AGK për sjelljen e ulët të Sveçlës ndaj gazetares së Periskopit: Joprofesionale dhe linçuese – gazetarët mund të pyesin çkado

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër për sjelljen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndaj gazetares së Periskopit, Besarta Hoti, e cila teksa i shtronte një pyetje në interes publik, ia ktheu ‘’mos flisni budallallëqe’’. AGK vlerëson se gjuha e tillë nxit linçim ndaj gazetarëve, ndërkohë që e drejta e tyre […]
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ashpër për sjelljen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ndaj gazetares së Periskopit, Besarta Hoti, e cila teksa i shtronte një pyetje në interes publik, ia ktheu ‘’mos flisni budallallëqe’’.
AGK vlerëson se gjuha e tillë nxit linçim ndaj gazetarëve, ndërkohë që e drejta e tyre është të shtrojnë pyetje në çfarëdo konference.
Ja reagimi i plotë i AGK’së:
AGK-ja dënon sjelljen e ministrit Sveçla ndaj gazetares Besarta Hoti
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në një konferencë shtypi sot i ka quajtur “budallallëqe” pyetjet e gazetares Besarta Hoti, të portalit online “Periskopi”. Sjellja e ministrit Sveçla është joprofesionale për postin që mbanë, dhe ka gjithashtu konotacione seksiste. Gazetarja Hoti e ka pyetur ministrin për punësimin e motrës së tij, në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, në një konferencë shtypi.
Sjellja e ministrit ka nxitur një varg reagimesh linçuese online që e kanë targetuar gazetaren. AGK-ja konsideron se gazetarët janë të lirë të pyesin çdo lloj pyetje në interes publik, pavarësisht temës qendrore të konferencës. Për më tepër, MPB-ja sikurse ministri të tjera të qeverisë nuk kthejnë përgjigje shumicën e kohës në pyetjet e mediave.












