“Edhe një grua tjetër u vra në sytë e shtetit“, krejt çka dihet deri më tani për vrasjen e 21-vjeçares nga Ferizaj

Kosova u trondit dje nga një rast tragjik që ndodhi pasdite në Ferizaj. Erona Cokli- 21 vjeçare, mbeti e vrarë nga arma e ish-bashkëshortit, ndërsa u plagos vëllai i saj i mitur. E gjithë ngjarja ndodhi në objektin e Qendrës për Punë Sociale të këtij qyteti, shkruan Periskopi. Prokuroria Themelore e Ferizajt tashmë ka konfirmuar […]
Kosova u trondit dje nga një rast tragjik që ndodhi pasdite në Ferizaj. Erona Cokli- 21 vjeçare, mbeti e vrarë nga arma e ish-bashkëshortit, ndërsa u plagos vëllai i saj i mitur. E gjithë ngjarja ndodhi në objektin e Qendrës për Punë Sociale të këtij qyteti, shkruan Periskopi.
Prokuroria Themelore e Ferizajt tashmë ka konfirmuar se ish- bashkëshorti i viktimës, Valon Aliu, i dyshuar për vrasje është ndaluar për 48 orë, nën dyshimet të veprës penale “Vrasje”.
“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftim.
Shefi i emergjencës në Ferizaj, Sefedin Fazliu, i cili ishte edhe mjek kujdestar kur ndodhi vrasja e rëndë në Ferizaj, ka treguar për T7 se gjendja shëndetësore e të miturit, që u plagos nga të shtënat që ia morën jetën motrës së tij, është stabile.
“Pacientin e kemi pranuar rreth orës 15 me autoambulancë. Përmes radiografisë e kemi parë se në parakrahun e djathtë ka pasë plumb, të cilin e kemi larguar. Ai është në gjendje stabile është jashtë rrezikut për jetë”, tha ai.
Ndërsa drejtoresha për Punë Sociale në Ferizaj, Adelina Rexhepi-Braha ka thënë për Periskopin se gruaja e vrarë e kishte një djalë me ish bashkëshortin.
“Jam në gjendje të keqe, do të dalim me komunikatë. Cifti kanë një djalë me njëri-tjetrin“, tha ajo për Periskopin.
Ajo tha se vrasja ka ndodhur para objektit të kësaj qendre.
Ndërkaq në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari brenda Qendrës për Punë Sociale, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave, ku si pasojë mbeti një grua e vrarë, ndërsa një burrë i plagosur.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C (F/K) e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekja e së cilës është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa plagë trupore ka pësuar personi D.C ( M/K) i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur“, thuhet në komunikaten e policisë.
“Kërkojmë nga Policia e Kosovës që ta arrestojë të dyshuarin në atë që duket të jetë femicid”, shkruan na faqen e misionit në X, derisa për këtë vepër tashmë është prangosur një 36-vjeçar.
Lidhur me rastin tragjik kanë reaguar edhe liderët shtetëror duke bërë thirrje që organet e drejtësisë sa më parë të merr masa.
Shefi i qeverisë Albin Kurti u shprehu ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të saj.
“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani reagoi pas vrasjes së 21 -vjeçares, duke e quajtur këtë ndodhi si femicid.
“Edhe një burrë që vranë një grua. Sërish femicid! Edhe një përkujtim se këta vrasës mizor të cilët ia kanë mësyer të shkatërrojnë jo veç jetën e grave, por edhe thelbin e shoqërisë sonë mund të ndalen vetëm nëse të gjithë bashkohemi e rizgjohemi si shoqëri kundër këtij fenomeni të tmerrshëm”, shkroi Osmani.
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se vrasja e fundit tregon se gratë në Kosovë nuk janë të sigurta askund.
“Edhe një grua tjetër u vra në sytë e shtetit. Edhe një jetë e humbur që kumbon luftën që na është shpallur grave në Kosovë e që disa nga ne po i vret”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate./ Periskopi
Detaje nga vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, Policia thotë se ende nuk dihen motivet












