IKD: Kuvendi zhvilloi punime në tre raste pa e miratuar rendin e ditës

Naim Jakaj, hulumtuesi i lartë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të premten gjatë prezantimit të raportit me titull “Kuvendi i Dështimeve” ka thënë Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime në tre raste pa e miratuar rendin e ditës. “Sa i përket respektimit të procedurave në pajtim me rregulloren e Kuvendit, IKD gjen se në […]
“Sa i përket respektimit të procedurave në pajtim me rregulloren e Kuvendit, IKD gjen se në tre raste Kuvendi i Kosovës zhvilloi punime pa miratuar rendin e ditës në seancë plenare, për arsye se ky rend i ditës nuk u votua në Kryesinë e Kuvendit në mungesës të kuorumit”, tha Jakaj.
Në një rast, Jakaj tha se IKD ka gjetur se Kryetari i Kuvendit interpretoi gabimisht Rregulloren e Kuvendit për mosfillimin dhe mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për arsye se në sallë nuk ishin të pranishëm 61 deputetë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, IKD vlerëson se kuorumi në seancë plenare është i domosdoshëm dhe i patejkalueshëm për votimin e projektligjeve dhe akteve të tjera të Kuvendit, por kuorumi nuk duhet të jetë pengesë për zhvillimin e debatit parlamentar, veçanërisht kur ajo është e thirrur nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, bashkësi deputetësh që me Kushtetutë kanë të drejtën e propozimit edhe të amendamenteve kushtetuese.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund (RBF), të premten, në konferencën e organizuar për media ka publikuar raportin “Kuvendi i dështimeve”- Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2023. Ky raport përfshin gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet si rezultat i monitorimit sistematik të bërë në Kuvendin e Kosovës.












