherë mbesin edhe 18 mijë e 967 vota në ekuacion.

PDK

Uran Ismaili ka qenë befasia e madhe e këtyre zgjedhjeve duke e rritur në përmasa të pabesueshme rezultatin e PDK-së në Prishtinë. Për shkak të oponencës së madhe me Vetëvendosjen, pjesa besnike e votuesve të kësaj partie pritet të votojë pa menduar dy herë për kandidatin e LDK-së, Përparim Ramën.

Pjesa tjetër ndërkohë, nuk ia ka parë për të madhe përkatësinë partiake z. Ismaili dhe mund të jetë më e luhatshme. Por, pse u rreshtua me Uran Ismailin? Duke besuar fuqishëm që Prishtinës i duhet ndryshimi dhe jo një qeverisje tjetër e Vetëvendosjes.

AAK

Daut Haradinaj ka marrë 3769 vota në zgjedhjet e 17 tetorit. Duke qenë se partia e tij aktualisht është partia me opozitarizmin më agresiv ndaj Qeverisë Kurti II, nuk  besohet që këta votues besnikë të AAK-së të rrëshqasin kah z. Vitia pa ndonjë koalicion.

AKR

Përtej numrit të votuesve, në këto zgjedhje një pjesë e madhe e votuesve të AKR-së kanë mbetur jashtë zgjedhjeve pasi Selim Pacolli nuk arriti të kandidonte. Për shkak të lidhjeve të forta me LDK-në, dhe kandidaturës së Përparim Ramës, edhe këta votues pritet të jenë në anën e tij.

Rezultati?

Nëse e marrim të mirëqenë se vetëm 18 mijë e 967 votues të kandidatëve pa balotazh do të dalin në votime, atëherë në mënyrë arbitrare mund të vendosim që 80% të votave do të shkojnë kah Përparim Rama dhe 20% kah Arben Vitia për shkak të situatës politike.

Kjo e prodhon një rezultat mjaft interesant. Arben Vitia nëse ia del të marrë 20% të votave nga votuesit e kandidatëve jashtë balotazhit, atëherë ky numër votash do të jetë 3793. Shtuar me numrin e votave të tij, nëse ia del që t’i mbajë, ky numër shkon në 39 mijë e 226 sosh.

Në anën tjetër, nëse Përparim Rama ia del të marrë 80% të votave për kandidatët jashtë balotazhit që e përcaktuam në formë arbitrare, atëherë numri i votave të shtuara është 15 mijë e 173. Nëse Rama arrin të mbajë numrin e tij të votave prej 27 mijë e 562 [arb.] të rritur me numrin e rritjes së pjesëmarrjes nga qytetarët e pakënaqur, atëherë fitohet numri 42 mijë e 735.

Kjo e prodhon një distancë të konsiderueshme për z. Rama prej 5 mijë e 511 votash.

Me pjesëmarrjen prej 81 mijë e 961 votuesve në komunën e Prishtinës, del se ndarja në përqindje do të jetë si vijon: Arben Vitia 47.85% – Përparim Rama 52.14%. /Periskopi

Shpërndaje në: