Drama e serbëve me largim dhe kushtëzimi me targa e Zajednicë

Në mbrëmjen e së mërkurës, drejtori rajonal i Policisë së Veriut të Mitrovicës, Nenad Gjuriq përmes një konference për media kumtoi se më nuk do i zbatojnë urdhërat e Drejtorisë Qendrore për zbatimin e masave për targat. Menjëherë erdhi suspendimi i tij nga Policia e Kosovës. Mirëpo nuk mbaroi me kaq. Të nesërmen Lista Serbe […]
‘’Policia e Kosovës në Rajonin e Veriut nuk mund ta zbatojë vendimin për regjistrimin e targave të Serbisë në RKS, kishte thënë drejtori i suspenduar i Drejtorisë Rajonale të Policisë për Rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq.
Bashkë me shkallëzimin e vendimit për targat nga Qeveria Kurti dhe mos shtyrjen e tij edhe për 10 muaj, siç kërkuan bile edhe Amerika e BE, përfaqësuesit serbë në Kosovë, të irrituar vendosën të nisin një dramë. Largimin nga gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq njoftoi se gjërë e gjatë ishte konsultuar për këtë vendim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
‘’Nuk durojmë më’’, kishte thënë ai, duke përgatitur edhe një protestë në veri, që pritet të mbahet të dielën (nesër), shkruan Periskopi.
Rakiq kushtëzon Kurtin me targa e Zajednicë
Goran Rakiq ka kërkuar pezullimin e vendimit për targa dhe formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
“Kjo konkretisht do të thotë – derisa ai (Albin Kurti) të tërheqë vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojë Asociacionin e Komunave Serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura në këtë çështje në dialog”, tha Rakiq.
Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit në qeverinë e Kurtit.
Eprorët serbë heqin uniformat e Policisë së Kosovës
Pas vendimit për të dalë nga insitucionet e Republikës së Kosovës, eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.
Veriu i mbushur me flamuj serbë e mbishkrime: ”Kjo është Serbia”
Vendimi i Listës Serbe u pasua me shtimin e flamujve serbë në veri të vendit, derisa kishte edhe postera që shkruhej “Kjo është Serbia”. Flamuj të shumtë u vendos në rrugë, në dyqane dhe ndërtesa të tjera.
Kjo po ndodh në Zveçan, ku u mbajt takimi, si dhe në Mitrovicën Veriore. Gjithashtu, u lanë edhe flamuj të ambalazhuar me thirrjen që të vendosen më gjerësisht përgjatë rrugëve.

‘Rrnoftë Republika e Kosovës’ – I vetmi reagim nga Qeveria deri tash, nga Hajrulla Çeku
Deri në këto momente nuk kemi as edhe një reagim nga Kryeministri Albin Kurti apo ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
I vetmi që ka bërë një koment patriotik, është ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Për këtë çështje reagoi edhe shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, i cili ka thënë se vendimi i serbëve të Kosovës për t’u larguar nga institucionet është i nxitur nga Serbia.
Largimi i serbëve nga institucionet nuk prishë punë
Kështu tha për Periskopin njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.
“Është paralajmëruar edhe ditë më herët prej serbëve dhe kjo është e pritur, por që funksionimi i institucioneve vazhdon të rrjedhë pa marrë parasysh a janë pjesë e tyre. Mendoj se sa ai përket funksionimit të policisë dhe doganave do të vazhdoj edhe pa pjesëmarrjen e tyre, nuk është një situatë e rregullt, e zakonshme, por që edhe në këtë situatë funksionimi do të vazhdojë me policët e tjerë”, tha Ibishi për Periskopin
Njohësi i Sigurisë shtoi se për këtë është dashur që më herët të veprojnë edhe ndërkombëtarët që serbëve tu bëhet me dije që mos të marrin këso vendim të tilla.
“Faktori ndërkombëtar duhet të kërkoj që ata të kthehen dhe të vazhdojnë edhe punën, ky paralajmërim ka qenë edhe më herët në disa raste. Edhe në këtë mënyrë do të funksionoj sistemi, por realisht është pritur që faktori ndërkombëtarë të ndërhyjë, në kuptimin e saj që ata të kthehen”, përfundoi Ibishi.
Se largimi i serbëve nuk është pengesë për funksionimin e institucioneve të vendit kishte thënë edhe njohësi i Kushtetutes, Mazllum Baraliu.
Ai në një prononcim për Periskopin dy ditë më parë tha se Lista Serbe “po instrumentalizohet haptazi kundër institucioneve tona dhe rendit kushtetues duke qenë i dirigjuar nga Moska në Beograd dhe nga Vuçiqi në Prishtinë”
“Nuk bëhet asgjë, ata nëse dojnë mund të luten me sjell dikë tjetër, por nëse jo institucionet funksionojnë dhe asgjë askujt. Kjo është një shenjë që ai po instrumentalizohet haptazi kundër institucioneve tona dhe rendit kushtetues duke qenë i dirigjuar nga Moska në Beograd dhe nga Vuçiqi në Prishtinë. Nuk mund ta pengojnë asgjë të funksionojë qeveria dhe institucionet edhe nëse tërhiqen ata, edhe ashtu nuk prezantojnë interesat e komunitetit të tyre”, kishte thënë Baraliu.
Musliu: Ata duhet të largohen përgjithmonë nga Policia e Kosovës
Ajo në Facebook ka shkruar se Policët që zhveshën uniformat sot duhet të largohen përgjithmonë nga ky institucion.
“Siguria e Kosovës po sfidohet rend në Veri të Kosovës. Policet që zhveshen uniformat sot duhet të largohen përgjithmonë nga ky institucion. Uniforma e policit të shtetit nuk duhet keqpërdorur as si kompromis, as si mjet presioni politik dhe as si mjet prepotence e force. Policia e Kosovës duhet të lirohet nga marionetat por edhe nga kaubojët. E zhveshën me lehtësi, kthimin duhet ta kenë të pamundur”, shkruan ajo./Kaltërina Misini – PERISKOPI/












