Ajo që ndodhi pas ndërrimit të gjinisë nga Blert Morina është tepër e çuditshme

Ajo që ndodhi pas ndërrimit të gjinisë nga Blert Morina është tepër e çuditshme

Heshtja e konservatorëve që ekspozon trajtimin e vlerave liberale si mallra të importuara konsumi. 

Para do ditësh, Gjykata Themelore në Prishtinë detyroi Agjencinë e Regjistrimit Civil që t’i ndërronte gjininë dhe emrin një qytetari duke respektuar kësisoj zgjedhjen e tij. Blerta zgjodhi të bëhej burrë dhe po ashtu zgjodhi që të mashkullorizonte emrin në Blert. Ky ishte një vendim i drejtë që promovon liritë dhe të drejtat e njeriut duke e mbivendosur zgjedhjen individuale mbi individualen ndaj zgjedhjes komunitare mbi individualen. Komuniteti mund të zgjedh për çështje komunitare, por ai nuk mund të zgjedh për çështje individuale.

Por, ajo çka ndodhi në ditët që e pasuan vendimin e gjykatës është shumë e çuditshme. Të gjitha grupet konservatore në vendin tonë, që natyrisht se nuk pajtohen me vendimin, thjesht zgjodhën të heshtnin. Asnjë fjalë të vetme nuk e tha Bashkësia Islame e Kosovës [BIK] e asnjë fjalë nuk doli as nga Ipeshkvia e Kosovës. Për më tepër, edhe pjesa konservatore e shoqërisë thjesht zgjodhi të mos fliste publikisht.

Megjithatë, heshtja nuk ishte thjesht mjet dorëzimi e ilustrim i shtypjes së dijeve e vlerave të tyre [por, mos të keqkuptohem, ishte edhe kjo]. Kishim të bënim me një heshtje hileqare e cila do të materializohet madje edhe politikisht brenda pak vitesh. Asnjë shoqëri nuk mund t’i ndërrojë vlerat e saj brenda natës dhe kjo është plotësisht e kuptueshme. As kjo e jona nuk mund ta bëj një gjë të tillë.

Ishte vetëm një anëtar i PDK-së që reagoi. Ai ndër tjerash tha se “e vërteta natyrore ishte më e rëndësishme se ndjenjat e dikujt.” Pra, me fjalë të tjera z.Anëtar i PDK-së kishte thënë se “gjinia nuk është konstrukt kulturor por konstrukt natyror”. Ai po ashtu potencoi mungesën e reagimit nga institucionet konservatore që i përmenda më lart.

Por, përveç tij nuk patëm absolutisht asnjë reagim tjetër.

Për dallim nga politikani i ri i PDK-së, unë mendoj që gjinia është konstrukt i shoqërisë. Bile, që të jem krejt i ndershëm, bindja ime është edhe se seksi e seksualiteti janë po ashtu konstrukte shoqërore. Dhe se të ndërrosh partinë ka më shumë rëndësi se sa të ndërrosh gjininë.

Pra, jo vetëm që e mbështes plotësisht vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë por kam bindje më radikale se kaq në lidhje me çështjen. E megjithatë, këto bindje janë krejtësisht të parëndësishme në një ambient publik të rrasur thellë në heshtje. Në një sferë publike ku vlerat konsumohen si të ishin mallra.

Adoptimi i vlerave liberale do të duhej që të bëhej përmes një debati të mirëfilltë shoqëror, dhe i cili nuk do t’i linte vend pastaj snobizmave në një anë dhe stigmatizimeve të dyanshme në tjetrën. Debati publik për çështjen do ta thyente heshtjen e do të pamundësonte thellimin e ndarjes kulturore e vlerore mes njerëzve të kësaj shoqërie. Fundja, po flasim për çështje të cilat na preokupojnë për çdo ditë. Secilin prej nesh.

Është fare e qartë se emancipimi brenda shoqërisë tonë ndodh pothuajse njëlloj si shpërndarja e të mirave publike në skemën e prodhimit. Si shpërndarja e rrogave. Shtresat që prapambesin janë kryesisht njerëzit e varfër sepse marrin më pak. Por, pse ndodh një gjë e tillë? Sepse, vlerat emancipuese janë bërë si mallrat e importuara nga jashtë, dmth gjëra materiale e të konsumueshme dhe jo rrjedhojë e debateve publike.

Një konservator i shtresës së varfër kurrë nuk do ta kuptojë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për rastin e Blert Morinës. E ndoshta, as vetë gjykatësit nuk do ta dinë mirëfilli arsyen që qëndron prapa vendimit të tyre. “E morëm këtë vendim sepse kështu na e kërkojnë ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës,” mund të thonë por pa e kuptuar që prapa ligjeve dhe Kushtetutës së vendit fshihet një debat i madh e ende gjallues mbi gjininë, seksin e seksualitetin. E në anën tjetër, gjithë këtë moskuptim mund të mos e kuptojë as një njeri “që e ka mbushur cullën” me vlera liberale sa për t’u dukur.

Ndërsa në njërën anë kemi mungesën e plotë të debatit që tregon në një anë se sa sipërfaqësisht i njohin vlerat që i mbështesin vetë liberalët, në tjetrën kemi hapërdarje të llafeve në skuta private, si streha e vetme e ngrohtë dhe e sigurt për njerëzit që e mbrojnë tradicionalen. Por, edhe këto skuta private kanë fuqi tepër të madhe dhe iu ngjisin vlera pjesës më të madhe të shoqërisë.

Mos të harrojmë, po flasim për një shoqëri që ka prodhuar të rinj e të reja që masivisht jetojnë nëpër shtëpitë e familjeve të tyre. Dhe jo të gjithë e bëjnë këtë gjë shkaku i kushteve ekonomike.

Duke qenë të trajtuara thjesht si mallra të importuara, natyrisht që vlerat liberale kanë rëndësi të madhe edhe në strukturën sociale në përgjithësi. Por, më e rëndësishmja, duke qenë të konsideruara thjesht si mallra të importuara ato mbesin krejtësisht jashtë debatit publik me qasjen “merre, ose lëre” Domethënë, “bleje ose mos e blejë.” Nëse nuk e blen, mund të shpërfillesh e stigmatizohesh.

Konservatorët në sferën publike janë krejtësisht të përzënë. Ne mund të mos pajtohemi me ta, por nuk duhet t’i asimilojmë si pozicion [vendi social në skemën ekonomike] e si mendim. Pse, mund të pyes dikush? Sepse kjo është një qasje thellësisht jotolerante e dogmatike që për më tepër është e dëshmuar si jostrategjike. Edhe vendet më të zhvilluara perëndimore po përballen me një “kryengritje” të jashtëzakonshme të kultivuesve të vlerave seksiste, raciste, homofobike e në përgjithësi tradicionale, duke qenë se ishin shtypur për shumë e shumë kohë [Judith Butler e thotë një gjë të tillë, një ditë pas fitores së Donald Trump në garën presidenciale kundër Hillary Clinton në nëntor të 2016-s].

Njerëzit që besojnë në vlerat tradicionale ekzistojnë. Ata duhet të pranohen brenda sferës publike. Ndryshja, shtypja e tyre do të kthehet një ditë si shtypëse për të rrënuar çdo përparim të bërë deri tash.

Shpërndaje në: