A është tenderi i Bagerit?

“E kam shok, pronarin e kompanisë Bageri”. Kjo deklaratë e zëvendësministrit , Hysen Durmishi ka nxitur shumë reagime sepse ‘Bageri’ është tutje në garë edhe për disa tenderë tjerë në Ministrinë e Infrastrukturës. Si asnjëherë më parë, ky digaster ka vendosur që të ndajë në dysh tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale, […]
Rëndom, tek tenderi i mirëmbajtjes së rrugëve disa pozicione kanë qenë të parapara edhe për shtresimin e asfaltit të dëmtuar, në ndonjë vend ku ka nevojë. Tash, ministria e ka bërë një tender veçmas për asfaltin dhe veçmas për mirëmbajtjen.
“Për mirëmbajtjen investive të rrugëve Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitin 2022”. Kështu quhet tenderi, ofertat për të cilin janë hapur më 6 qershor.
Vlera e parashikuar e kontratës është 3.596 710,00 euro. Kontrata është paraparë të përmbyllet për 60 ditë, pas nënshkrimit të saj.
Tenderi është ndarë në tri lote (pjesë), rrjedhimisht edhe do të ketë tri kontrata.
Kriter kryesor, çmimi më i lirë i përgjegjshëm.
Nëse është i kompletuar me dokumente, një kontratë të këtij tenderi do ta fitojë edhe kompania e dostit të Hysen Durmishit, “Bujar Shabani B.I”. Kjo për faktin që kompania ka ofertën më të lirë se të gjithë të tjerët për lot 3 , që është në një vlerë prej 495869, 98 euro. Pra të gjitha ofertat tjera janë më të shtrenjta.
Pjesa e parë e tenderit, po ashtu mund të përfundojë në shtëpinë e dostit të Hysenit, tek kompania “Kosova Asfalt” që është në emrin e Valdrin Shabani. Valdrini është djali i Bujar Shabanit.
Konzorciumi “RSM Company” shpk & “Kosova Asfalt”, për lot 1 kanë paraqitur ofertë 656676, 15 euro, që është e dyta më i lirë, dhe nëse janë të kompletuara me dokumentacion, dhe i pari nuk është, atëherë këta do ta marrin kontratën. Pra, çmim më të lirë ka vendosur vetëm konzorciumi “Eurokos Holding”& “Asfalt Corp”.
Kompania “Eurokos Holding” nuk njihet shumë si operator që merr tender. Në katër vitet e fundit shihet se ka fituar pak kontrata në një vlerë jo shumë të madhe dhe rrjedhimisht mund të mos i ketë referencat e kërkuara, sidomos ato të punëve të kryera në tri vitet e fundit dhe qarkullimin bankar. Kompania që është me të në konzercium “ASFALT Corp” shpk nuk e ka asnjë referencë ngase është themeluar para më pak se dy muaj.
Derisa vlera e parashikuar e kontratave nga ana e ministrisë është 3, 596, 710. 00 euro, për lot 1, ministria ka vendosur çmimin 1,121,950.00 euro, për lot 2, 1,519,800.00 euro, për lot 3, 954,960.00 euro. Nëse shikohet vlera e parashikuar e kontratës nga ana e ministrisë dhe disa oferta që kanë bërë kompanitë, shihet që ato janë shumë të ulëta. Sidomos nëse bëhet krahasimi i ofertës (lot 3) të “Bujar Shabani B.I” dhe çmimit të vendosur të ministrisë.
“Çmimi i kontratës është për 40% më i ulët se vlera e parashikuar – Ky indikator tregon një sinjal për mosplanifikim të duhur të tenderit dhe të vlerës së parashikuar dhe/ose kompania që ka fituar tenderin mund të ketë njohuri për punët që do të kryhen. Nëse rezultati është 40% ose më i lartë atëherë llogaritet se tenderi ka flamur të kuq”, thuhet në një faqe Flamujt e Kuq që është e lëshuar nga Demokraci Plus.
“Bujar Shabani BI” në konzercium më kompaninë që e la rrugën pa shtruar
Bujar Shabani që është edhe pronar i kompanisë “Bageri”, por në këtë rast ka ofertuar me kompaninë tjetër “Bujar Shabani BI”, dhe nuk ka ofertuar si i vetëm, por në konzorcium me kompaninë “Via Egnatia”.
Para pak ditësh, Periskopi ka raportuar se kjo kompani ka qenë bashkë në konzorcium me kompaninë “Damstation Project” e cila ka qenë lidere e grupit, ndërkaq ato kanë lënë pa asfaltuar një pjesë të madhe të rrugës në afërsi të Llapushnikut, në magjistralen Prishtina -Pejë. Konkretisht, rruga ka mbetur vetëm e gërryer.
Aty janë gërryer rreth 200 mijë m2 asfalt, që aktualisht në treg kushton rreth 8 euro m2 me fibra, e që kompanisë do t’i kushtonte rreth afro 2 milionë euro, po ta asfaltonte. Por, kompanitë, sipas kontratës që e ka parë Periskopi, tek lista e çmimeve , kapitulli 5 që ka të bëjë me “Mirëmbajtja e shtresave të asfaltit”, pika 5.5 ka paraparë pozicionin “Shtesa e re qarkulluese SMA, 11 me trashësi mesatare prej 4 cm me gërryerje”. Në këtë kontratë, për tri vite, për këtë pozicion kanë qenë të parapara të asfaltohen sasia prej 210, 600. 00 m2, në një vlerë prej 0,5 cent për m2. Totali i saj i bie vetëm 10 mijë e 530 euro.
Pra, siç shihet kompanitë kishte ofertuar me çmime “për toke” për këtë pozicion vetëm që ta fitonin kontratën. Bile ky grup i kompanive ka validitet të kontratës me ministrinë deri në korrik të këtij viti, por ministria nuk e ka detyruar që të asfaltojë këtë pjesë të cilën e kanë gërryer vetë për asfaltim. Përkundrazi, si asnjëherë tjetër, tash ministria ka bërë tender të veçantë, vetëm për shtresimin e deformimeve në magjistralet që do ta atakojë edhe atë pjesë.
Durmishi thotë se me këtë rast duhet të merret Prokuroria
Zëvendësministri, Hysen Durmishi i cili udhëheqë me Ministrinë e Infrastrukturës i është referuar dje këtij rasti në një debat televiziv që ka bazë për hetim, por rastin nuk e ka dërguar në hetuesi, sikur disa të tjerë.
“Kemi situata kur çmimi i asfaltit ka qenë 1 cent e 5 cent. Në çmimet e tregut për atë pozicion ka qenë 10 euro, tash është edhe më shumë. Pra, ka pasur pozicion 200 mijë m2, çmimin në kontratë e ka pasur 5 cent, që për krejt bëjnë 10 mijë euro, kurse çmimi i tregut është 2 milionë euro, dhe më pastaj nuk i ka realizuar punimet, sepse janë marr veshë paraprakisht që ne po e qesim këtë pozicion dhe ti me këtë pozicion e fiton kontratën, po ti s’ki me punu këtë punë. E me këtë duhet të merren gjykatat dhe prokuroria”, ka thënë Durmishi në një intervistë për ATV-në.
Bile, pos që kompania “Via Engantia” është në rrugë të mirë për të ‘kapur’ njërin prej pjesëve të tenderit të ri, bashkë me kompaninë e dostit të zëvendësministrit, që është hapur për shtresimin e rrugëve, tashmë për kontratë në një tjetër projekt është rekomanduar edhe kompania “Damstation Project”. Ndonëse, Durmishi thotë se rasti i ofertës së 5 centëve është për hetuesi, ngase nuk janë kryer punimet, kjo kompani është rekomanduar për kontratë. Bëhet fjalë për tenderin e Mirëmbajtjes së Autostradave i cili është në një vlerë prej 16 milionë eurove, ku për lot 3 është rekomanduar grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”. Por, tenderi është në pezullim, ngase, siç ka raportuar Periskopi është angazhuar Njësia e auditmit të brendshëm për të parë të gjithë rrjedhën e procedurës prokuruese.
Për ironi, për lot 3 janë rekomanduar dy kompani, që sipas deklaratave të Durmishit duhet të përfundojnë në hetuesi, “Damastin Project”, sipas deklarative të zëvendësministrit, ngase kishte ofertuar me çmim mashtrues dhe nuk i ka kryer punët në Llpushnik, dhe “Company Eskavatori” për punimet e kryera tek rreth-rrotullimi në Veternik. Durmishi në intervistën e tij ka thënë se ai projekt ka përfunduar në hetuesi. Periskopi ditë më parë ka raportuar se punët aty i ka kryer kompania “Eskavatori” dhe se punimet nuk janë bërë sipas kontratës. Po ashtu, kjo kompani ka paraqitur ofertë edhe në tenderin e ri të ministrisë për mirëmbatjen investive të rrugëve, për lot 3, por ka çmim shumë të lartë mbi 6 milionë euro.
Cilat subjekte janë në garë për tenderin për mirëmbajtjen investove të rrugëve Nacionale dhe Rajonale?
Bëhet fjalë p%r 23 subjekte, kompani si të vetme ose në konzorcium që kanë aplikuar për këtë tender. Disa nga to kanë aplikuar vetëm për një pjesë e disa për të trijat.
Tashmë është caktuar edhe komisioni vlerësues për këtë tender. Ndërkohë, kompania “Bageri” është në garë për të fituar tender edhe tek projekti i ri i cili po ashtu është në fazë të vlerësimit “Mirëmbajta verore dhe dimërore e rrugëve nacionale dhe rajonale 2022 -2023, 2023-2024, 2024 -2025”. /PERISKOPI/














