Gjermanët nuk ndryshojnë qëndrim pas letrës së Gërvalles: Draft-statuti s’është dërguar në Gjykatë Kushtetuese

Gjermanët nuk ndryshojnë qëndrim pas letrës së Gërvalles: Draft-statuti s’është dërguar në Gjykatë Kushtetuese

Një ditë para se Komiteti i Ministrave të mblidhet në Strasburg, Qeveria e Kosovës sot me mëngjes i ka dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës me zotimin që do të përgatisë një draft për krijimin e Asociacionit dhe të cilin do ta dorëzojë në Kushtetuese deri në fund ta majit. Me këtë synoi që ka përmbushur kushtin e kërkuar nga Gjermania e Franca për të proceduar kërkesën e Kosovës në mbledhjen e nesërme. Por, Gjermania s’e konsideron kusht të plotësuar.

Ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se lëvizja e fundit e Qeverisë së Kosovës s’përbën hapin e madh të kërkuar nga Kosova.

“Quint-i dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit (ASM) në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm. Sipas mendimit tonë, dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së Komitetit do të ishte një hap i tillë. Siç tha ambasadori Rohde në postimin e tij në Twitter pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: “Kosova tani duhet ta bëjë punën e vështirë”. Kjo ende nuk ka ndodhur”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës gjermane, Christian Böttcher .

Gjermania dhe Franca ditë më parë kanë kërkuar nga Kosova që të bëjë hapa urgjentë dhe konkretë drejt themelimit të Asociacionit që në këmbim të marrë mbështetjen e tyre për votën finale për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës.

Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar këtë kërkesë duke bërë që Kosova të mos futet në agjendën e Komitetit të Ministrave më 17 maj.

Megjithatë, mundësia qëndron që agjenda të ndryshohet në minutat e fundit.

Për këtë, një ditë para mbledhjes në Strasburg, kryediplomatja Donika Gërvalla njoftoi për vendimin e marrë për zotimin se drafti i Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

“Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës. Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat”, tha ajo.

Ajo tha se drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.

“Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte. Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.

Arben Gashi për letrën e Gërvalles: E gabuar politikisht dhe taktikisht

 

Shpërndaje në: