A do të ketë fushatë zgjedhore për votimin e 21 prillit?

Procesi i votimit që do të organizohet më 21 prill, është i pari i këtij lloji në historinë më shumë se dy dekadëshe të zgjedhjeve në Kosovë. Asnjëherë më parë nuk është organizuar proces votimi ku votuesit do të tregojnë nëse janë për apo kundër largimit të kryetarit nga funksioni i tij. Në këtë situatë […]
Asnjëherë më parë nuk është organizuar proces votimi ku votuesit do të tregojnë nëse janë për apo kundër largimit të kryetarit nga funksioni i tij.
Në këtë situatë të re, shumë çështje mbetën të paqarta se si do të organizohet procesi përgatitor.
Gjatë ditës së sotme, KQZ-ja do të mbajë mbledhje të rregullt ku pritet të miratojë planin e aktiviteteve, në të cilin do të vendosen afatet brenda të cilave do të operojë ky institucion për të përgatitur procesin e votimit.
Periskopi ka kontaktuar me zëdhënësin e KQZ-së, Valmir Elezi, për këtë çështje, i cili ka thënë shkurtimisht ‘se jemi në përgatitje e sipër të planit të aktiviteteve të cilat do të prezantohen në mbledhjen e sotme’.
Deri më tani nuk dihet nëse në këtë proces do të ketë edhe fushatë zgjedhore për kryetarët aktualë, të cilët do të mund të kërkonin mbështetjen e votuesve për të kundërshtuar shkarkimin e tyre.
Më 21 prill, nëse 50% +1 e votusve të çdo komune do të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës, atëherë kryetari llogaritet se ka humbur funksionin e tij dhe brenda 45 ditësh do të organizoheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës.
Izmir Zeqiri kryetar i Zubin Potokut ka thënë për Periskopi se ky ‘referendum nuk do të ketë sukses.
I pyetur nëse do të shkoj ‘derë me derë’ për të bindur votuesit që të votojnë kundër largimit të tij nga pozita e kryetarit, Zeqiri ka thënë se “po punojnë në bazë të aktivitete ditore”.
“Po e përsëris ai ‘referendum nuk do të ketë sukses… ne po vazhdojmë me punë të përditshme me aktvitetet tona. Nuk do të ketë sukses ky process”, tha ai.
Ndërkohë raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon ka mirëpritur sot vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që të votohet pro apo kundër largimit të katër kryetarëve të komunave në veri.
“Unë e mirëpres vendimin e KQZ-së për caktimin e votimit për largimin e kryetarëve të komunave, gjë që do t’i hapë rrugën depërshkallëzimit të mëtejshëm. Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet të kenë trajtim të barabartë dhe të respektojnë procedurat demokratike për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme në veri”, ka shkruar Von Cramon në rrjetin social X.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi rekomandimin që më 21 prill të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës.
Ky rekomandim erdhi nga Sekretariati i KQZ-së, pasi verifikoi nënshkrimet e dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut.
Sipas Sekretariatit, në këto katër komuna është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve të kërkuara nga numri i përgjithshëm të votuesve, në mënyrë që të votohet për largimin e udhëheqësve komunalë.
Sipas udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave, të miratuar shtatorin e vitit të kaluar, që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.












