Aktakuzë për korrupsion ndaj 10 personave: Kush janë ata dhe për cilin tender po dyshohen, Periskopi sjell detaje

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave zyrtarë të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në mesin e tyre ish sekretari i ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, ish menaxherja e prokurimit, Valmira Bllaca dhe ish zëvendësministri, Muhamet Gashi. Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se të njëjtit “në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën […]
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se të njëjtit “në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe, me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dhjetë (10) të pandehurve me inicialet B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G.
Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit e lartëcekur në cilësinë e personave zyrtar, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, si dhe, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, me dashje vepruan në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, Ligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2019, Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe, me aktet tjera ligjore dhe nën ligjore.
Me këto veprime të pandehurit B.R. V.B. Z.A. J.A. E.M. B.D. N.P. G.M. I.B dhe M.G. në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, sanksionuar nga neni 414 paragrafin 2, lidhur 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, e pandehura V.B. akuzohet edhe për veprën penale ‘’Falsifikimi i dokumentit zyrtar’’, nga neni 427 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Mësohet se aktakuza është ngritur nga prokurori i Speciales, Dren Paca, dhe personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë janë:
Izedin Bytyqi, ish sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës, Muhamet Gashi, ish zv.ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Hoti, Betim Reçica, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës
Valmira Bllaca, ish u.d e drejtoreshës së Divizonit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës,
Zymer Abdullahu, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës;
Jetmir Alaj, zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës;
Blerim Dina, ish-kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurorimit Publik
Goran Bilenkoviç, ish-anëtar i bordit të OSHP-së;
Nuhi Paçarizi, ish-anëtar i bordit të OSHP-së.
Periskopi ka arritur të mësoj se bëhet fjalë për tenderin “Rikonstruimi i rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë” peshon 14. milionë e 493 mijë euro.
Tenderi ishte iniciuar në kohën kur më këtë ministri udhëhiqte AAK, konkretisht Pal Lekaj, por ishte nënshkruar pas rënjes së kësaj qeverie, e që më pas me këtë dikaster udhëhiqte ministri i LDK-së, Arban Abrashi.
Si ka rrjedhur procesi
Fillimisht, në tetor të vitit 2019, ministria kishte shpallur fituesit e tenderit për pjesën e parë “Company Eskavatori” Shpk & “Pro&Co Group” Shpk & “Best Company” dhe për pjesën e dytë “Papenburg & Adriani”.
Pas shpalljes së rezultatit nga komisioni i vlerësimit, tek autoriteti kontraktues qenë ankuar shtatë kompani, duke pretenduar se janë eliminuar në kundërshtim me LPP-në dhe kërkesat e dosjes së tenderit dhe duke pretenduar se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i kanë përmbushur kriteret, as teknike e as me ofertën më të lirë. Më pas, ministria kishte formuar komisionin vlerësues për rishqyrtimin e pretendimeve të kompanive. Pas rishqyrtimit të ankesave, ministria kishte hedhur poshtë ankesat e të gjitha kompanive dhe kishte lënë në fuqi vendimin e vetë për dhënie të kontratës. Më pas, kompanitë qenë ankuar në OSHP. Paneli i OSHP-së kishte vërtetuar se tenderi nuk është vlerësuar konform ligjit dhe kishte rekomanduar ministrinë MIA-në që ta kthejë në rivlerësim përsëri. OSHP-ja vërtetoi se për këtë prokurim ka ofertë më të lirë të përgjegjshme, duke aluduar në ofertën e kompanisë “Sallahu” për lot 2, e cila ishte më e lirë se oferta fituese për 749,621.40 euro. Por, në rivlerësim OSHP-ja urdhëroi që të kthente dhe pjesa e parë e tenderit, pasi edhe aty kishte shkelje.
Por, pas rivlerësimit qenë shpallur fitues përsëri kompanitë e njëjta. Tek autoriteti kontraktues u ankuan vetëm dy operatorë, konzerciumi “Sa-Sallahu & Groma Hold”, dhe “2A Group &2T”. Përsëri, ministria e kishte formuar një komision vlerësues për të shoshitur pretendimet ankimore. Ofertën e 2A Group &2T” përsëri e kishte hedhur poshtë duke e vlerësuar si të papërgjegjshme. Ndërsa, për ofertën e “Sa-Sallahu” kishte thënë se ishte ofertë e jashtafatshme e ngarkuar me pretendime në KRPP, dhe nuk e mori në konsideratë.
Këto dy kompani përsëri u ankuan në OSHP. Ky institucion e autorizoi ekspertin e vetë për shoshitjen e provave. Eksperti e përpiloi raportin ku rekomandoi që lënda përsëri të kthehet në rivlerësim, ngase sipas tij, ministria e kishte shkelur ligjin kur kishte shpallur operatorët ekonomikë si të përgjegjshëm, ndërsa ofertën e kompanisë “Sa Sallahu” e kishte konsideruar si të afatshme. Periskopi mëson se KRPP-ja kishte dhënë një përgjigje në këtë çështje, ku kishte thënë se ankesa me pretendime ishte ngarkuar në e-prokurim brenda afatit ligjor.
Megjithëkëtë, Paneli Shqyrtues kishte vendosur që të mblidhet në kohën kur ishin masat e rrepta të pandemisë, dhe më 18 mars kishte lëshuar vendim ku rekomandonte që të vazhdohet me nënshkrimin e kontratës me operatorët ekonomik që i rekomandonte ministria.
Kjo lojë kishte zgjatur kështu për disa muaj, derisa në pushtet kishte ardhur LDK-ja.
Ish-ministri Lumir Abdixhiku e kishte gjetur tenderin mbi tavolinë, për të cilin ish menaxherja e prokurimit, Valmira Bllaca kërkonte që të nënshkruhej, meqë kishte dritën jeshile nga OSHP-ja. Por, Abdixhiku kishte hezituar ta nënshkruajë kontratën, pasi kishte një vendim të KRPP-së, që vërtetonte të kundërtën e OSHP-së. Pas prishjes së kualicionit LVV-LDK, pushteti i takonte LDK-së në kualicion me AAK-në dhe në krye të ministrisë kishte ardhur, Arban Abrashi. Tenderin e gjeti mbi tavolinë vetëm për nënshkrim. Nënshkrimin mbi të e kishte hedhur zëvendësi tij, Muhamet Gashi, pasi Abrashi ishte në Amerikë.
Tash sipas aktakuzës së prokurorisë, shihet se tenderi është lidhur në mënyrë të kundërligjshëm, pasi kompanitë nuk i kishin plotësuar kushtet për kontratë. Në akuzë shihet se edhe Paneli i OSHP-së ka marr vendim të kundërligjshëm, kur i ka dhënë të drejtë ministrisë për lidhjen e kontratave.
Keq menaxhim edhe në zbatimin e kontratës
Për t’u finalizuar në plotni një kontratë publike duhen të kalohet në disa hapa, dhe secili prej tyre e ka gjasën e rrezikut, pasi ka mundësi të keqpërdorimeve, nëse nuk ka një mbikëqyrje rigoroze. Njëra prej tyre është edhe ekzekutimi i kontratës në terren. Shpeshherë kompanitë abuzojnë më ndërtimet e infrastrukturës, duke vendosur produkte në rrugë të cilat nuk janë kontraktuar me çmimin e ofertës, por shumë më të lira, ose duke mos vendosur fare produktet e kontraktuara, te cilat më pas edhe paguhen. Kjo ndodhë për shkak se kompanitë ofertojnë më çmime shumë të lira, vetëm që arrijnë të lidhin një kontratë. Periskopi në vitin e kaluar ka zbuluar se kështu ka ndodhur pikërisht në zbatimin e kësaj kontrate.
Periskopi ka raportuar se as asfalti e as muri mbrojtës nuk janë punuar ashtu siç janë marrë vesh me letra Ministria e Infrastrukturës dhe kompanitë lidhur më rrugën “Rikonstruimi i rrugës Regjionale R115 Segmenti (Prizren-Prevallë).
Periskopi kishte dalë në teren në vitin e kaluar dhe kishte gjetur se produktet që po vendoseshin në atë rrugë, nuk janë të njëjta me ato që figurojnë në kontratë, bile disa pozicione nuk janë vendosur fare.
Pra, me datën 3.09. 2020 janë nënshkruar dy kontratat për rrugën regjionale Prizren -Prevallë, të cilat kapin vlerën prej rreth 14.5 milionë euro.
Pjesa e parë e kontratës -Lot 1 u ishte dhënë ”Companya Eskavatori Shpk & Pro Co Group Shpk & Best Company Shpk. Vlera e kontratës është 7, 849, 716.18 euro.
Lot 2 është lidhur më kompanitë ”K.N.P.SH Papenburg & Adriani Company Shpk. Vlera e kontratës është 6, 643, 867. 79 euro.
Brenda dy kontratave është edhe rubrika e paramasës dhe parallogarisë, ku janë të specifikuara (pozicionet) të gjitha punët që do të kryhen, si pastrimi i terrenit, konstruksioni i rrugës, punët tokësore, muret e betonit, sinjalizmi, etj. Janë rreth 80 pozicione që duhet të punohen dhe secili prej tyre e ka vlerën e vetë. Pra, për secilin artikull (pozicion) është e vendosur sasia që do të ekzekutohet, çmimi për njësi për m2 ose m3, dhe vlera e kompletë artikullit.Tek lot -1, ku janë kryer ndërtimet, kompanitë “Companya Eskavatori Shpk & Pro Co Group Shpk & Best Company Shpk, Periskopi ka evidentuar këto të gjetura:
Pra, sipas paramasës dhe parallogarisë , sa i përket pozicioneve :
Tek pozicioni “1.3.1 Germimi i dheut i kategorisë së III dhe IV të konstruksionit të rrugës, me ngarkim dhe bartje deri në deponi ne largësi min 14km”. Në këtë pozicion nuk është bërë fare gërmimi në konstruksionin e rrugës sikurse kërkohet.
Pastaj tek pozicioni “1.3.2- Gërmimi i dheut i kategorisë së V-VII-të, të konstruksionit te rrugës me ngarkim dhe bartje deri në deponi në largësi min 14km”. Edhe këtu nuk është bere fare gërmimi në konstruksionin e rrugës sikurse kërkohet .
Më shumë detaje për pozicionet:
“1.4.2 ,Furnizimi, transporti dhe shtrirja e shtresës së poshtme të zhavorit për stabilizim të rrugës, fraksion >63,0 mm në pjesën e aksit kryesor sipas situacionit dhe sipas profileve tërthore me shtresa me trashësi d,min=50 cm sipas profileve tërthore, duke e përfshirë edhe ngjeshjen me cilindër vibrues 25t deri në masë densiteti të kërkuar sipas normave dhe standardeve në fuqi për këtë lloj pune (≥80 MN/m²)”. Sasia e kontraktuar 7, 893.30 m3. Çmimi për njësi 10 euro për m2. Totali 78, 933.00 euro.
“1.4.3 Furnizimi, bartja, shtrirja dhe ngjeshja e tamponit (≥80MN/m²) prej gurit të thyer gëlqeror 0-63mm me trashësi t=25cm,duke e përfshire edhe ngjeshjen me cilindër vibrues 25t deri në masë densiteti të kërkuar sipas normave dhe standardeve në fuqi për këtë lloj pune”. Sasia e kontraktuar 19, 210.50 m3. Çmimi i njësisë 10 euro. Totali vlerës 192, 105, 00 euro.
“1.4.4 Furnizimi, bartja, shtrirja dhe ngjeshja e tamponit (≥100MN/m²) prej gurit të thyer gëlqeror 0-31,5mm me trashësi t=15cm, duke e perfshirë edhe ngjeshjen me cilindër vibrues 25t deri në masë densiteti të kërkuar sipas normave dhe standardeve në fuqi për këtë lloj pune”. Sasia e kontraktuar 11, 144.40 m3. Çmimi për njësi 10 euro. Vlera totale 111, 444.00 euro.
“1.4.6 Furnizimi dhe punimi i shtresës së bitoagregatit BA 22 mm me trashësi t=7cm,si dhe përdorimi i aditivit me përforcues të asfaltit me përbërje të fibrave të Aramidit dhe Polyolefineve(ngjajshëm sikurse FORTA FI) ose materiale të tjera me përbërje dhe karakteristika të njëjta (500gr/1 ton asfalt) .Sasia e llog.në gjendje të ngjeshur”. Sasia e kontraktuar 54, 058. 55 m2. Çmimi për njësi 7.50 euro. Totali i vlerës 405, 439. 13 euro.
Asnjëra prej katër këtyre pozicioneve, të cilat siç shihet kanë një çmim shumë të lartë, nuk janë duke u realizuar në terren, por ishte bërë vetëm gërryerja e asfaltit ekzistues, nga ku ishte bërë vetëm punim i shtresës se asfaltbetonit me trashësi 4cm ( Pra, është duke u realizuar vetëm pozicioni nr. “1.4.7 Furnizimi, spërkatja me emulzion, punimi i shtresës së asfaltbetonit (me material eruptiv) AB 11S mm me trashësi t=4cm, si dhe përdorimi i aditivit me përforcues të asfaltit me përbërje të fibrave të Aramidit dhe Polyolefineve( ngjashëm sikurse FORTA FI) ose materiale të tjera me përbërje dhe karakteristika të njëjta (500gr/1 ton asfalt) me trashësi t= 4cm, me spërkatjen me emulsion 0.5/kg/m2 të sipërfaqes së bitoagregatit. Sasia e llog.në gjendje të ngjeshur”.
Sasia e kontraktuar e këtij pozicioni është 54, 058.55 m2, ku çmimi i njësisë është 5 euro, që në total i bije 270, 292. 75 euro.
Ndërsa, tek pozicioni “2.4.1 (Furnizimi me material dhe punimi i murit mbajtës me geocell Neoloy (ose të ngjajshme). Në pozicion përfshihen te gjitha materialet e nevojshme për kompletimin e murit sipas detaleve të dhëna. Materiali mbushës i mureve të jetë me këto specifika (Kohezion c=0.0, pesha vëllimore γ = 20.0 kN/m3 dhe Φ= 300)”, nuk është duke u vendosur material sikurse është i kërkuar në paramasë, por me kualitet më të ulët, gjë e cila e shihni edhe në foto.
Periskopi ka mësuar se lidhur më mos realizmin e këtyre pozicioneve, zyrtarët e ministrisë kanë bërë edhe një raport detal, ku të gjeturat i ka konstatuar laboratori i tyre. /Periskopi -Mentor Buzhala/












