Hyseni nuk pret asgjë nga takimi Kurti-Vuçiq: Vendimeve t’u shkohet deri në fund se nuk na merr seriozisht askush

Hyseni nuk pret asgjë nga takimi Kurti-Vuçiq: Vendimeve t’u shkohet deri në fund se nuk na merr seriozisht askush

Ish-kryenecogiatori dhe njohësi i politikës së Jashtme, Skender Hyseni në një intervistë për Periskopin ka treguar se nuk pret diçka konkrete nga takimi i dytë Kurti-Vuçiq në Bruksel. Sipas tij, Qeveria Kurti ka stagnuar procesin e dialogut, duke e kthyer në nivel teknik.

Hyseni ka folur edhe për situatën e fundit të krijimit të tensioneve në veri dhe shtyrjes së masës së reciprocitetit ndaj Serbisë për 30 ditë.

Nga ai u komentua po ashtu takimi Kurti, Osmani, Blinken në Amerikë, për çka thotë se ka dijeni se aty janë dhënë mesazhe të qarta e që nuk janë bërë fare publike për opinionin.

 

Intervista e plotë:

Periskopi: U konfirmua takimi i radhës Kurti-Vuçiq në fund të gushtit. Çka mund të presim?

Skender Hyseni: Nuk pres asgjë. Sepse duket që edhe Vuçiq edhe Kurti janë të interesuar ta ruajnë status-quonë. Nuk janë të interesuar për zgjidhje. Natyrisht, Serbia ka interes të ruhet status quoja në Kosovë dhe të mos ketë kurrfarë rezultatesh në dialog, pra të mos arrihet një marrëveshje e përgjithshme obliguese që nënkupton edhe njohjen e Kosovës. Në anën tjetër, unë nuk po shoh veprime të vendosura të Qeverisë që Kurti drejt një marrëveshje të përgjithshme. Qeveria Kurti ka degraduar dialogun tërësisht në nivel teknik, duke u përpjekur të arrijnë marrëveshje parciale. E, nuk ka strategji më të gabuar për Kosovën se sa përpjekja me zbatua marrëveshje parciale pa një marrëveshje të përgjithshme, të përqendruar në njohje të ndërsjellë.

Periskopi: Çdo ditë dëgjojmë deklarata kërcënuese dhe me plot mllef nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.  Sa mund të ndikojë kjo në dialog dhe a po e mban Kosova qasjen e vet siç duhet?

Skender Hyseni: Ajo është strategji e qeverisë serbe dhe ka qenë çdoherë strategji për ta konsumuar energjinë e Kosovës në çështje të dorës së tretë dhe të katërt. Kosova nuk duhet të lodhet çfarë thotë Serbia në kuptim të deklaratave luftënxitëse, sepse vetëm humb kohë. Është strategji e tyre që Kosovën ta mbajë në tension dhe të humbë fokusin në çështjet primare. Rëndësi të parë dhe primare ka arritja e një marrëveshje të përgjithshme me njohje të ndërsjellë. Qeveria e Kosovës duhet të mos bëjë dialog për asnjë çështje të veçantë, madje kjo është strategjia më e mirë. Qeveria duhet të thotë qartë se nuk ka zbatim të asnjë marrëveshje derisa nuk arrihet njohja. Marrëveshja e përgjithshme i bën të zgjidhshme dhe madje tërësisht të parëndësishme shumë nga marrëveshjet e veçanta. Në rastin kur kemi marrëveshje të përgjithshme, çështja e targave e dokumenteve nuk do jetë më çështje, sepse do të zgjidhen me automatizëm. Unë e shoh të rëndësishme strategjinë negociuese të Qeverisë së Kosovës që e kemi pasë në Bruksel, në kohën kur unë i kam zhvilluar negociatat. Kemi debatuar rreth asaj thelbësores. Pë çka bëhet ky dialog? Përderisa Serbia ka insistuar se normalizimi mund të vije përmes zbatimit të marrëveshjeve të veçanta, unë kam insistuar dhe Kosova ka qenë këmbëngulëse që të shkojmë në normalizim s’pari, e pastaj zbatimi.

Pra ka qenë formula serbe përmes zbatimit deri te normalizimi, ndërsa e jona përmes normalizimit deri te zbatimi. Qeveria tash ka bërë një gabim të madh që ka pranuar të bisedojë e negociojë në Bruksel për tema të veçanta.  Brukseli ka kohë sa të duash. Nuk lodhet. Edhe Serbia ka kohë sa të duash. Kosova nuk ka shumë kohë për ta zgjidhur këtë problem sepse mosmbyllja e  këtij problemi po reflekton shumë në zhvillimin ekonomik, në tërheqjen e invstimeve, të huaja, investitorëve të huaj sepse ata kanë frikë të vijnë në një vend që e ka ende një problem të pazgjidhur. Nuk e kuptoj pse Qeveria Kurti është tërhequr nga parimi në dialog të cilin e kemi vendosur. Prandaj nuk jam shumë optimist që të arrihet asnjë lloj normalizimi me Serbinë përmes marrëveshjeve parciale të cilat edhe ashtu janë vështirë të zbatueshme.

Periskopi: A u bë mirë që u shtye për 30 ditë masa e reciprocitetit, duke parë edhe tensionet që u krijuan në veri?

Skender Hyseni: Është bërë shumë mirë që është shty, sepse Qeveria e Kosovës nuk mund të presë humbje për veri. Ajo duhet të llogarisë pasojat e çdo veprimi paraprakisht. Qeveria ka bërë mirë që e ka dëgjua Amerikën, e në këtë rast dhe Qeveria amerikane ka bërë shumë mirë që ka ndërhy sepse duket ashiqare që kjo Qeveri nuk ka pasë asnjë planifikim të mirë, të detajuar, nuk ka përllogaritur reagimet e popullatës serbe që reagon gjuthmonë e egër, nuk ka përllogaritur obstruksionet nga Qeveria serbe e cila bënë gjithmonë çdo veprim për të penguar progresin në Kosovë, sidomos në vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin. Ne e dijmë kush është Serbia por duhet të jemi të kujdesshëm dhe çdo veprim duhet  përllogaritur mirë avantazhet dhe disavantazhet dhe kur të marrim vendim raste, vendimit  t’i shkojmë deri në fund. Sepse dështimi nga këto në zbatim të ligjit, e dobëson pozicionin negociues, e dobëson vet Kosovën dhe përfundimisht Qeveria e Kosovës nuk merret më seriozisht as në Bruksel, as në Washington askund tjetër. Kur ata shohin që kanë një qeveri joserioze tërësisht, e cila bën veprime, pa planifikuar mirë, pa një dakoordim të detajuar dhe të mbështetur nga të gjithë akterët, edhe KFOR, edhe bashkësi ndërkombëtare, edhe me çdokënd.

Periskopi: Zotëri Hyseni, si e patë takimin e fundit Kurti, Osmani dhe Blinken në Amerikë. A ka filluar të ndryshojë kryeministër Kurti ndaj SHBA’së?

Skender Hyseni: Është mirë për Kosovën dhe cilëndo qeveri të Kosovës çdo takim me zyrtarë të lartë të SHBA’së sepse Kosova nuk ka partner më të besueshëm se sa SHBA. Është mirë që ka ndodh ai takim. Unë jam në dijeni edhe të porosive që kanë marrë Kurti e Osmani. Ato janë të qarta. Unë vetëm po  uroj  që edhe Kurti edhe Osmani t’i kenë kuptuar seriozisht porositë që kanë marrë nga sekretari.

Periskopi: Ju thoni se keni dijeni për porositë e Blinken. A ka diçka prej tyre, që Kurti e Osmani nuk i kanë shpalosur me publikun?

Skender Hyseni: Unë jam i sigurtë që ka plot mesazhe të qarta që nuk i kanë shpalosur. Unë nuk dua të spekuloj, nuk është në vetvete problem që nuk shpaloset çdo gjë, sepse duhet të ruhet një shkallë e diskrecionit diplomatik për hirë të suksesit e veprimeve në diplomaci mirëpo unë ju siguroj që asgjë më jetike dhe më të rëdësishme për SHBA’në sot, e për fat të mirë e njëjta urgjencë edhe për Kosovën, nuk ka se sa të mbyllet dialogu me Serbinë. Siç thonë amerikanët, i përqëndruar në njohje të ndërsjellë. Nëse kalohen vite te humbura, ka rrezik që Kosova të mbetet në një gjendje pezull, një shtet që nuk ka rrumbullaksuar procesin e saj të shtetndërtimit.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: