Besëlashtët – Ringjallja e Paganizmit mes shqiptarëve

Periskopi.com Lajme

Ata e quajnë veten besëlashtë. Një neologjizëm për besimin e tyre pagan, i lindur në ato kohë të lashta, ku në vend të religjioneve monoteiste, njerëzimi hyjnizonte diell e hënë e një sërë zotash që besimet abrahamike u rrekën të zhduknin, duke zënë vend në panteonët e tyre.

Nuk janë thjesht një faqe Facebook-u që mbledh dhe ofron informacion për afro katër mijë ndjekësit rreth traditave e kulteve që shkojnë pas në Iliri e deri tek pellazgët.“Ne jemi bashkësi fetare dhe funksionojmë si të tillë, anipse jemi në fazat fillestare të veprimtarisë ndaj nuk mund të bëjmë krahasime me komunitetet tjera fetare tashmë të konsoliduara”, përgjigjet për Gazeta Si, Genc Kastrati një përfaqësues i Bashkësisë Besëlashtë, e cila e artikulon veten si një lëvizje fetare, që ka për synim ringjalljen e religjionit dhe spiritualitetit pellazgjik.

Si një bashkësi fetare, nuk i kanë krejt të ndryshme rrugët nga ato që predikojnë monoteizmin në përhapjen e dogmës së tyre. Thonë se e kanë bërë duke shpërndarë literaturë fetare, broshura të shtypura prej tyre ku bëjnë me dije kredon dhe ofrojnë informacion – të bazuar në studime, kërkime e botime shkencore nga arkeologë, antropologë, historianë e etnografë ku mbështesin bindjen se shqiptarët e sotëm, si ilirët e hershëm e pellazgët e lashtë i përkasin Paganizmit apo siç e quajnë ata Fesë Besëlashtë.

Genc Kastrati nga Bashkësia Besëlashtë

“Kemi pasur veprimtari në terren kryesisht kremte pagane dhe shpërndarje të literaturës fetare, por vetëm nga viti 2017 kemi filluar me një dokumentim më të mirë me fotografi”, rrëfen më tej Kastrati, duke zbuluar se ka edhe grupe të tjerë që mbajnë kremtet fetare, “por ne mendojmë se jemi të vetmit, që kemi besim të mirëfilltë dhe misticizëm të plotë”.

Qendra e tyre është Prishtina, por Kastrati thotë se miq me të cilët ndajnë të njëjtën kredo kanë edhe në Tiranë. Megjithë përpjekjet për të ringjallur Paganizmin, si feja themeltare e qytetërimit të këtyre trojeve, por edhe më përtej, Kastrati thotë se nuk ka interesim edhe aq të madh tek popullsia e gjerë “pasi trashëgimitë kulturore janë kryesisht të huaja, dhe ushqejnë antipati për atë që është vendore”.

Situata thotë ai nuk është edhe aq e ndryshme me vendet e tjera të Europës, ku po përjetohet një ringjallje e Paganizmit, ama numrat e ithtarëve janë të pamjaftueshëm.  “Ne besojmë në politeizëm, që do të thotë në shumë hyjni, që dallojnë mes vete nga funksionet dhe fryma që mbartin”, pohon Kastrati, ndërsa ishtarët e bashkësisë ku ai bën pjesë e quajnë veten besëlashtë, me një nuancë të fortë amtare që në kontrast me fetë e tjera që praktikohen në Europë, ku ithtarët emërtohen në gjuhë greke si të krishterët apo perse e arabe si myslimanët apo bektashinjtë.

Zotat që adhurojnë besëlashtët janë Zeusi apo Zisi- një tjetër formë e shprehur e hyjnisë së qiellit, shiut e rrufeve. Pastaj është Vidasi, me brirë të cjapit është hyjni e pjellorisë e gjelbërimit, e kopshteve etj., një hyj i ngjashëm me Panin e mitologjisë greke. Thana, është hyjnia që shoqëron Vidasin dhe shumë e shumë zota të tjerë.

Sipas studiuesit Aleksandër Stipqeviç, në librin “Ilirët”, botuar më 1967-n, janë arritur të identifikohen emrat e tridhjetë hyjnive ilire. Me sa duket, tek ilirët nuk ishte vetëm një panteon unik, por çdo perëndi adhurohej prej një fisi të posaçëm, ose prej një treve të caktuar. Sipas Stipqeviçit, Vidasusi ishte zoti suprem i lirëve dhe atij i janë kushtuar disa vende të shenjta, një prej të cilave është shpella në Moçiq, në afërsi të Dubrovnikut të vjetër.

E ardhmja duhet ta gjejë vendin me faltore ilire, altarë kushtuar hyjnive ilire, përmendore të heronjve të lashtë shkruajnë në broshurën fetare besëlashtët që synojnë ta përhapin fenë e tyre tek çdo shqiptar brenda e jashtë atdheut, besojnë e shpresojnë besëlashtët.

Broshura e tyre fetare, titullohet “Buzmi” dhe botimi i parë daton më 2015-n, në Festën e Buzmit, e cila kremtohet edhe sot në Malësi. Fletushka me përmbajtje fetare nga sfera iliro-shqiptare, botohet periodikisht çdo muaj pagan, që është jo 30 por 45 ditë. Ata kanë edhe kalendarin e tyre që ndahet në tetë muaj- Pranverë, Qershor, Korrik, Djegagur, Vjeshtë, Dimnor, Bryms, Ngrijs. Duke iu referuar studimeve të albanologut Robert Elsie, besëlashtët i kthehen Buzmit, që për ta është përtej një zakoni apo riti popullor. Buzmi, që përkon me Lindjen e Krishtit nis më 22dhjetor që është edhe nata më e gjatë e vitit. Më 23 besimtarët agjërojnë, më 24 është nata e Buzmit dhe 25 dhjetori kremtohet si Dita e Buzmit.

Natën e buzmit, domethënë natën e Kërshëndellave, një anëtar i familjes, i quajtur buzmar, del në oborr dhe thërret emrin e të zotit të shtëpisë, duke thënë. “Po vjen buzmi, me bukë, me djathë, me të gjitha të mirat!” Atëherë i zoti i shtëpisë thotë, “Mirësevjen!” Druri a kërcuri ritual i buzmit sillet në shtëpi me ceremoni nga buzmari, që e mban në shpinë, dhe përshëndetet nga e gjithë familja. Trajtohet me nderim të madh dhe të gjithë i thonë buzmi bujar, si të ishte mysafir i shquar. Në këtë kërcu buzmi , vihet një vakt i plotë haje e pije në shenjë mikpritjeje për mysafirin e nderuar e pastaj ai ndizet për t’u djegur në shenjë flijimi. Pasi ndizet, djegia duhet të zgjasë gjithë natën e natës. Kur kjo mbaron, hiri merret dhe shpërndahet nëpër ara ose hidhet rrëzë pemëve frutore, në mënyrë që viti i ardhshëm të ketë prodhim të mbarë.

Nga Buzmi 2020: pamje e zjarrit me dhentë

Në Malësi, zakoni i buzmit të Kërshëndellave mbahej jo vetëm nga familjet katolike, por edhe nga ato myslimane dhe siç e shpejtonte Elsie, pa dyshim që vinte nga ndonjë festë me prejardhje para të krishterë, të lidhur me pritjen, në ditët e solsticit dimëror, të kthimit të pranverës e të ripërtëritjes së natyrës. Në disa vise të Shqipërisë, kërcuri i buzmit ndizet natën e Krishtlindjeve e shuhet, ndizet prapë natën e Vitit të Ri e shuhet, dhe ndizet prapë për herë të tretë për Epifani. Në Rekën e Epërme në Maqedoninë e Veriut zakoni i buzmit i quajtur edhe benik, mbahej më 6 janar si Dita e Benikut, ditë që në besimin e krishterë Ortodoks përkon me Ujin e Bekuar. Në familjet ortodokse të atjeshme, burrat shkonin në pyll para se të lindte dielli dhe rrëzonin një dru të ri ahu Ata që e shihnin drurin duke rënë, do të kishin mbarësi. Të gjithë përpiqeshin kush e kush ta shihte i pari personin që sillte kërcurin e buzmit në fshat. Kërcuri lihej në oborr mbështetur për muri deri në mbrëmje. Kur, në fund e shtinin brenda në shtëpi, bëhej kujdes që ana e prerë e pemës të shihte rrezet e diellit në perëndim e sipër. Kërcuri ndizej vetëm pasi dielli të kishte perënduar.

Buzmi është një nga kremtimet pagane që besëlashtët e kanë risjellë dhe në fotografitë e tyre duket një vakt ushqimi mbi kërcurin e prerë apo buzmin, që i vihet për të ngrënë si të ishte një mysafir.

Mesvera 2019, diku kah mesnata

Mes shqiptarëve ka pasur gjithnjë një përzierje të riteve fetare të krishtera me ato pagane. Për të pasur prodhim të mbarë frutash në stinën e ardhshme, kashta e nxjerrë nga poshtë tryezës së Kërshëndellave prekej me sëpatë. Më pas, i zoti i pemëve frutore e lidhte kashtën rreth trungut të tyre, duke thënë: “Lidhni fryt, ose do t’ju pres me rrënjë!” në mënyrë që pema të mos e lëshonte frytin para kohe. Për Kërshëndella kashtë shpërndahej edhe nëpër ara, në mënyrë që të korrat e ardhshme të vinin të begata. Natën e Krishtlindjes, barinjtë e Bogës agjëronin duke futur në gojë një guriçkë dhe e hiqnin vetëm natën e ardhshme, kur uleshin për të ngrënë darkë.

Sipas një studiuesi tjetër, Mark Tirtës, Ritet e besimet e lashta të Kërshendellave apo Buzmit burojnë nga dëshirat për pjellori e prodhimtari të mbarë gjatë vitit të ardhshëm në bujqësi, blegtori, mirëqenie në familje. Kjo ishte festa më e pasur me rite të karakterit bujqësor e blegtoral në të gjitha festat e vitit.

Ithtarët e Fesë Besëlashtë Mesmoti 2019

Ritet e kësaj feste janë të karakterit pagan, shumë të lashta, pra parakrishtere, sado që së jashtmi na paraqitet si një festë e krishterë. Studiuesi J.G Hahn thotë se klerikët, në kohë të tij dhe më parë, i kanë luftuar me forcë ritet pagane që zhvilloheshin në popullin tonë në lidhje me këtë festë por pa sukses. Ritet e kësaj feste shoqëroheshin me zjarre kolektive në bazë shtëpie farefisnie e lagjeje e kjo, sipas kuptimit të vjetër, për t’i dhënë forcë diellit. Ritet që kishin të bënin me kultin e bimësisë, që shprehnin dëshirën për shtim prodhimi në bujqësi e blegtori, shoqëroheshin me flijime zjarrit, bagëti a shpend, me ndriçime pishash natën, me provim fati, me kërcitje përcje në zjarr për fat apo me monedhë “për fat” në bukë e ushqime të tjera rituale, me përshëndetësin e parë këmbëmbarë, me kolendra e kolendarë, me veprime të ndryshme magjike në bagëti, në ara, në veshtë e pemishte.

Sipas Genc Kastratit, nga Bashkësia Besëlashtë huazimet e riteve pagane nuk gjenden vetëm në fenë e Krishterë apo Islame, pro edhe në Bektashizëm.“Por duhet dalluar huazimet në krishterim dhe bektashizëm nga një anë, ku huazimet janë kanonizuar janë bërë pjesë e besimit edhe zyrtarisht dhe elementet pagane te popullata sunite ku kanë mbijetuar herë-herë edhe janë bashkëdyzuar, por nuk janë bërë asnjëherë pjesë e fesë, dhe sidomos në dy dekadat e fundit janë luftuar në mënyrë aktive nga kleri islamik”, sqaron Kastrati.

Mesdimni 2019, idhulli i Logetës, ngjitja e Logetës nga bota e Poshtme në Botën e Mesme

Bashkësia Besëlashtë i kushton rëndësi kremtimeve të ditëve që ata i quajnë të motmotit, ndërsa të dielave besimtarët mblidhen për të nderuar hyjnitë.Në kredon e pohuar prej tyre se përpiqen ta afrojnë shqiptarin tek perënditë e lashta iliro-pellazgjike e ta largojnë ta ndikimi i huaj e “sidomos i armikut”, feja e tyre pagane lidhet fort me identitetin kombëtar.

“Paganizmat janë fe etnike, sepse lidhen për vendin e caktuar, për gjuhën e caktuar, për zakonet e ndryshme, janë pjesë e pandashme organike e kulturës së një populli. Njësoj sikurse gjuha”, pranon Kastrati. Po ashtu, besëlashtët besojnë tek rimishërimi, si një nga shtyllat e fesë së tyre ku njeriu nuk ka vetëm një, por jeton disa jetë njëra pas tjetrës.

“Por besëlashti duhet ta dijë, se rimishërimi ndodh vetëm brenda gjakut. Nuk mundet që një ilir të jetë rimishëruar në zezak, sllav, ose arab. lliri është rimishëruar gjithnjë në arbëror apo shqiptar. Vetë shqiptarët e sotëm, në një jetë të mëparshme kanë qenë ilirë, thrakë, ose bashkëluftarë të Skënderbeut, e ndonjë tjetër luftëtar i Trojës me njërën a tjetrën palë”, besojnë ata, ku vihet re një ndasi racore dhe etnike.

Nga mesmoti, një ekspozim i veglave pagane (kupa për pije, fyelli dhe tupani)

Një tjetër pikë e besimit besëlashtë, lidhet me vegjetarianizmit. Duke iu referuar Strabonit, janë të bindur se këtë e shpikën popujt ilirë. “Kështu Straboni raporton se profeti ynë Zalmoksi u mësoi dakëve vegjetarianizmin. Akoma më interesant është raporti i të njëjtit autor, se tek Mysët, një fis ilir që jetonin në rrjedhën e poshtme të Danubit, jetonin ca priftërinj që ushqeheshin vetëm me mjaltë, qumësht e djathë. Këta quheshin theosebeis’ që do të thotë adhurues të zotave”, shkruhet në një prej fletushkave të tyre, ndërsa shpallin si profet Zalmoksin, një prift ilir dhe themelues i linjës së priftërinjve zalmokseanë, të lidhur ngushtë me dinastinë mbretërore të dakëve e getëve.

“Në fenë tonë vegjetarianizmi është një zgjedhje e vullnetshme, prandaj ka besëlashtë vegjetarianë dhe të tjerë që nuk janë të tillë. Vegjetarianizmi tek populli ynë shqiptar nuk duhet të shihet si ndikim i huaj, por nga ato që u thanë më sipër duhet të konsiderohet si pjesë e traditës vendëse pellazgjike, dhe si element i pandashëm i fesë sonë”, sqarojnë ata.

Tupani me simbolet e muajve të vitit pagan.

Ndër simbolet e tyre paganë, të paraqitur edhe në fletushkat fetare është edhe Swastika- simboli i lashtë që mori famën e keqe pasi u përdor nga nazistët, i njohur edhe si kryqi i thyer. Por, siç shpjegon Kastrati, “Kryqi, ashtu siç është nëpër kisha ka qenë dhe te ilirët, por me kuptim tjetër, si një thjeshtim i sëpatës me dy teha (labrys), pasi më shpejt vizatohej me vetëm dy vija,kurse diellëza është përdorur thuaja nëpër gjithë botën, por brenda Europës kemi një përshtypje që tek ilirët gjendet më dendur”.

Mesmoti 2018, piku i pjesëmarrjes, diku kah mesdita

Swastika, ose Diellëza siç e quajnë ata, është gjetur në raste të panumërta, dhe ka shumë variacione, ka vjetërsi që nga koha neolitike 5000 p.e.s në kulturën e Vinçës, Kosovë dhe Serbinë e sotme, dhe “ndonëse historianët thonë që më pas në kohën ilire është rikthyer ose e riardhur, ne mendojmë se përkundrazi ka vazhduar që nga neoliti, ka mbijetuar në vend”.

Simbolet pagane po shohin një ringjallje edhe në tatuazhe dhe Kastrati pohon se ka një interesim. “Anëtarët tanë të gjithë e kanë të paktën nga një tatuazh me përmbajtje ilire-pagane që i kanë zgjedhur sipas preferencave personale, por gjithnjë me temë pagane”, zbulon ai.Sipas studiuesit Aleksandër Stipqeviç, religjioni ilir i periudhës pararomake është sektor pak i njohur e pak i hulumtuar, por simbolet diellore si kryqi gremç dhe rrathët koncentrikë, varëset e ndryshme në forma kuajsh të vegjël shpezësh të ujit si dhe antropomorfe, dokumentojnë njëmendim religjioz mjaft primitiv.

Nga mesmoti, një ekspozim i veglave pagane (kupa për pije, fyelli dhe tupani)

Por si e kanë pritur këtë fe, ndonëse të lashtë, pak të përhapur, në Kosovën me shumicë myslimane?

Sipas Kastratit trashëgimia e huaj kulturore lënë nga pushtuesit, ka ndikuar negativisht. “…por edhe rënia e nivelit të arsimimit, pasi një njoftim i shkurtër për besimin ilir, për hyjnitë ilire dhe emrat e funksionet e tyre gjendet në çdo libër të historisë së shkollave fillore dhe të mesme, por ato kalojnë pa u lexuar, sepse arsimimi ka rënë dhe libri është një gjë e përçmuar”, beson Kastrati. Por, ndonëse një pjesë e madhe, që sipas tij i kanë mbetur besnikë përfytyrimeve fetare “siç na i kanë sjellë turqit”, ka edhe të tjerë që tërhiqen nga fije të ndryshme, siç është atdhetarizmi… “disa nga idetë mjedisore, disa për shkak traditave fshatare të lashta e kështu me radhë”, thotë ai duke përfunduar që gjithsesi për shkak edhe të natyrës së fesë së tyre, në një përpjekje ringjalljeje kur fetë e tjera janë konsoliduar prej 2 mijëvjeçarësh nuk ka gjetur përqafim në masat, megjithatë kjo duket se nuk e trondit besimin e tyre, me rrënjët që i ka të lashta…/Gazeta Si

Shpërndaje në: