Del dokumenti: Vjosa Osmani shpërbleu stafin me 701 euro e 75 centë më shumë

Vjosa Osmani ende nuk i ka bërë dy muaj në pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentit, por pavarësisht këtij fakti, ajo ka vendosur që nëpunëseve civilë në Presidencë t’ua japë nga 701 euro e 75 centë më shumë për këtë vit. Një vendim të tillë Osmani e ka marrë me arsyetimin se, gjatë kohës […]
Një vendim të tillë Osmani e ka marrë me arsyetimin se, gjatë kohës së pandemisë, stafit civil të presidencës i është dashur të punojnë edhe me orar të zgjatur.
“Nëpunësve civil të Zyrës së Presidentit u njihet e drejta e përcaktuar në paragrafin 1 të këtij vendimit, duke pasur parasysh faktin që Zyra e Presidentit funksionon me staf të pamjaftueshëm në raport me strukturën organizative dhe si rrjedhojë, në mbështetje të aktivitetit zyrtar të presidentit të Republikës së Kosovës, ka pasur mbingarkesë në punë dhe angazhim të shtuar jashtë orarit të punës, duke pasur parasysh edhe punën gjatë pandemisë COVID-19, gjatë vitit 2020”, thuhet në pikën dy të këtij dokumenti të siguruar nga Gazeta Express.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, nga radhët e LDK’së, ka thënë se mjete financiare shtesë po ndahen pavarësisht faktit se presidenca i ka pagat e larta, teksa ka kritikuar ndarjen e shtesave edhe për administratën e Kuvendit.
“Lulëzim ekonomik për Kuvend e për Presidence të Republikës së Kosovës. Nuk po dije asgjë, unë nuk paskam kuptu e dëgju se në Kosove tani kemi rritje dhe lulëzim ekonomik. Nuk po e kuptoj si dikush ka humbur vendet e punës, si dikush nuk ka marr page fare këtë vit. Dy institucionet kryesore ne vend, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Presidenca e Kosovës këtë e paskan kuptuar sepse tani për festa te fund vitit po ndajnë krahas pagave te tyre te “ulta” edhe nga një shtese rreth 500-600 euro. A mund te pritet qe dhe stafit tjetër publik, sektorit privat dhe qytetareve qe kane paga te “larta” do t’i ndajnë nga 1000 euro ?”, kishte shkruar Krasniqi më 22 dhjetor, ditën kur edhe Osmani ka nënshkruar vendimin për shtesën që do ta marrin stafi në Presidencë.
Para shtesë janë ndarë edhe për Administratën e Kuvendit. Lidhur me këtë çështje në Kuvend ka folur edhe deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i cili ka thënë Osmanit se po e merr ‘rrogën e 13-të”.
Artan Murati, nga stafi i Vjosa Osmanit, i është kundërpërgjigjur Haxhiut, duke thënë se një vendim i tillë për ndarjen e mjeteve finanaciare për stafin e Kuvendit është miratuar nga Kryesia e Kuvendit dhe se vetë Vjosa Osmani nuk e ka votuar.














