‘Alarm për Albin Kurtin’: Aktivisti i devotshëm i VV’së që iu mohua kandidatura tregon si do veprojë pas vendimit

‘Alarm për Albin Kurtin’: Aktivisti i devotshëm i VV’së që iu mohua kandidatura  tregon si do veprojë pas vendimit

Ramadan Beshiri, aktivist i devotshëm i Lëvizjes Vetëvendosje nga Mitrovica nuk është certifikuar për të qenë kandidat për kryetar të degës së partisë në këtë komunë. Ai dje shprehu pakënaqësitë e tij dhe hodhi akuza drejt udhëheqësisë. Beshiri përmes një interviste për Periskopin tregon se si në gaarë ka favorizime, duke etiketuar Sekretariatin e Përgjithshëm.

Beshiri tutje thekson se kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti do të duhej të alarmohet nga kjo gjendje, duke marrë për bazë edhe rastet e tjera të mohimit të kandidaturave të aktivistëve të caktuar nëpër Kosovë.

Beshiri ka folur po ashtu se çka do të ndodh tutje pas vendimit, siç e quan skandaloz ndaj tij.

 

Intervista e plotë:

Periskopi: Kandidatura juaj për degën në Mitrovicë nuk u certifikua. Ndonëse ju përmes një letre keni shkruar gjatë për këtë vendim, duke theksuar ‘tradhtinë’, ‘cinizmin’ etj. Pse ndodhi kështu. Fajet janë në nivelin lokal apo qendror?

Ramadan Beshiri: Siç  e keni parë, jam eliminuar nga e drejta legjitime për të qenë pjesë e garës për të parin e LVV-së – Qendra në Mitrovicë. Pa dashur të etiketoj fajtorët, mendoj se është politikë e gabuar e SP-së (Sekretariatit të Përgjithshëm) si organ me ndikim krucial në vendimet e subjektit tonë politike. Pastaj individët që kanë fituar autoritet nga zgjedhjet e fundit qendrore me shifra të larta si rezultat i momentumit, dhe jo angazhimit disa vjeçar siç kemi ne. Kanë pasur rol tejet negativ në mosnjohjen e meritave të burrave e grave që pretendonin të ishin pjesë e garës, dmth jo fitues e favorizues por as pjesë e garës nuk i’u është mundësuar të jenë. Kjo flet shumë fatkeqësisht për demokracinë e brishtë.

Periskopi: Nuk është rasti i vetëm që mohohet kandidatura. Këto ditë pamë edhe raste të tjera nëpër degë të Vetëvendosjes… A është arsye për shqetësim në mesin e aktivistëve të devotshëm të Lëvizjes?

Ramadan Beshiri: Kam përcjellur me shqetësim rastet e padrejtësive në adresën e aktivistëve më të devotshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, jo që është shqetësim por alarm për Kryetarin Kurti, asesi nuk po mundem ta perceptoj gabimin i cili po ndodh në këto ditë. Kurrizi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë aktivistet e ditëve të vështira, mirënjohja e hapësira e fushëveprimit për të tillët është borxh e amanet i brezave që kontribuan për demokraci të mirëfilltë në Republiken e Kosovës. Bashkëndjej me secilin shok e shoqe të idealit, sepse qëllimet tona ishin tejet fisnike. Gabime tona na adresohen ne si individ, por rrugëtimi i Kosovës është tejet i rëndësishëm. Atdheu është mbi ne, subjekti është mjet për t’i shërbyer vendit dhe çfarë kuadro e zyrtarë po i jep organeve lokale tregon mënyrën e politikbërjes në vitet në vazhdim.

Periskopi: Si e vlerësoni në përgjithësi punën e Vetëvendosjes që nga ardhja në pushtet. A vazhdoni të keni besimin dhe bindjet e njëjta për këtë parti?

Ramadan Beshiri: Jemi të kënaqur me përfaqësim, për pjesën tjetër do t’i japim kohë në mënyrë që të kemi analizën e saktë të gjykimit. Republika e Kosovës nuk është në ditët e saj më të mira, po çalon në shumë aspekte. Por atdhe tjetër rezervë nuk kemi.

Periskopi: A keni plane për largim nga partia pas atij vendimi apo cilat do jenë veprimet tuaja?

Ramadan Beshiri: Lëvizja VETËVENDOSJE! është pronë e popullit, sepse është koncept politik i cili lindi dhe u rritë me popullin si faktor kyç. Ne do ndjekim këshillat e qytetarit, aktivistit, votuesit tradicional dhe do mbesim faktor në jetën publike në qytetin e Mitrovicës. Synoj që të mbetem në memorien kolektive si qytetar i cili ka arritur ta arsyetoj qëllimin e krijimit me shërbim ndaj qytetit, komunitetit, vendit tim. Forma e rruga varet nga reflektimi që do të përcjellim pas këtij vendimi skandaloz.

 

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

Shpërndaje në: