“Albini zemra e Kosovës”, mësuesja e ashpër me Rrahman Jasharajn – mbështetëse e flaktë e Kurtit

Mësuesja e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë, Refiqe Hamiti i është kthyer ashpër sot kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ajo mes tjerash është shprehur se “nuk të kam në qejf hiç”. Mësuesja që e pranoi se nuk e ka në qejf Jasharajn po del të jetë mbështetëse e flaktë e Albin Kurtit, shkruan Insajderi. […]
Kjo vërehet edhe përmes një shkrimi që e mësuesja Refiqe ka bërë në llogarinë e saj në Facebook derisa ka shpërndarë një konferencë të Kurtit me mbishkrimin “Ky është Albin Kurti kryeministri, zemra e Kosovës!”. Ndonëse mësuese shihet se gjuhësisht nuk është shkruar mirë as kjo fjali.
Por çka i tha mësuesja sot Jasharajt?
Ajo ka kërkuar që Jasharaj të tregohet më ‘patriotë’ dhe t’i kthejë mësuesit nëpër shkolla.
Mes tjerash ajo i tha Jasharajt që “Hiç nuk të kam në qejf” por që po kërkon nga ai t’ua kthejë siç u shpreh ajo dinjitetin.
“Unë jam mësuesja Refiqe Hamiti, me përvojë pune 30 vjet në arsim. Kam kalu sfida të ndryshme. Atë çka po du me thënë po e them me tri konceptime, në qoftë se ke humbur para ke humbur pak, në qoftë se ke humbur shëndetin ke humbur shumë, në qoftë se ke humb dritën, arsimimin e një gjenerate ke humbur të gjitha. Ne me këtë 1 shtatorin jemi duke humbur dritën dhe arsimin e gjeneratës të cilën ne jemi të dedikuar, të punësuar, të thirrur me mbajë mësimin. Po ju dëgjojmë edhe pse unë vet kam qenë kundër kësaj greve dhe pse unë më vjen keq që më duhet me shpreh por po du me ta shprehë në prezencë, hiç nuk të kam qejf por po të respektojë. Po ta respektojë moshën, dinjitetin, dhe kam ngritë zërin për njollosjen kombëtare që tu ka bërë”, tha mësuesja.













