Bahtiri intervistë Periskopit: Për momentin s’ka më të denjë se Vjosa, ishalla ka në të ardhmen

Bahtiri intervistë Periskopit: Për momentin s’ka më të denjë se Vjosa, ishalla ka në të ardhmen

Kryetari i komunës së Mitrovicës nga radhët e Vetëvendosjes, Agim Bahtiri në një intervistë për Periskopin i është përgjigjur deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq pas paralajmërimit që bëri për ndërtimin e kazermës më të madhe të FSK’së në atë qytet.

Bahtiri ka folur edhe gjendjen dhe raportet me veriun e Kosovës, votimin e presidentit dhe denjshmërinë apo të jo të Vjosa Osmanit për këtë post.

Ndër të tjerash, kryetari i Mitrovicës tregon nëse do ri-kandidojë në zgjedhjet lokale të tetorit.

 

Lexojeni intervistën e plotë:

Periskopi: Ju keni deklaruar se në Mitrovicë do të ndërtohet kazerma më e madhe e FSK’së, për çka erdhi një reagim nga presidenti serb, Vuçiq kinse është provokim. Si e komentoni?

Agim Bahtiri: Unë s’e kam pa atë deklaratë dhe çka ka pasë ai me thënë por ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Komuna e Mitrovicës e ka pronën e vet dhe institucionet e veta dhe kërkesa e ministrisë së Mbrojtjes për parcelat të cilat kanë dëshirë t’i kenë për të bërë investime në atë pjesë. Unë e kam qitë në Kuvendin e Mitrovicës dhe është miratuar me të gjitha votat. Kryetari i Serbisë le t’i shikon punët e veta në shtetin e vet dhe jo në Kosovë dhe ai nuk mundet kurrë në jetë me ndërhy në komunën e Mitrovicës për vendimet që i merr komuna jonë.

Periskopi: Si i shihni këto provokimet e vazhdueshme që i bën ai?

Agim Bahtiri: Këto provokime vijnë prej Serbisë jo prej neve. Ne do të bëjmë një bazë atje për FSK’në dhe kjo është në të mirë të të gjithë qytetarëve pavarësisht nacionalitetit, por ndërhyrje të tilla nuk do të bëhen asnjëherë.Sa i përket frikës, nuk e di kush ka frikë këtu. Ne do të mundohemi maksimalisht të bashkëpuojmë me ta dhe në raste të veçanta t’i mbrojnë ata prej çdo kërcënimi që mundet me ju ardhë prej shteteve tjera. Por ne dëshirojmë mirëkuptim, fqinjësi të mirë. Por unë asnjëherë nuk do ta ves Serbinë për punët që do t’i kryejmë brenda Kosovës.

Periskopi: Jemi në prag të votimit të presidentit. A keni ndonjë informacion se kur do të mbahet seanca ose a i ka Vetëvendosje votat për presidentin?

Agim Bahtiri: Ajo është çështje e Kuvendit të Kosovës. Por unë personalisht them që është e drejtë e secilit deputet me votu sipas mendjes së shëndoshë të tyre. Por ta dijnë se asnjëherë në Kuvend të Kosovës nuk ka ardhë të votohet një presidente me mbi 300 mijë vota dhe mendoj që është legjitime edhe nga qyetetarët por edhe na ata, se i kanë zgjedhë qytetarët. Mendoj se duhet punuar pa dallim, ai është deputet dhe nuk duhet të jetë i partive politike, por i Republikës së Kosovës dhe duhet marrë vendime në të mirë të vendit.

Periskopi: A e shihni Vjosa Osmanin të denjë për presidente?

Agim Bahtiri: Deri më tani nuk ka pasë dhe po shpresoj që nuk do të ketë, e ishalla të ketë në të ardhmen, por për momentin nuk ka më të denjë se sa Osmani. I njeh rrethanat gjitha, është e pjekur politikisht, guximtare dhe e drejtë. Unë e dua atë për arsye se ajo e ka qëndrimin e vet, vizionin e vet, pavarësisht partive politike. Ashtu duhet me pasë një president, jo partiak por njeri i cili është i devotshëm për gjithë qytetarët.

Periskopi: A do të duhej që partitë opozitare të qëndrojnë në sallë në momentin kur të votohet presidenti?

Agim Bahtiri: Unë i bëj apel të gjithë deputetëve, pavarësisht se cilës parti politike i takojnë, që të votojnë t’i formojnë institucionet dhe të fillojnë me punë sepse kemi jashtëzakonisht punë dhe probleme të tjera të cilat na presin dhe nuk e ka luksin Kosova që të shkojë në zgjedhje çdo tre muaj e çdo 1 vjet.

Periskopi: Sipas jush, a rrezikohet që Kosova të shkojë në zgjedhje sërish?

Agim Bahtiri: Unë mendoj se VV e ka të vetmin opsion i cili është kjo e Vjosa Osmanit. Ne ju kemi drejtuar popullit me kryeministër dhe kryetar të shtetit dhe nuk mund të marrim vendime jashtë vullnetit të popullit.

Periskopi: Tash në tetor kemi zgjedhjet lokale. A do të rikandidoni për kryetar të Mitrovicës?

Agim Bahtiri: Po do të kandidohem për kryetar dhe do të jem kryetar i Mitrovicës. 100 për qind. Me rundin e parë do të fitoj 65 për qind.

Intervistoi: K.Misini

Shpërndaje në: