E mori në fund të listës dhe e bëri anëtare të OSHP-së, tash Kurti kërkon shkarkimin e Kimete Gashit

Edhe pse ishte e fundit në listë, më CV-në më të dobët, kryeministri, Albin Kurti kishte vendosur që të rekomandojë për anëtare të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Tash, që ia ka stopuar një tender, Kurti po kërkon nga Kuvendi që ajo të shkarkohet, shkruan Periskopi. Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria ka propozuar […]
Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria ka propozuar shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, pas insistimeve të OSHP-së që të procedohet me tenderin për insulina.
Kryeministri Kurti ka thënë se me vendimin e OSHP-së për furnizim me insulina po rrezikohet shëndeti publik.
“Shëndeti publik po rrezikohet nga vendimi i OSHP-së për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet importi i insulinave pa autorizim-marketing që shpie direkt në rrezikim të shëndetit të qytetarëve tanë që kanë nevojë për insulinë. Qeveria ka për detyrë të jetë e përgjegjshme e të shmangë çdo rrezik që u kanoset qytetarëve, në veçanti kur bëhet fjalë për shëndetin. Për këtë detyrohemi të marrim masa në pajtim me legjislacionin në fuqi. I propozojmë kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka marrë vendimin e dëmshëm në kurriz të qytetarëve. Nuk ka ligjshmëri e as punë për të mirën e interesit publik kur vendimmarrja anashkalon interesin e qytetarëve e aq më tepër kur e njëjta shkel ligjin në fuqi. Brenda kompetencave që ka, Qeveria do ta dënojë çdo sjellje e veprim të dëmshëm pa marrë parasysh subjektin që merr vendimin”, ka thënë Kurti.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencën pas mbledhjes ka thënë se është i shqetësuar me situatën rreth tenderit për insulina, pas insistimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit që të procedohet tenderi për insulina, pavarësisht se kompania fituese s’i ka garancitë e cilësisë për produktin që përdoret për trajtimin e diabetit.
Vitia ka akuzuar OSHP-në dhe Prokurorinë për presion për ta nënshkruar kontratën..
“Shprehim shqetësimin tonë për një situatë e cila rrezikon në mënyrë shumë substanciale shëndetin publik. E këtu kemi të bëjmë me tenderin për insulina një tender që është hapur më 2020. Është betejë për ligjshmërinë, për ruajtjen e shëndetit publik. MSH-ja shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm të OSHP-së për furnizim me insulina. OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndëmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka, madje as nuk ka aplikuar, deri më tani për autorizim-marketing, i cili është obligativ sipas Ligjit për pajisje dhe produkte medicinale”, ka thënë Vitia në konferencën për media.
Ai ka njoftuar se urdhëresës së OSHP-së për këtë vendim, MSH-ja ka kundërshtuar nëpërmjet padive.
Kimete Gashi në vitin 2022 i ishte rekomanduar Kuvendit të Kosovës që të votohet për anëtare të bordit të OSHP-së nga kryeministri Kurti. Kjo ishte bërë edhe përkundër faktit se ajo ishte më dobëta në listën garuese.
Si kishte ndodhur që më e dobëta të bëhet anëtare e OSHP-së
Pas shumë e shumë zvarritjeve, Kuvendi i Kosovës në janar 2022 kishte zgjedhur kryetarin dhe katër anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili ndryshe njihet edhe si Gjykata e Tenderëve. 61 deputetë të mazhorancës votuan pro, derisa partitë opozitare e kishin lëshuar sallën më herët, pas dështimit të Projektligjit për Trustin. Marrë parasysh ecurinë e përzgjedhjes, shihet se kandidatët qenë përzgjedhur në kundërshtim me parimet e konkurrencës, shkruante Periskopi.
Kryetare e bordit ishte zgjedh Vjosa Gradinaj-Menxhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.
“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni kishte rekomanduar qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, kishte thënë kryeministri kur bëri thirrje për votim të kandidatëve.
Në mesin e emrave që i kishte dërguar Qeveria për votim, dy prej të votuarve kanë pasur pikë më së paku, një më së shumti, kjo në bazë të poentimit të vlerësimit të CV-vë që kishte bërë një komision i përzgjedhur nga qeveria për selektimin dhe poentimin e kandidatëve që kanë garuar.
Pra nga gjithsej 22 kandidatë, e votuara nga Kuvendi, Kimete Gashi ka pasë pikë më së paku, gjithsej 3.2, e parafundit ka qenë kryetarja e re e OSHP-së, Vjosa Gradinaj- Maxhuni, me 3.6 pikë, ndërsa anëtari tjetër i votuar, Vedat Peterqoi, ka qenë i pari në listë, me gjithësej 8.8 pikë.
Periskopi kishte raportuar se dy emra të votuar nuk kanë qenë pjesë e garës për anëtarë të Bordit dhe kryetarë të OSHP-së. Bëhet fjalë për Nita Bejta dhe Agon Ramadani.
Qeveria më 10 dhjetor 2021, kishte shpallur konkurs për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Më 12 janar 2022 në bazë të vendimit Nr. 03/54, Qeveria ka themeluar Komisionin Përzgjedhës për rekomandimin e kandidatëve për kryetar dhe katër anëtarë të bordit të OSHP-së. Në këtë konkurs kishin aplikuar gjithsej njëzetë e pesë kandidatë.
Më 20 janar 2022, Komisioni Përzgjedhës kishte dërguar raportin e punës në Qeveri, ku kishte vlerësuar kandidatët të cilët kishin aplikuar. Kandidatët janë vlerësuar dhe janë poentuar duke marrë parasysh përvojën e punës, CV-në dhe letrën motivuese. Këtë vlerësim e kishin kaluar gjithsej njëzetë e dy kandidatë, ndërsa tre nuk ishin poentuar fare.
Komisioni Përzgjedhës kishte përpiluar listën me njëzetë e dy 22 kandidatë duke i poentuar me pikë nga 8.8 pikë sa është poentuar kandidati më i suksesshëm deri në 3.2 pikë sa është poentuar kandidati me më së paku pikë, e cila më pas ka rezultuar të jetë, Kimete Gashi që u votuar nga deputetet e VV-së.

Duke pasur këtë listë me emra, Qeveria ka vendosur që të shtojë në listë edhe tre emra tjerë, të cilët janë votuar nga ekzekutivi për procedim të më tejmë. Kësisoj qeveria ka përjashtuar procedurat e konkurrimit. Dy “parashutistët” kanë rezultuar të votohen edhe nga Kuvendi.
Organizata, INPO nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike kishte kërkuar dokumentacionin aplikues për të gjithë kandidatët të cilët kanë konkurruar, përfshirë këtu edhe dokumentacionin përkatës të tre kandidatëve të cilët janë futur në listë sipas “diskrecionit” të Qeverisë. Nga analizimi i dokumenteve INPO gjen se shumica e dokumenteve të ofruara nga këta kandidat kishin datën 09 mars 2022, saktësisht datën e njëjtë kur Qeveria dërgon në Kuvend listën me dhjetë kandidatët e përzgjedhur.
Nga analizimi i aplikacioneve të tre kandidatëve të cilët fare nuk kanë konkurruar, INPO gjen se dy prej tyre ju mungon letra motivuese si kriter i rëndësishëm i vlerësimit që ka aplikuar Komisioni Përzgjedhës, si dhe ajo që është më e rëndësishmja këta tre kandidatë në CV-të e tyre dhe në dëshmitë e ofruara për përvojën e punës nuk kanë as edhe një përvojë në fushën e prokurimit publik.
INPO ka vlerësuar se anashkalimi i kandidatëve të cilët kanë konkurruar dhe nga Komisioni Përzgjedhës janë poentuar më shumë se sa kandidatët e përzgjedhur si dhe futja në listë e personave që fare nuk kanë marrë pjesë në konkurs është cenim i rëndë i praktikës së ndjekur deri më tani në procedura të rekrutimit të kryetarit dhe anëtarëve të bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, cenohen rëndë parimet e barazisë, konkurrencës dhe meritrokracisë dhe si të tillë të gjithë procesin e bënë subjektiv të anshëm e politik.
Nita Bejta, veç 5 muaj ka mundur të rezistojë në detyrën e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Ajo ka dhanë dorëheqje në nëntor 2022, derisa në këtë detyrë ishte emëruar në muajin qershor. Për pozitën e saj të lënë boshë në OSHP, qeveria ka hapur konkurs që disa muaj.
Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur administrativ dhe i nënshtrohet Ligjit për Administratë. Si institucion administrativ, OSHP merr vendime të formës së prerë lidhur me ankesat në prokurim publik. Vendimet e këtij organi janë obligative për të gjitha Autoritetet Kontraktuese, pra gjithë institucionet e Kosovës.
OSHP në bazë të një ankese të parashtruar me shkrim nga një Operator Ekonomik kundër njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga AK-së, është autorizuar që ta shqyrtoj kryerjen e aktivitetit përkatës të prokurimit si dhe pretendimet ankimore të parashtruara në ankesë, si dhe konform afateve ligjore të nxjerrë një vendim me shkrim për mënyrën e vendosjes së asnjë lëndë, objekt i të cilët është shqyrtimi ankesa dhe aktiviteti i prokurimit për të cilin është parashtruar ankesa.
Vendimet që merren nga OSHP janë:
Vendimet mbi shqyrtimin e prokurimeve
Vendimet mbi masat ndëshkuese
Vendimet mbi ankesat e refuzuar ( të pakompletuara)
Vendime për Listën e Zezë
Vendime për gjobë
Kundër vendimeve të OSHP-së nuk është e lejuar ankesa, por pala e pakënaqur me kërkesëpadi mund t’i drejtohet Gjykatës Themelore-Departamentit për çështje Administrative në afat prej 30 ditësh nga data e pranimit të këtij vendimi.
Mirëpo dorëzim-dërgimi ose rezultati i kërkesë së OE për shqyrtim gjyqësor sipas nenit 119 të LPP-së, nuk do të ketë ndikim të mëtutjeshëm në zbatimin e prokurimit përkatës, me përjashtim të kompozimit të dëmit ekonomik të paditësit.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP-ë) për punën e vet i raporton një herë në vit Kuvendit të Republikës së Kosovës, për mbarëvajtjen e procedurave të shqyrtimit të prokurimit publik. /Periskopi/












