Gjithçka që duhet të dini për aksionin e Policisë në Veri dhe në Drenicë

Gjithçka që duhet të dini për aksionin e Policisë në Veri dhe në Drenicë

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, Policia e Kosovës ka nisur një aksioni në veri të vendit dhe në Skënderaj e Drenas. Aksioni është kryer në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Bilanci i këtij aksioni është: 9 të arrestuar dhe katër policë të plagosur… Aksioni ka përfunduar rreth orës 12.

Policia e Kosovës me njësitet e saj ka nisur një aksion të gjerë në veriun e vendit dhe në rajone të tjera sin ë Drenas e Skënderaj, ku janë arrestuar disa të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion.

Nga ky aksion, janë arrestuar gjithësej nëntë persona ndërkaq kanë mbetur të lënduar katër policë të Policisë së Kosovës.

Të arrestuarti nga Policia e Kosovës janë të etnive të ndryshme: shqiptarë, serbë e boshnjakë.

Reagimet e liderëve institucionalë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se operacioni i sotëm policor në veri është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim, ndërsa ka ftuar komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar.

“Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi gjithashtu ka shprehur keqardhjen për plagosjen e policit kosovar në krye të detyrës.

“Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave”, shkruan Presidenti.

“Forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike! “, ka theksuar në fund Presidenti.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në reagimin e tij, ka thënë se ‘Serbia nuk duhet të minojë pëprjekjet për sundim të rendit dhe ligjit”.

Postimi i kryeministrit Haradinajt:

Forcimi i sundimit të ligjit është interes thelbësor i vendit dhe rajonit tonë. Krimi i organizuar dhe kontrabanda janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për progresin tone të përbashkët, dhe NUK duhet të mbështetet mbi bazën e përkatësisë etnike dhe të çfarëdo baze tjetër. Qeveria e Serbisë nuk duhet të synojë minimin e përpjekjeve tona për luftimin e krimit të organizuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke komentuar operacionin e policisë në veri, ka deklaruar se askush nuk do të shpëtojë nga dora e ligjit, përfshirë edhe ata që kanë mbajtur uniformë e poste zyrtare të shtetit të Kosovës.

Postimi i plotë i Veselit në Facebook

Nuk ka objektiv më të rëndësishëm për shtetin sesa garantimi i sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Askush nuk do të shpëtoj nga dora e ligjit, përfshi ata njerëz që kanë abuzuar duke mbajtur uniformë e poste zyrtare të shtetit të Kosovës. Përgëzoj policët për kurajën dhe profesionalizmin e dëshmuar. Shpreh solidaritetin për policët e plagosur duke iu dëshiruar një shërim sa më të shpejtë. U bëj thirrje bashkëqytetarëve tanë të komunitetit serb, që të vetë-përmbahen, të ruajnë qetësinë si dhe mos të bien pre e propagandës që synon të instrumentalizoj për qëllime politike një aksion të rendit publik. Përpjekjet për të vendosur rendin dhe ligjin, janë pikësëpari në shërbim të tyre, sepse ata, për një kohë të gjatë, janë ndjerë të kërcënuar e prekur nga prania e krimit të organizuar. Unë i siguroj se, Republika e Kosovës, është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim etnie e feje dhe mbetet e angazhuar seriozisht për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e të gjithë qytetarëve të saj kudo ku jetojnë.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, në reagimin e tij veç tjerash ka thënë se ‘krimi nuk njeh etni’.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se duhet të përshëndetet çdo aksion dhe veprim ligjor e legjitim i organeve të drejtësisë së Kosovës në tërë territorin e vendit.

Ai tha se krimi i organizuar nuk njeh etni, ashtu siç nuk duhet të njoh as ligji.

“Të gjithë ata, shqiptarë, serbë, boshnjakë e të tjerë, zyrtarë e jo zyrtarë duhet të përgjigjen në mënyrë të barabartë para ligjit për veprimet e dëmshme që po ia shkaktojnë vendit”, shkroi Mustafa.

Ai shtoi se drejtësia nuk guxon të jetë selektive si në rastin e fajdeve.

“Zbatimi i drejtësisë nuk duhet ta shqetësojë askënd dhe as Serbinë, nëse ata nuk janë të involvuar në këto veprime kriminale”, përfundon Mustafa.

KFOR: Ne nuk përzihemi, por jemi të gatshëm

Lidhur me aksionin policor në veri KFOR përmes një komunikate për media thotë se në atë pjesë nuk është e vendosur as FSK-ja e asnjë forcë tjetër ushtarake. Mirëpo, vlen të theksohet, se ka qenë zëdhënësi i KFOR-it, që përmes një deklarate për mediat serbe ka thënë se ‘KFOR nuk përzihet në këtë situatë pasiqë Policia e Kosovës vetëm po e kryen punën e saj’.

“Lidhur me situatën aktuale, KFOR-i informon se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletëarrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me një hetim mbi korrupsionin. KFOR-i konfirmon se kjo është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës”, theksohet në reagimin e KFOR-it.

Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it i ka ftuar të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë.

“Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar”, theksohet KFOR.

KFOR-i ndër tjerash ka deklaruar se vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Reagimet nga Serbia

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar se ‘ushtria serbe është e gatshme’ derisa ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq deklaronte se ‘është nisur për në Zubin Potok’.

“ Deri më tani janë arrestuar 23  persona, kryesisht të nacionalitetit serb por ka edhe boshnjakë.  Aksioni është ndërmarr në tri komuna, Mitrovica e veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok”, ka thënë Vuçiq, transmeton B92, përcjell Periskopi.

Në mesin e të arrestuarve më së shumti ka pjesëtarë të Policisë, ka thënë presidenti serb.

“Në të vërtetë është ajo që e kemi ditur para 15 ditësh kur e kemi alarmuar bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq tha se kanë informata se në mesin e të arrestuarve është edhe një shtetas rus, punëtor i UNMIK-ut.

Thaçi i përgjigjet Vuçiqit për ushtrinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas mbledhjes që ka zhvilluar me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë, ka deklaruar se Policia e Kosovës po zhvillon një aksion normal në disa pjesë të vendit, ku ka arrestuar ‘ata që kanë shkelur ligjin’.

Ai i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me paralajmërimin e Vuciqit se e ka gati ushtrinë të niset për në Kosovë.

“Është një deklaratë populiste që ka parasysh opinionin e brendshëm në Serbi. Vuçiq e di shumë mirë që nuk mund të lëvizë në drejtim të Kosovës, edhe ai vetë është i bindur porn ë çdo rast, institucionet e sigurisë së Kosovës janë në gjendje gatishmërie. Deklarimet populiste nuk janë për luftë, janë për cështje të tyre të brendshme për të fituar simpati brenda opinionit atje. Askush nuk ka të drejtë t’i mbrojë njerëzit që kanë shkelur ligjin dhe Beogradi duhet të jetë bashkëpunues në këtë drejtim. Beogradi do të duhej të tregohej bashkëpunues.  Është një aksion i përbashkët, ku ka qytetarë të arrestuar nga veriu, nga Drenica, është arrestuar edhe një rus që ishte kamufluar . Ftoj qytetarët të jenë bashkëpunues dhe u jam mirënjohës që kanë qenë bashkëpunues në këtë rast”, ka thënë Thaçi.

Mediat botërore për zhvillimet në veri

Agjencitë botërore transmetuan lajme nga aksioni i forcave speciale të policisë së Kosovës.

AP thekson se Serbia ka urdhëruar që trupat e saj të jenë plotësisht të përgatitura pas raportit se Policia e Kosovës hyri në veri për të arrestuar policët e akuzuar për kontrabandë, krim të organizuar, keqpërdorim i pozitës.

Agjencia citon Marko Gjuriq, shef i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën se veprimi i policisë së Kosovës ishte projektuar për të trembur dhe dëbuar serbët nga Kosova, dhe përfaqëson “jo vetëm kërcënim për stabilitetin, por edhe kërcënimin më të drejtpërdrejtë për paqen”.

Agjencia italiane Ansa njofton se në mëngjesin e hershëm në veri të Kosovës, njësitë e policisë speciale arrestuan 13 anëtarë serbë të policisë së Kosovës, e cila sipas agjencisë italiane ngriti tensionet ndëretnike.

Ansa transmeton se janë dëgjuar sirenat në pjesën veriore të Mitrovicës, qyteti më i madh në veri të Kosovës.

Agjencia thotë se presidenti serb Vuçiq kërkoi nga vendet perëndimore për të ndërhyrë tek autoritetet në Prishtinë për t’i bindur ata që të ndalojnë veprimet ndaj popullatës serbe.

Ndërsa, agjencia ruse Tass thotë se veprimi i Prishtinës zyrtare “ka provokuar zemërimin e serbëve të Kosovës”. /Periskopi/

 

 

Shpërndaje në: