‘Haradinaj i kishte bërë dëm të pa riparueshëm arsimit, tash po sulmon KShC-në për të fituar vota’

‘Haradinaj i kishte bërë dëm të pa riparueshëm arsimit, tash po sulmon KShC-në për të fituar vota’

Reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mos akreditimin e Universiteteve publike në Pejë, Prizren e Mitrovicë, po shihet i pa tolerueshëm dhe vetëm si ‘kalkulim për vota’ nga deputetë si dhe nga Komisioni për Arsim Shkencë dhe Kulturë në Kuvendin e Kosovës, shkruan Periskopi…

Ismail Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim Shkencë dhe Kulturë, thotë se një ndërhyrje e tillë e Haradinajt, është e papranueshme sepse Këshilli Shtetëror i Cilësisë është organ i pavarur.

“As kryeministri as kryetari i komisionit, as kurrkush nuk do të duhej të ndërhynte në vendimet institucionet e pavarura derisa ato të jenë, janë ndërmarrë bazuar në ligj në rregullore dhe në udhëzime administrative, nëse vendimet nuk janë në përputhje me infrastrukturën ekzistues ligjore atë herë në radhë të parë duhet të ndërhyjë gjyqësia, po ndërhyrje mund të këtë nga të gjitha anët”, ka thënë Kurteshi për Periskopin.

Kurteshi ka thënë se kushdo që ndërhyn më institucionet e pavarura, gabon dhe cenon pavarësinë e atij institucioni.

“Nëse ndërhyhet në vendimet e institucioneve ta pavarura atëherë nuk e di pse ekzistojnë ato, kështu që si kryetar i komisionit, nëse janë vendimet të bazuara në ligj rregullore për mu është çdo gjë në rregull dhe kushdo që ndërhyn në vendime të tilla gabon dhe prek në pavarësinë e institucioneve të pavarura”, ka thënë ai.

Ndërkohë deputeti Milaim Zeka, është ndër më të zëshmit që po reagon ndaj ndërhyrjes së kryeministrit në këtë rast.

Zeka tha se ndërhyrja e kryeministrit është e pakuptimtë dhe se po bëhet vetëm për të fituar votat.

“Ndërhyrja e kryeministrit është e pa tolerueshme dhe komplet e pakuptimtë, pse po bëhet kjo ndërhyrje nga ana e kryeministrit, vetëm për shkak të kalkulimit të votave, nuk po bëhet me mbrojt arsimin, po bëhet me kalkuluar  vota, se mësimdhënësit e këtyre tri universiteteve dhe studenteve me u bashkëngjitë në zërin e kryeministrit. Arsimi në Kosovë nuk rregullohet duke kalkuluar në vota por duke vepruar me ligjet evropiane për arsimin”, ka thënë Zeka për Periskopin.

“Kryeministri i ka ba një dam ta pariparueshëm Kosovës me vendimin e tij për t’i shkarkuar anëtarët Agjencisë së Akreditimit. Ai ka qenë një dam i pa riparueshëm sepse në Zyrën e Kryeministrit ka ardhë një matrapaz i cili kurrë nuk është dashtë me i dhanë licencë për kolegj, Avni Mazrekut me Kolegjin ISP, një mashtrues ordinerë, ku më vonë është konstatuar së njerëz, zyrtar të lartë të partisë së Nisma’s kanë qenë aksionar në këtë kolegj dhe për shkak se kanë qenë aksionar të këtij kolegji iu ka dhënë licenca, ani pse ai nuk e ka merituar kurrë”, ka thënë Zeka, duke shtuar se kjo ishte ndërhyrja e parë e kryeministrit Haradinaj në arsim.

Tutje, Zeka ka bërë apel që Agjencia për Akreditim të mos ndalet.

“Unë i bëj ftesë Agjencisë për akreditim që ta vazhdoj rrugën e vetë sepse shumicës dërmuese të kolegjeve dhe universiteteve duhet me ju hjekë akreditimi në qoftë se ndjekin ligjet evropiane”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot përsëri kryeministri Haradinaj ka reaguar lidhur me vendimin e KShC’së duke i quajtur anëtarët e këtij bordi mercenar dhe mafioz./Periskopi/

Shpërndaje në: