EULEX: Situata e sigurisë në veri të Kosovës shumë e brishtë
Ka disa ditë që në pjesën veriore të vendit gjendja është e tensionuar.
Disa ditë më parë në atë pjesë ka pasur disa shpërthime.
Si shkak, i kësaj edhe Policia e Kosovës mbrëmë ka njoftuar se ka filluar shtimin e prezencës në atë pjesë.
Mbrëmë aty është plagosur edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe janë sulmuar disa gazetarë.
Që situata është e brishtë e pranojnë edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Në një përgjigje për Front Online, nga ky mision kanë thënë se janë të shqetësuar rreth sulmeve të dhunshme në veri.
“Gjendja e sigurisë në Kosovën e veriut është shumë e brishtë dhe ka një boshllëk sigurie atje pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës. Ne jemi të shqetësuar rreth sulmeve të dhunshme të kohëve të fundit në Kosovën e veriut dhe i dënojmë ato. EULEX mbetet vigjilent për të mbikëqyrur nga afër të gjitha zhvillimet që mund të prekin sigurinë e Kosovës si edhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e EULEX.
EULEX: Po patrullojmë 24 orë në veri
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), kanë thënë për Front Online se pasi situata në veri nuk është e qetë janë duke patrulluar 24 orë.
Kanë treguar se në nëntor kanë vendosur edhe një njësi policore të formuar rezervë të përbërë nga 24 xhandarë italianë dhe pesë lituanezë.
“Përveç Njësisë policore të formuar të EULEX- it, e cila përbëhet nga 105 policë, Misioni përkohësisht vendosi në nëntor një njësi policore të formuar rezervë të përbërë nga 24 xhandarë italianë dhe pesë lituanezë. Anëtarët e njësisë policore të formuar të EULEX dhe njësisë policore të formuar rezervë po kryejnë patrulla të lëvizshme zbulimi 24/7, duke punuar me turne dhe ata po mbikqyrin gjendjen e sigurisë në Kosovën e veriut, duke përfshirë Mitrovicën e Veriut”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Nga misioni kanë thënë se ata nuk mund ta zëvendësojnë Policinë e Kosovës, ani se kanë rritur dukshëm patrullimet atje.
“EULEX nuk mund të zëvendësojë policinë e Kosovës, e cila është përgjegjësi i parë i sigurisë i Kosovës. Misioni mund të mbushë vetëm pjesërisht boshllëkun e sigurisë që u krijua në Kosovën e veriut pas dorëheqjes së policëve serbë të Kosovës nëpërmjet rritjes së pranisë së tij në terren”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.
Në përputhje me mekanizmin e përgjigjes së sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës është përgjegjësi i parë i sigurisë, EULEX është i dyti dhe NATO/KFOR është i treti.