INTERVISTË: Drejtori Krasniqi tregon për masat e fundvitit, oksigjenin, dhe vaksinat anti-Covid në Kosovë

INTERVISTË: Drejtori Krasniqi tregon për masat e fundvitit, oksigjenin, dhe vaksinat anti-Covid në Kosovë

Diskutimet në opinionin publik se në Spitalet Rajonale ka mungesë të oksigjenit, i hedhë poshtë Valbon Krasniqi U.D. i  Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK-së)

Ai në një intervistë për Periskopin ka thënë se pavarësisht që shpenzimet janë rritur në mënyrë enorme rreth furnizimit me oksigjen gjendja është stabile.

Krasniqi ka treguar se aktualisht ShSKUK’ja ka kontratë me dy kompani të cilat furnizojnë në baza ditore.

U.d i Drejtorit të Përgjithshëm të  ShSKUK-së po ashtu ka folur edhe për ardhjen e vaksinës anti-Covid, duke thënë se Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje që të sigurojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Infektologu Valbon Krasniqi tha se pavarësisht rënies së numrit me të prekurit me Covid-19 javëve të fundit, sipas Krasniqit ‘numër prej rreth 300-500 rasteve në ditë ende është i lartë për vendin tonë’

Për më shumë informacione rreth situatës  së krijuar me pandemi lexoni intervistën e plotë me Valbon Krasniqi U.D. i  Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK-së) -Intervistoi-Besarta Hoti

Periskopi:

Si qëndron SHSKUK-ja  rreth furnizimit me oksigjen pasi që ka pasur raportime se disa spitale rajonale (Pejë, Gjilan etj), kanë pasur mungesë të oksigjenit?

Valbon Krasniqi:

Furnizimi me oksigjen i  SHSKUK aktualisht është stabil. ShSKUK asnjëherë , asnjë ditë nuk ka qenë pa kontratë. Shpenzimet e oksigjenit janë rritur në mënyrë enorme gjatë pandemisë dhe jo vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin e më gjerë.

Periskopi:

Sa kompani aktualisht kanë kontratë me Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për furnizim me oksigjen dhe sa është i mjaftueshëm?

Valbon Krasniqi:

SHSKUK ka kontrata valide me dy (2) operatorë ekonomik, të cilët janë duke furnizuar në baza ditore me oksigjen.

Periskopi:

Si po qëndron Kosova rreth numrit të të prekurve me Covid-19, a po shkon numri drejt rënjës a po e kundërta?, si dhe rreth numrit të testimeve?

Valbon Krasniqi:

Edhe në pse javën e fundit ka një trend të lehte të uljes se numrit të të infektuarve, megjithatë ky numër prej rreth 300-500 rasteve në ditë ende është i lartë për vendin tonë. Duket se jemi drejt një ulje të numrit të të infektuarve, megjithatë është e vështirë të parashikohet ecuria e mëtutjeshme epidemiologjike. Kjo varet nga respektimi i masave parandaluese nga të gjithë ne.

Periskopi:

Sipas jush edhe sa pritet të jetë në mesin tonë  Covid-19?

Valbon Krasniqi:

Tani më çdo parashikim rreth kësaj pandemie pothuajse është i paqëndrueshëm. Askush nuk mund të parashikojë edhe sa do te zgjasë pandemia, por zbulimi i vaksinës dhe vaksinimi i popullatës sa më shpejt që është e mundur, mund të ndikojë  në përfundimin e pandemisë. Duhet të shpresojmë në këtë.

Periskopi:

OBSH së fundi ka bërë të ditur për një variant të ri të covid-19, ku  mbi një mijë raste të reja janë paraqitur në Britani, a ekziston mundësia që po i njëjti të vie shumë shpejt edhe në Kosovë?

Valbon Krasniqi:

Çdo virus që transmetohet përmes rrugëve ajrore mund të përhapet në çdo vend, prandaj edhe variantet e reja eventuale (apo mutacionet siç i quajmë në mjekësi),mund të përhapen pothuajse në çdo vend. Kjo edhe u pa gjatë këtij viti me virusin COVID-19.

Periskopi:

Si qëndron puna rreth vaksinës për Covid-19, në çfarë mënyrë do të vie në Kosovë, sa do t’i kushtoj Kosovës kjo vaksinë?

Valbon Krasniqi:

Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje maksimale që të sigurojë sa më shpejtë të jetë e mundur vaksinën dhe pritjet tona janë qe ta kemi në muajt e parë të vitit të ardhshëm.’ Megjithatë për informata me të hollësishme mund t’i drejtoheni MSH dhe IIKSHPK

Periskopi:

Sa përqind të banorëve do të mund të vaksinohen, dhe kush do të ketë përparësi për vaksinim?

Valbon Krasniqi:

Nuk mund të flas për një përqindje të popullatës që do të vaksinohen, pasi kjo varet nga sasia e vakisnës që do të mund të sigurohet. Sigurisht se duhet të ketë prioritet në vaksinimin e popullatës, dhe në radhë të parë duhet vaksinuar personeli shëndetësor, personeli i Policisë së Kosovës, pastaj të moshuarit, të sëmurët me sëmundje kronike e kështu me radhë.

Periskopi:

Cilat janë masat që duhet të ndërmerren për festat e fundvitit?

Valbon Krasniqi:

Duhet të jemi të kujdesshëm lidhur me masat për fundvit, por një gjë është e sigurtë, se duhet të ketë zbatim të rrepte të masave si nga ana e qytetarëve po ashtu edhe monitorim rigoroz nga institucionet përkatëse.

 

 

Shpërndaje në: