Darka për Zajednicën: A i porositi Kurti fjalët e veta, që t’i hajë?

Qeveria e Kosovës fillimisht dje mohoi se kanë një ftesë nga Lajçak për takim, e pak orë më vonë, Kurti dhe Bislimi, darkuan me Lajçakun. Ky i fundit, njoftoi në Tuitter se ‘janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, të zbatohet plotësisht’. Kjo, nënkupton se zbatohet edhe e ashtuquajtura diskursive e Vetëvendosjes […]
Fascilituesi kryesor evropian për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, z.Miroslav Lajçak, dje erdhi në Kosovë ku në mbrëmje darkoi me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij, z.Besnik Bislimi.
Fillimisht, nga Qeveria e Kosovës, e mohuan se Lajçak ka dërguar një ftesë në drejtim të Kurtit për takim, por pak orë më vonë, doli edhe fotografia dhe njoftimi nga ky takim, ku z.Lajçak, përmes një cicërime tregoi për darkën e punës me z.Kurti dhe z.Bislimi.
Zëdhënësi i Qeverisë, z.Përparim Kryeziu, deklaroi dje për mediat se nuk kishin ftesë për takim.
“Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga z. Lajcak për takim me kryeministrin Kurti”, tha Kryeziu në një përgjigje për median kosovare, përcjell Periskopi.
Pak orë më vonë, do të dilte fotografia në llogarinë e z.Lajçak në Tuitter, ku ai do të njoftonte për darkën e punës mes tjerash, kështu:
“Ne jemi pajtuar që të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, ka thënë mes tjerash Lajçak.
Back in Kosovo today to continue my frank, open and intense discussions with PM @albinkurti and DPM @BislimiBesnik on next steps and the way forward on normalisation of relations with Serbia. We also agreed that all past Dialogue Agreements must be fully implemented. pic.twitter.com/zURabtdEmF
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) January 25, 2023
Takimi i z.Lajçak me Kurtin dhe Bislimin, vjen teksa po rritet presioni për themelimin e Asociacionit të komunave serbe, i njohur në diskursin e partisë në pushtet – Vetëvendosje – më shumë si ‘Zajednicë’.
Vetëm një ditë para këtij takimi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me Kurtin për këtë çështje të martën.
“Një temë kyçe ka qenë partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter.
Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Marrëveshja për krijimin e këtij Asociacioni është arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Kujtojmë se më 31 janar, po ashtu në Ambasadën amerikane në Prishtinë, janë të ftuara partitë politike në Kosovë si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Periskopi ka drejtuar pyetje në adresë të disa prej tyre, për të diskutuar pak më shumë rreth kësaj teme, por s’kemi marrë përgjigje./D.D.Periskopi












