Favorizim i oligarkëve: Hysen Durmishi kriter 1 milion euro në bankë kompanive për mirëmbajtje të udhëve (Dok)

Favorizim i oligarkëve: Hysen Durmishi kriter 1 milion euro në bankë kompanive për mirëmbajtje të udhëve (Dok)

Pas sprovës në pushtet, Qeverisë Kurti nuk po u dalin llogaritë e as fjalët. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi po shkon drejt rrugës së paraardhësve të tij pushtetar. Favorizim i “oligarkisë” e ngulfatja e konkurrencës për ndërmarrjet e mesme është shfaqur në një tender milionësh të ministrisë së Infrastrukturës. Parime këto që janë kundër politikave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deklaratave publike që i kanë bërë si opozitë e pasi kanë ardhur në pushtet…

Kjo mund të konstatohet, pasi të shihen kriteret që janë vendosur për tenderin e mirëmbajtjes së autostradave.

Para pak ditëve, prokurimi i ministrisë që udhëhiqet nga Nexhat Krasniqi, ka hapur ofertat për kontratën: “Mirëmbajtja dimërore dhe verore e Autoudhës A7 (Ibrahim Rugova), lot 1 dhe lot 2 dhe Mirëmbajtja dimërore dhe verore e Autoudhës A6 (Arbër Xhaferi) lot 3 dhe lot 4.

Janë rreth 25 garues, kryesisht kompani në konzorcium që kanë konkurruar. Shumica e tyre për dy lote, ndërkohë që ministria pritet të shpallë fituesit, ose ta anulojë krejt në javën tjetër.

Tenderi peshon 16.4 milionë euro dhe nga ai metohet të nënshkruhen 4 kontrata, pasi është i ndarë në kaq lote (pjesë).

Sikurse edhe për çdo kontratë tjetër, edhe në këtë janë vendosur kriteret dhe kushtet teknike që duhet të plotësohen nga garuesit që duan të fitojnë.

Periskopi ka pikasur vetëm disa kritere të vendosura që kanë të bëjnë me gjendjen financiare të kompanive, të cilat siç janë vendosur mund t’i plotësojnë veç kompanitë e mëdha.

Tek “Kërkesat mbi gjendjen ekonomike dhe financiare” janë vendosur kritere që e kufizojnë konkurrencën, duke favorizuar vetëm kompanitë e fuqishme.

Siç ka mësuar Periskopi, më shumë se gjysma e kompanive në garë nuk i kanë përmbushur kriteret minimale të qarkullimit bankar dhe të parave të gatshme që i kanë në bankë. Kjo ngase me kontratë mund të shpërblehen vetëm kompanitë që kanë realizuar projekte në lëminë e mirëmbajtjes.

Sipas kërkesave të vendosura, operatori ekonomik ose grupi i operatorëve ekonomik, mund të konkurrojë në të gjitha lotët me të njëjtin (kapacitet) staf dhe me të njëjtat pajisje, mirëpo për t’u shpërblyer në më shumë se një lot, duhet të ketë kapacitetet e nevojshme për të gjitha lotet veç e veç.

Sipas dosjes së tenderit që e ka parë Periskopi, tek kërkesat Kapaciteti Ekonomik dhe Financiar është kërkuar që kompania të ketë kapital të mjaftueshëm për realizimin e kontratës, mjete të gatshme në xhirollogarinë bankare në vlerë prej së paku: Loti I. 1,080,000.00 euro, Loti II. 900,000.00 euro, Lot III. 600,000.00euro , Lot IV. 660,000.00 euro .Ose të ketë qasje në kredi të pa kushtëzuar, nga një bankë duke emërtuar projektin për të cilin lejohet kredia.

Shtrohet pyetja: Cila kompani që ka realizuar mirëmbajtje në tri vitet e fundit në Kosovë i ka mbi 1 milion euro para të gatshme në konto, zoti Durmishi? Një, dy, tri… apo ndoshta asnjë…

Po ashtu, tek kapacitetet ekonomike financiare është kërkuar që kompania duhet të ofrojë dëshmi se qarkullimi vjetor, gjate 3 viteve të fundit (2019, 2020 dhe 2021) ka qenë në vlere jo më pak se:

Loti I.  8,100,000.00 euro,  Loti II.  6,750,000.00  euro, Loti III. 4,500,000.00  euro, Loti IV. 4,950,000.00  euro.

Kjo kërkesë automatikisht favorizon vetëm kompanitë e mëdha. Madje, një numër të vogël të tyre, sepse bëhet fjalë për kompanitë që merren me mirëmbajtje.

Kriter tjetër që është kërkuar, po ashtu që favorizon vetëm kompanitë gjigante është: “Lista e kontratave te realizuara  përfunduara në lëminë e Mirëmbajtjes , të Autostradave, Rrugëve Nacionale, Regjionale dhe Lokale, për periudhën e shkuar tre vjeçare (2019, 2020 dhe 2021) jo më pak se  Lot 1 = 5,400,000.00  euro, Lot 2 = 4,500,000.00  euro, Lot 3 = 3,000,000.00 €, Lot 4 = 3,300,000.00  euro”. Këtë kriter nuk mund ta plotësojë asnjë kompani në Kosovë, për faktin se punët e ngjashme të mirëmbajtjes që i kanë bërë në tri vitet e fundit me Ministrinë e Infrastrukturës, akoma nuk i kanë marrë referencat, ose ato që kanë referenca, janë me kontrata në shuma më të vogla.

Sipas ofertave të kompanive që i ka parë Periskopi, në mënyrë që të përmbushet ky kriter, kompanitë janë detyruar që të formojnë konzorciume, madje edhe me kompani nga Shqipëria, që ato t’i mbështesin me letra për kriteret e lartshënuara.

Kohëzgjatja e kontratës është publike, kornizë për 36 muaj-ose për tri vite. Vlera e parashikuar për të gjitha lotet është 16 milionë e 434 mijë euro.

Kriteret në kundërshtim me parimet e VV-së e deklaratat e Hysen Dumrishit

Në prill të vitit të kaluar, Ministria e Infrastrukturës kishte anuluar një tender për mirëmbajtjen dimërore dhe verore të rrugëve nacionale dhe rajonale në Kosovë, tender i shpallur në kohën kur ministër ishte Pal Lekaj. Zëvendësministri, Hysen Durmishi në një konferencë për media, kishte thënë se arsyeja e anulimit të tenderit ishte sepse me të ishte parashikuar që të jetë kontratë kornizë tre vjeçare dhe nuk mund të ndryshohej, si dhe Ministria ishte e interesuar që të ndryshojë disa pozicione të paramasës dhe të kushteve teknike.

“Është kontratë kornizë 3 vjeçare e cila lejonte që menaxheri i kontratës t’a rriste vlerën e kontratës deri në 30 për qind. Ne e kemi bërë një vjeçar. Arsyeja e dytë ka të bëjë me kriteret teknike të cilat duhet ti ndryshojmë në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe konkurrencë më të madhe në mes kompanive. Kriteret do të jenë të tilla që të kenë mundësi më shumë kompani të marrin punë dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën kur paraprakisht është ditur se cilat kompani do të fitojnë. Tani kjo praktikë shumë e keqe që është vendosur nga qeveritë e kaluara dhe ministrat e kësaj ministrie do të ndryshojë përfundimisht!”, kishte thënë Durmishi.

E gjithë kjo deklaratë e zëvendësministrit bie ndesh me kriteret e vendosura në tenderin mirëmbajtës të autostradave. Këtu nuk mund të ketë gjithëpërfshirje, sepse ky tender është kornizë për 36 muaj dhe jo një vjeçar, siç ka mundur të bëhet.

Neni 3 i dosjes së këtij tenderit thotë se “Çmimet njësi të shërbimeve janë paraqitur në Ofertën Financiare, Lista e Çmimit e paraqitur nga Ofruesi i Shërbimeve. Vlera totale indikative e kontratës në euro. Devijimi i lejuar nga vlera totale indikative është  (+- 30%)”.

Pra, tenderit i janë vendosur mundësitë ligjore që të rritet në 30 për qind, ose për rreth 5 milionë euro, dhe nga 16.4 milionë të bëhet 21.3 milionë euro. Faktikisht, devijimi i lejuar prej plus minus 30 për qind i kontratës është tek të gjitha kontratat e vlerës së madhe të tipit korniza. Po të ishte një vjeçare, që ka mundur të jetë, si ai paraprak që e kishte kthyer në të tillë nga Durmishi, ky kriter do të mund të hiqej. Po ashtu, kjo bie ndesh me deklaratat e vjetshme të Durmishit.

 

Favorizim i ndërmarrjeve të mëdha është në kundërshtim edhe me politikat e majta të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilat anojnë ka fuqizimi i ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla.

Pra, në vitin e kaluar,  mirëmbajta verore dhe dimërore nga kontrata kornizë ishte bërë një vjeçare, rrjedhimisht ishte ulur edhe parashikimi i kontratës në 11 669 471,34 euro, që është për rreth 5 milionë euro më pak se vlera e mortajës së autostradave që është kornizë për 36 muaj. Tek mirëmbajtja, ministria kishte kërkuar që kompania ose grupi i kompanive duhet të ofrojë dëshmi se qarkullimi gjatë 3 viteve të fundit 2018, 2019, 2020 jo më e vogël se 1,300,000.00 euro. 2.Operatori ekonomik duhet të ketë të paktën 200,000.00 euro asete likuide financiare (për shembull në llogarinë bankare) ose të paktën 200,000.00 euro qasje për kredi në dispozicion.

Ligji lejon që qarkullimi bankar të jetë më i vogël

Lidhur me gjendjen me kriteret “ekonomike dhe financiare” që duhet të ketë kompania gjatë ofertimit, flet neni 68 dhe 69 i Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 04/L-042.

Ligji nuk e saktëson se sa duhet të jetë decitivisht qarkullimi bankar në tri vitet e fundit, apo paratë e gatshme në bankë, por tregon se duhet të plotësohen kushtet financiare.

Çështja e kapaciteteve ekonomike dhe financiare është e përcaktuar me shumë tek legjislacioni sekondar i prokurimit publik, konkretisht tek “Rregullat dhe Udhëzuesi Operativ për Prokurimin Publik -RUOPP”

Sipas RUOPP, qëllimi i këtij kriteri është që të vlerësojë nëse tenderuesi ka stabilitetin e mjaftueshëm financiar dhe ekonomik për të përformuar kontratën e propozuar.

“Në rast të kontratave me vlerë të madhe, kur Operatori ekonomik ka për të financuar zbatimin e kontratës, është e dobishme për të kërkuar shumë të caktuar të likuiditetit ose për të njëjtën vlerë shënim premtues për kredi. Mund të sigurojë se Operatori ekonomik do të marrë kredi nga banka në rast nevoje, ose kompania ka të holla (cash) dhe është në gjendje të zbatojë kontratën pa kredi. Për më tepër, banka mund të vërtetojë se Operatori ekonomik paguan rregullisht pa vonesë shpengimin e tij të kreditit, e cila gjithashtu është një garanci se Operatori ekonomik ka sfond solid financiar”, thuhet në KRRR.

Kjo është ilustruar edhe me shembull se si duhet të ishte.

“Shembull i mirë: Kërkesa 1. Operatori ekonomik duhet të ketë të paktën 500.000 euro asete likuide financiare (për shembull në llogarinë bankare) ose të paktën 500.000 euro qasje për kredi në dispozicion. Dëshmia dokumentare 1. Deklarata nga banka qe vërteton disponueshmërinë e 500.000 euro në llogarinë bankare të kompanisë apo një vërtetim bankar (shënim premtues) që konfirmon se kompania mund të marrë kredi prej 500.000 euro, nëse është e nevojshme. Data e deklaratës bankare nuk mund të jetë më herët se data e publikimit të njoftimit të kontratës dhe i referohet aktivitetit në fjalë”.

Pra, edhe në rastin e kontratës së ministrisë, ka mundur që operatorit t’i kërkohet një vlerë minimale prej 500 mijë eurove në bankë, ose qasje në kredi. Por, prokurimi i ministrisë shumën më të vogël që e ka vendosur është në vlerë prej 660 mijë euro për lot IV dhe 1 milionë e 80 mijë më të madhen për lot I.

Periskopi ka parë disa vlera të ngjashme të kontratave të mëdha, që janë realizuar së fundmi nga ministria, si edhe atyre paraprake të mirëmbajtjes së autostradave, në to nuk është kërkuar një rrjedhë kaq e madhe financiare, e gatshme në bankë, apo qarkullim bankar.

Çka synohet të mirëmbahet me këto kontrata

Derisa ministria ka vendosur një shumë prej 16 milionë eurove për tri vite në të katër pjesët, shpenzimet vjetore janë ndarë në shumë prej: Lot 1 -1,828,000.00 euro, lot 2 -1,518,000.00 euro, lot 3 -1,011,000.00 euro, dhe lot 4 -1,121,000.00 euro.

Sipas specifikave teknike të vendosura, mirëmbajta nënkupton, që ngasësit në këto dy autostrada të lëvizin pa asnjë pengesë gjatë dimrit dhe verës, duke u ofruar atyre të gjitha kushtet e një rruge që i ofroni një autoudhë (autostradë), sipas të gjithë parametrave të sigurisë, që nga heqja e borës gjatë dimrit, largimi i ujërave, mirëmbajtja e gardhit rrethues, heqja e kafshëve të ngordhura, prerja e barit, rregullimi i pusetave, riparimi i asfaltimit, shenjat e komunikacionit, etj. /PERISKOPI/

Shpërndaje në: