Abdullahu: Dialogu do të zgjatet sepse ‘status quo’ do të forcohet

Abdullahu: Dialogu do të zgjatet sepse ‘status quo’ do të forcohet

Dje, më 27 shkurt në Bruskel, u mbajt një ndër takimet më të rëndësishme të kësaj dekade mes, kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në takimin e mbrëmshëm palët u pajtuan ta pranojnë planin franko-gjerman (evropian), megjithatë negociatat, siç tha kryediplomati i BE-së, Joseph Borrell, për modalitetet e zbatimit të saj, vazhdojnë në muajin mars.

Në një intervistë për Periskopin, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), z. Faton Abdullahu, ka përshkruar në disa pika takimin e mbrëmshëm. Ai thotë se në raport me njohjen, Kosova është një hap para dhe dy mbrapa – duke iu referuar themelimit të Asociacionit “me anekse të reja që shkojnë përtej asaj që është dakorduar në proceset e mëhershme dialoguese”.

Lexoni më poshtë intervistën e plotë të z. Abdullahu, dhënë për Periskopin:

 

-Intervista e plotë –

PERISKOPI: Pas takimit të mbrëmshëm Kurti – Vuçiq, në një pjesë të opinionit kosovar, u krijua përshtypja sikur Kurti ‘nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën’. Me një fjalë: takimi i mbrëmshëm u pa si fitore për Kosovën. A është ky një keqkuptim apo një keqinterpretim (ose të dyja)?

FATON ABDULLAHU: Në të vërtetë u krijua përshtypja se përderisa nuk u nënshkruar Marrëveshja nga Vuçiqi (sepse Kurti deklaroj se do ta nënshkruante) ajo qenka e mirë për Kosovën, apo kthyer ndryshe si e tillë qenka e dëmshme për Serbinë. Kjo në të vërtetë tregon se Serbia e ka hetuar se fal terrenit politik që është krijuar, mund të marr edhe më shumë se sa që ofron Marrëveshja aktuale, sidomos në raport me asociacionin si vetmenaxhim. Përmbledhtazi thënë, kemi vendnumërim në krejt këtë proces, apo edhe më saktë, politikisht, sidomos në raport me njohjen, kemi një hap para dy mbrapa.

PERISKOPI: Cilat janë pjesët problematike nga plani evropian? Nga vlerësimet e deritashme, përmendet autonomia për komunitetin serb, statusi i Kishës Ortodokse Serbe? Çka mund të na thoni më shumë për këto, duke iu referuar planit/marrëveshjes por edhe për pjesë të tjera të tij?

FATON ABDULLAHU: Problemet janë të shumta, prej atyre që ka jo pak paqartësi në tekst të cilat lënë vend për interpretime të ndryshe në të ardhmen e afërt, deri tek ajo që njohja e shtetit të Kosovës nuk është pjesë e Marrëveshjes. Për më keq në vend të njohjes, në qendër është ajo që është emërtuar si ‘vetmenaxhim’ e që do të jetë asociacion me anekse të reja që shkojnë përtej asaj që është dakorduar në proceset e mëhershme dialoguese. Ky është degradim i madh dhe është determitë e politikave të Qeverisë Kurti që po i bën sidomos tash dy vite.

PERISKOPI: A ka përfitime nga ky plan dhe cilat janë ato?

FATON ABDULLAHU: Në politikat ‘një hap para dy mbrapa’ nuk ka progres por ka deformim. Në anën tjetër përmendja e luftës shpesh si dhe incidentet që janë krijuar në veri kohëve të fundit, si duket kanë frikësuar bashkësinë ndërkombëtare se Kosova apo ndoshta edhe një pjesë jo e vogël e Ballkanit mund të bëhet Ukraina e dytë. Prandaj si duket ka pasur përpjekje të shtuar të ndërkombëtarëve që të amortizohen rreziqet e një lufte të mundshme, sado që në horizont nuk është parë një kërcënim i tillë. Ky dialogim, pra ai Kurti – Vuçiq, ka krijuar edhe këtë përshtypje, sado që nuk ishte fakt. BE e konsideron sukses të sajën këtë dimension, pra atë të parandalimit të stërkeqjes së situatës në veri dhe zgjerimit të saj të mundshëm gjithandej në Kosovë.

PERISKOPI: Si i vlerësoni konstatimet se me planin evropian, dialogu zgjatet edhe për 10 vite?

FATON ABDULLAHU: Dialogu do të zgjatet, sepse ‘satus quoja’ do të forcohet. Kjo Marrëveshje po e bën krejt dialogun një ‘cic mic’ politik të pafund, sepse fundi për ne është vetëm njohja nga Serbia. Për fat të keq këtu vetëm njohje nuk ka.

PERISKOPI: Çka pritet nga takimi i ardhshëm Kurti – Vuçiq, që u paralajmërua për në mes të muajit mars?

FATON ABDULLAHU: Nëse dita e mirë shihet në mëngjes, atëherë nga ky mëngjes i zymtë dhe i mjegullt politik i takimit Kurti Vuçiq, paqartësitë do të forcohen edhe më shumë. Asnjëherë nuk kemi pasur më shumë mungesë transparence se sa në këto takimet e fundit Kurti- Vuçiq. Për rrjedhojë mund të priten deformime të tjera, sidomos në raport me asociacionin si vetmenaxhim./Intervistoi: Dafina Demaku/Periskopi/ 

Shpërndaje në: