Haliti: Ajo çka në të vërtetë u fol në takimin Kurti-Macron, nuk u bë publike

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditë së djeshme pati takimin e parë me presidentin francez, Emanuel Macron që kur e mori detyrën. E temë diskutimi padyshim ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë. Sikurse edhe herën e fundit në Bruksel, edhe kjo paraqitje e kryeministrit tonë u prit me kritika. Deputeti nga radhës e PDK’së, Xhavit […]
Xhavit Haliti mendon se në takimin mes Kurtit dhe Macron janë përçuar mesazhe por edhe tërheqje vërejeje rreth deklaratave të papërgjegjshme që mund të kenë ardhur deri tash nga delegacioni kosovar sa i përket dialogut.
‘’ Mendoj që porosia ka qenë ajo që përafërsisht është publikuar. Por duhet ta kemi parasysh edhe disa çështje që mund t’i tërhiqet vërejtja lidhur me deklaratat e papërgjegjshme të delegacioneve të Kosovës, politikanëve të Kosovës në raport edhe me Francën por edhe me qëndrimet e që duhet t’i mbajmë lidhur me dialogun që do të zhvillohet’’, tha Haliti për Periskopin.
‘’Ato deklaratat që ipen jashtë takimit janë deklarata të dy kryeministrave, ose presidentit por ajo që është bisedu brenda ne nuk e dijmë. Ajo që është me rëndësi janë disa çështje për të cilat unë po besoj duke marrë parasysh ato bisedimet që kemi pasë edhe unë kur kam shku tek ministria e Jashtme e presidenti, janë shqetësime që Franca ka zakonisht për rajonin dhe duhet me ditë se Franca krahas mbështetjes për pavarësinë e Kosovës, kontributin për ta ndalë regjimin e Millosheviqit, ka edhe anën tjetër të medaljes se është njëri prej shteteve mike historike të Serbisë’’, thekson Haliti.
Haliti i PDK’së është ithtar i asaj që kryeministri i Kosovës, presidenti e kryeparlamentari duhet t’i takojnë gjithë bashkësinë ndërkombëtare dhe t’i diskutojnë hapur problemet.
E Haliti mendon se Kosova s’ka nevojë për përlarje nëpër takime, por për argumente dhe përshtypje pozitive para ndërkombëtarëve.
‘’S’duhet të shkojmë për t’u përla por për t’i dhënë argumentet tona dhe të zbusim qëndrimin dhe të krijojmë përshtypje pozitive, jo negative tek këto delegacione të huaja. Mund të ketë cështje që diskutohen që nuk janë për publikun, por ajo që ne na duhet është krijimi i raporteve të besueshme, jo deklaratave në raport me bashkësinë ndërkombëtare’’, përfundon Haliti.
Kryeministri Kurti dje ndër të tjerash theksoi se Franca nuk dha siguri për liberalizimin e vizave, ndërkohë përmendi edhe dialogun dhe pozicionin e tij karshi kësaj çështjeje.
Kurse presidenti francez, Macron kërkoi kompromis mes Kosovës dhe Serbisë./PERISKOPI/












