Dita e 5-të: Barrikadat mbesin në veri

Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit për shkak të arrestimit të ish-policit të Kosovës Dejan Pantiç tash e pesë ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara. Dyqanet pothuajse të gjitha janë të mbyllura përveç atyre të ushqimeve dhe barnatoreve, ndërkaq nëpër shkolla […]
Barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit për shkak të arrestimit të ish-policit të Kosovës Dejan Pantiç tash e pesë ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.
Dyqanet pothuajse të gjitha janë të mbyllura përveç atyre të ushqimeve dhe barnatoreve, ndërkaq nëpër shkolla e fakultete mësimi nuk po mbahet.
Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e njëjtë.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.
Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.
Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX.
Si pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.
Sot Escobar drejt Beogradit: Heqja e barrikadave në veri pjesë e agjendës
Përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas vizitës së tij në Kosovë, sot do të marrë rrugën drejt Beogradit.
Temat për të cilat do të diskutojë atje, sipas Danas, nuk do të ndryshojnë shumë nga agjenda e bisedimeve në Kosovë.
Escobar pritet që me zyrtarët e Serbisë, të diskutojë për situatën aktual, heqjen e barrikadave në veri dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Pjesë e diskutimeve sipas këtij mediumi serb, pritet të jetë edhe energjia. Roli amerikan në de-përshkallëzimin e situatës, pjesëmarrjen e KFOR-it dhe NATO-s.
Po ashtu pritet të diskutohet edhe për propozimin franko-gjerman për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Escobar do të bisedojë me udhëheqësit e Serbisë edhe për sanksionet amerikane, të cilat tashmë janë vendosur ndaj Milan Radojçiq dhe Zhlejko Veselinoviq.
Ndryshe, Escobar, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovës, është takuar me krerët e shtetit.
Gjatë takimit të tij me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është theksuar nevoja për heqjen e barrikadave, që janë vënë nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon. Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit, të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi”, thuhet në njoftim.
Në takim me emisarin Escobar, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë.
“Në takim u diskutua sesi të avancohen edhe më tej raportet mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve, dhe në veçanti kërkesën e Presidentes Osmani të bërë në qershor 2022 për fillimin e dialogut strategjik në mes dy shteteve, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, vijon njoftimi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së hënë, ka takuar të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht, në pjesën veriore të Republikë së Kosovës, dhe u theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë.
Gjithashtu, në takim u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Takimi ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19, e kishte të pamundur ta realizojë vizitën e tij.












