Tenderi 16 milionësh: Durmishi paradite i lëshon referenca kompanisë, pasdite ia përmend Prokurorinë

Periskopi.com Lajme

Tenderi për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të dy autostradave në Kosovë që peshon 16 milionë euro, është bërë shkak i përplasjeve brenda ministrisë së Infrastrukturës. Aktualisht kjo procedurë prokuruese është pezulluar dhe  është bërë target i hetimit të Auditorit të Brendshëm. Periskopi ka bërë disa raportime lidhur me këtë tender, ndërkohë ka zbuluar fakte të reja që mund të çojnë në veprime të kundërligjshme nga ana e zyrtarëve të MMPHI’së.

Ministria kishte pranuar gjithsej 18 oferta për tenderin 16 milionësh i cili shprehimisht quhet: “Mirëmbajta dimërore dhe verore e autoudhës A7 (Ibrahim Rugova) -lot 1dhe 2. Mirëmbaja dimërore dhe verore e autoudhës (Arbër Xhaferi) -lot 3 dhe 4”, i ndarë në 4 lot në total.

Gjetjet e reja të Periskopit lidhur me  procedurën e këtij tenderi kanë të bëjnë me rekomandimin për kontratë për lot 3, ku fitues janë shpallur kompanitë në konzorcium “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Prokurimi i ministrisë që udhëhiqej nga menaxheri Nexhat Krasniqi kishte hapur ofertat dhe kishte rekomanduar për kontratë këto kompani:

Lot 1 e ka fituar Grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.

Lot 2: Grupi i kompanive me lider  kompaninë “2A Group” SHPK & NNT  “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.

Lot 3. Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Lot 4. Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.

Pas kësaj faze, kishte  pasë ankesa nga kompanitë garuese, të cilat i kishte hedhur poshtë ministria. Të njëjtat janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP, por ky institucion nuk mund të marrë një veprim pasi nuk ka bord valid dhe është jofunksional. Kësisoj, tenderi është pezulluar pasi edhe Njësia e auditimit të ministrisë është duke shikuar rrjedhën e tenderit.

Njëri prej kritereve që është i vendosur në dosje të tenderit tek ‘kapaciteti ekonomik dhe financiar’, ka qenë se “kompania duhet të posedojë kopje të kontratave dhe procesverbaleve të pranimit përfundimtar të punëve, duke treguar vlerën,  datën, natyrën dhe vendndodhjen e projekteve në lëminë e Mirëmbajtjes, rikonstruktimit ose ndërtimit të rrugëve për periudhën e shkuar tre vjeçare, kontratat e sektorit privat duhet të jenë të shoqëruara me referenca dhe procesverbale të pranimit të punëve”.

Periskopi ka gjetur se Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga zëvendësministri, Hysen Dumrishi ka lëshuar referenca për punët e kryera, për kompaninë “Damastion Project” më datë 03.03.2022 , për kryerje të punimeve, ende pa përfunduar kontrata dhe pa u përfunduar disa pozicione të kontratës. Bëhet fjalë për referencat e projektit “Mirëmbajtja e Autostradës A7 Ibrahim Rugova”, që është nënshkruar në korrik të vitin 2019, me kohëzgjatje për 3 vjet dhe me validitet deri më 3 korrik 2022.

Po ashtu, pos që është lëshuar referencë për kontratën që nuk ka përfunduar, Periskopi, posedon edhe dy procesverbalet për pranimin teknik të punimeve në këtë rrugë.

Para pak ditësh, Periskopi ka raportuar se kompania në fund të vitit 2020 ka gërryer 220 mijë m2 asfalt në magjistralen Prishtinë -Pejë, konkretisht në hyrje të Komoranit dhe nuk e ka asfaltuar më atë rrugë.

Siç shihet, ministria pos që ka lëshuar referenca për kontratën që nuk ka përfunduar, ky pozicion është i realizuar në vlerën zero. (shih dokumentet në fund të tekstit)

Paramasën dhe parallogariëe me të cilën është lidhur kontrata, si dhe pozicionin nr. 5.5 i kontratës (Shtresa e re qarkulluese ,SMA ,11 me trashësi mesatare prej 4cm grryerje ) ku për këtë pozicion është parapare të realizohet sasia prej  210,600.00 m²  me çmim 0.05 cent.

Siç shihet nga dokumentet e lëshuara të ministrisë, pranimi teknik i punimeve për vitin 2019/2020 , ku pozicioni 5.5 nuk është realizuar asnjë sasi, pra është 0.

Po ashtu, pranimi teknik i punimeve për vitin 2020/2021, për të njëjtin projekt, ku për pozicionin 5.5 është realizuar vetëm sasia prej 8840m² , nga  210,600.00 m² sa kanë qenë të parapara në Paramasë dhe Parallogari.

Pos këtij pozicioni, që nuk është realizuar, pasi kompanisë do t’i sillte humbje të mëdha, ngase kishte ofertuar me çmim minor prej 5 cent, dhe po ta shtronte asfaltin sivjet, çmimi total i vendosur për 200 mijë m2 asfalt ku ishin vendosur vetëm 10 mijë euro, do të njëzetfishohej, ngase asfalti në treg është mbi 7 euro m2.

Bile, përveç që nuk është realizuar pozicioni 5.5 i kontratës për të cilin janë paraqitur punë në terren, tek pranimi teknik i punëve shihet që nuk janë realizuar edhe disa pozicione tjera, të cilat ministria mund të mos i është paraqitur nevoja për porosi të tyre, ani pse vet i ka vendosur si artikuj. Por, po të shihet çmimi i ofertës së kompanisë të këto pozicione që kanë zero realizmi, kuptohet se ato kanë qenë fiktive, pasi oferta në shumë prej tyre ka qenë vetëm 10 cent, ndërsa për ato të kryerat janë shumë të fyera.

Ligji nuk njeh “Referenca”, por Certifikatë për punët e kryera

Referuar Ligjit të Prokurimit Publik -LPP mbi të cilin edhe realizohen kontratat publike, ministria ka vendosur kriter fiktiv, në kundërshtim me LPP-në, kur ka përmendur termin ‘Referencat’.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e ka sqaruar këtë para pak ditëve tek rubrika Pyetje dhe Pergjigje, ku palët e ndryshme kërkojnë interpretim të LPP-së, ky institucion u përgjigjet.

“Në asnjë nga dispozitat 65-70 të LPP-së nuk përmendet termi ”Referencë” në kuptim të dëshmisë që një operatorë ka kryer në mënyrë të knaqshme një kontratë. Kjo mund të dëshmohet me Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim te knaqshem te projekteve, e cila dëshmi përmendet ne nenin 69- te LPP-së. Megjithatë , nëse Autoriteti Kontraktues kërkon referenca për realizim te knaqshem te kontratave, duke specifikuar minimumin e numrit te referencave ne Dosjen e tenderit , dhe ne Njoftimin për Kontrate, referencat duhet te jene per kontratat e specifikuara ne Listën e kontratave dhe duhet te sillen nga anetari i grupit , nëse i njëjti ka qene ekzekutues i kontratave përkatëse, ne mënyrë që të konsiderohet se kërkesa është përmbushur nga grupi si tërësi”, thuhet në interpretimin e KRPP-së.

Pra, shprehimisht KRPP-ja ka thënë se autoritetet kontraktuese nuk mund të vendosin si kritere, kërkesën ‘Referenca për punët e kryera’, por Raportin përfundimtar të kryerjes së punimeve apo me certifikata për kryerje dhe/ose përfundim të kënaqshëm të projekteve.

Tek dokumenti i lëshuar për ‘Referenca’, nënshkrimin e kanë hedhur ish-Sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi dhe Drejtori i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, Ramë Qypeva.

Zëvendësministri, Hysen Durmishi ka lëshuar një deklaratë tejet kundërthënëse, kundruall vendimit që ka marr ministria që ai drejton për ta rekomanduar për kontratë kompaninë “Damastion”, dhe për t’i lëshuar referencë për punët që si ka kryer. Deklarata e tij sikur ishte në cilësinë e personit që operon si i pavarur nga ministria, dhe jo si autoriteti kryesor aty.

Pas të gjitha këtyre veprimeve, zotëri Drumishi në një intervistë televizive ka thënë se me kontratën e cila është akoma valide edhe pak ditë, e cila po realizohet nga “Damastion”, duhet të merret prokuroria.

“Kemi situata kur çmimi i asfaltit ka qenë 1 cent e 5 cent. Në çmimet e tregut për atë pozicion ka qenë 10 euro, tash është edhe më shumë. Pra, ka pasur pozicion 200 mijë m2, çmimin në kontratë e ka pasur 5 cent, që për krejt bëjnë 10 mijë euro, kurse çmimi i tregut është 2 milionë euro, dhe më pastaj nuk i ka realizuar punimet, sepse janë marr veshë paraprakisht që ne po e qesim këtë pozicion dhe ti me këtë pozicion e fiton kontratën, po ti s’ki me punë këtë punë. E me këtë duhet të merren gjykatat dhe prokuroria”, ka thënë shprehimisht Durmishi në një intervistë për ATV-në.

Durmishi godet pak veten duke tentuar të qëllojë mbi Abdixhikun

Në intervistën e tij për ATV, Durmishi është munduar të godasë edhe ish-ministrin e Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, duke thënë se i vetëm projekt më të cilinë është marrë ai, ka përfunduar në hetuesi.

“Lumir Abdixhiku është marrë vetëm me një çështje sa ka qenë ministër i Infrastrukturës, veç me një projekt, rrugën në Veternik. Vazhdimisht ka dal në terren për punën e Veternikut. Unë nuk po them as më shumë as më pak se ajo lëndë është në hetuesi. Pra me qat projekt është marrë, ai është në hetuesi”, ka thënë zëvendësministri i Infrastrukturës.

Siç e kemi cekur edhe më lartë, për lot 3, për tenderin e Mirëmbajtës së Autostradave është rekomanduar për kontratë, konzorciumi “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.

Periskopi ka kuptuar se kompania “Eskavatori” ka kryer punimet për rrugën në Veterrnik, projekt i cili quhet “Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti hyrja në qytetin e Prishtinës nga ana e Veternikut, bashkë me urën që i lidhë rrugët nacionale N2 dhe N25.2, me kyçjen e autostradës R7 “Ibrahim Rugova”.

Lidhur më këtë projekt, mësohet se në vitin e kaluar ministria kishte formuar një komision për verifikimin e punëve shtesë. Komisioni kishte bërë shpimet, ku më pas është konstatuar se nuk janë shtruar të gjitha shtresat sipas kontratës nga ana e “Company Eskavatori” dhe se mungojnë disa pozicione. /Mentor Buzhala -PERISKOPI/