Deputeti i Bundestagut: Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje, të pranohet Kosova në KiE, ose të mos merret asnjë vendim

Këshilli i Evropës feston sot 75 vjetorin e themelimit dhe deputeti i Bundestagut, Knut Abraham ka gjetur rastin të kujtojë sot se Asambleja Parlamentare e kësaj organizate të rëndësishme muajin e kaluar konkludoi me shumicë të madhe votash se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për t’u bërë anëtare e saj. Tash, Abraham shkruan […]
Tash, Abraham shkruan se Komiteti i Ministrave i ka dy zgjedhje dhe se nëse respektohen standardet dhe vlerat, atëherë Kosova do të duhej të anëtarësohej në KiE këtë muaj.
“Komiteti i Ministrave ka dy zgjedhje: 1) Të veprojë në përputhje me vlerat dhe standardet tona duke e pranuar Kosovën këtë maj. 2) Ose, ta injorojë vlerësimin e detajuar të juristëve të shquar, tri raportuesve, tri komisioneve dhe PACE… duke mos marrë asnjë vendim”, shkroi deputeti gjerman në “X”.
Kjo e dyta, thotë ai, do të dërgonte sinjal të dëmshëm te deputetët dhe qytetarët.
“…Sidoqoftë, kjo do ta dërgonte një sinjal të dëmshëm për deputetët dhe qytetarët në rajon: se shtetet mund t’i shpërfillin standardet si të duan”.
“Nga ky vendim varet besueshmëria e institucionit, mbrojtja e të drejtave të pakicave në Kosovë (Plani i Ahtisaarit) dhe stabiliteti i rajonit. Nëse respektojmë standardet dhe vlerat, atëherë pranimi i Kosovës në maj është e vetmja rrugë përpara”, shkroi Abraham.
Gjermania, përmes ambasadorit të saj në Kosovë, Jorn Rohde, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të mos rrezikojë, ndërsa synon që të anëtarësohet në Këshillin e Europës këtë muaj.
Ndërkombëtarët presin që të ketë lëvizje nga Kosova drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për të krijuar një atmosferë pozitive përpara se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ta thotë fjalën përfundimtare për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE.












