Editorial: Duke pritur Drejtësinë

Editorial: Duke pritur Drejtësinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, së fundi e nisi përpjekjen e tij që të hetoheshin dhe gjykoheshin krimet serbe përmes një tribunali ndërkombëtar. Klithma e viktimave të luftës në Kosovë më në fund u fut brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, pas një mungese të gjatë por domethënëse.

Kjo klithmë për drejtësi ndaj tyre kishte munguar edhe në dialogun e Kosovës me Serbinë në Bruksel, ashtu siç kritikoi me të drejtë Glauk Konjufca, deputet i Vetëvendosjes.

“E kam dëgjuar shpesh fjalën ‘pajtim’ e ‘kompromis’, por kurrë fjalën ‘drejtësi’” – tha ai në seancën e sotme.

Por, e gjithë kjo përpjekje nisi në mënyrën më të keqe të mundshme. Në mëngjesin e 16 majit deputetja e PDK-së, Flora Brovina, e bëri një gabim të tmerrshëm e tronditës politik e human. Ishte tronditëse sepse e cenonte ashiqare dinjitetin e viktimave tjera të këtyre krimeve. Ato përballeshin e përballen me përbuzje e stigmatizim vetëm shkaku i përfytyrimeve të zbehta që kishin për aktet e përdhunimeve seksuale. Një gjë e tillë provokonte edhe më shumë stigmatizim. Por, më vonë u mësua që gabimi ishte më i thellë, sepse skena e shfaqur në fotografi doli të ishte pjesë e një filmi pornografik dhe fjalët e thëna me dhembshuri nga Brovina rezultuan si gënjeshtra. Kjo padyshim që në përditshmërinë e heshtur të shoqërisë sonë do të manifestohet në mungesë empatie e besimi për viktimat në fjalë.

Themelet e kësaj përpjekjeje u përlyen kësisoj me banalitetin e një pakujdesie tronditëse.

Por, pse u desh një imazh i fortë që të përftohej vëmendja e opinionit publik? Në rend të parë, sepse duhej të përforcohej serioziteti i kësaj nisme. Qoftë edhe te ndërkombëtarët. 20 vjet heshtje janë goxha shumë. Mirëpo, imazhi ndoshta shihej si i munguar edhe brenda vendit, duke qenë se përmes stigmatizimit të vazhdueshëm që iu bën shoqëria viktimave të përdhunimeve, tregon para së gjithash moskuptimin e realitetit dhe rëndesës së një akti të tillë.

Seanca e sotme ishte vazhdim i seancës së kaluar për tribunalin ndërkombëtar. Dy nga tri partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosja, dolën nga salla duke e protestuar pakujdesinë e Brovinës dhe PDK-së. Duke kërkuar përgjegjësi politike. Ky veprim është i drejtë për aq sa sulmon PDK-në, por është i padrejtë sepse sulmon edhe pjesën tjetër të shoqërisë. Ata dolën nga salla ku ndodheshin pikërisht familjarët e të zhdukurve dhe viktimave tjera të luftës. Dolën nga salla duke pasur ndërmend protagonizmin politik të Kadri Veselit, PDK-në, Flora Brovinën, gabimin e tyre dhe elektoratin. Jo viktimat e luftës. Jo familjarët e tyre. Dhe jo idenë se ky tribunal nuk do të bëhej. Nëse do të largoheshin për këto çështje, atëherë nuk do të rrinin as në seancën e 16 majit.

Kjo bëri që uniteti politik i shfaqur për këtë iniciativë të prishej përsëri. Që hesapet partiake të mbivendoseshin si sunduese të realitetit tonë politik. Të një realiteti kaotik ku mungon në tërësi ndjeshmëria për interesat shtetërore. PDK-ja e ka dëshmuar sa e sa herë të njëjtën qasje jokonsistente e shpërfillëse. Për fat të keq, shembullin e saj të mbrapsht po e ndjekin edhe partitë e tjera.

Është e vërtetë që gjasat e krijimit të një tribunali ndërkombëtar aktualisht janë të vogla. Të vogla ishin edhe para katër ditësh. Por në anën tjetër, është e vërtetë edhe se dhimbjet e mijëra viktimave në Kosovë lëngojnë për drejtësi. Drejtësia e munguar për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe do të mbetet brenda skenës politike e sferës publike në përgjithësi ndoshta përfundësisht, duke i shkaktuar kësisoj telashe të mëdha vendit. Nëse jo sot, edhe pas pesë vitesh, dhjetë e njëzetë tjera, dikush do të dalë e do të kërkojë drejtësinë e munguar. Dhimbjet e shtypura bëhen dhimbje shtypëse në demokraci, siç nuk rresht së na mësuari historia. Por, nëse jo tribunal ndërkombëtar, ose të paktën përpjekje për tribunal ndërkombëtar, domethënë rezolutë, nëse gjyqësia kosovare s’ka kapacitetet e duhura për gjykim e hetim të atyre krimeve, atëherë cila është zgjidhja?

Partitë opozitare i kanë njëmijë-e-një hapësira tjera e probleme tjera ku mund të luftojë politikisht PDK-në dhe partitë e tjera qeveritare. Edhe ashtu, e ardhmja e kësaj partie nuk duket e mirë. Ndërsa, foto-skandali i bërë nga zonja Brovina, duke qenë më i rëndë se çdo tjetër, do t’i mbetet me të drejtë barrë partisë që udhëhiqet nga Veseli në zgjedhjet që vijnë. S’ka se kah të ikë prej saj!

Braktisja e seancës dëshmon edhe njëherë tjetër pamundësinë e partive politike shqiptare për të ndarë hesapet e veta të ngushta partiake me hesapet tona kombëtare. E kështu, në kaosin e përditshëm, drejtësia për luftën në Kosovë është e dënuar të mungojë./Periskopi

Shpërndaje në: