INTERVISTË/ Muhamet Hamiti: Albini nga opozitar i poezisë ka zbritur në pushtetar të prozës së dobët

Periskopi.com Lajme

Profesori dhe njohësi i politikës së jashtme, Muhamet Hamiti në një intervistë për Periskopin ka folur rreth darkës së përbashkët Kurti-Vuçiq në Berlin dhe ndërrimit të qëndrimeve të kryeministrit Kurti karshi Serbisë e dialogut.

Hamiti mendon se tash Kurti nga opozitari i poezisë ka zbritur në qeveritarin e prozës së dobët.

Tutje profesor Hamiti ka deklaruar se dialogu nuk po avancon dhe se ai ka marrë krejt drejtim teknik.

Kur jemi tek politika e jashtme, ish-ambasador Hamiti vlerëson se nuk ka asnjë rezultat konkret, përpos skandaleve, ndërkaq Gërvallën e Bislimin i sheh si jo kompetentë për pozitat që ushtrojnë.

 

Intervista e plotë:

Periskopi: Kryeministri Albin Kurti dje zhvilloi një takim me presidentin serb, Aleksadër Vuçiq , madje darkoi me të. Sa ishte në opozitë deklaronte se nuk do i vazhdonte  kurrë negociatat e as nuk do ulej në një tavolinë me liderët serbë, pa kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë. Si e komentoni ju këtë ndryshim qasjeje nga Kryeministri?

Muhamet Hamiti: Ky s’ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me presidentin serb Vuçiq, por vjen mbas një kohe të gjatë, mbas dy takimeve në qershor dhe korrik të vitit të kaluar, pak muaj mbasi kishte marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës. Pa rezultat kanë qenë takimet e para. Të shohim nëse do të ketë farë rezultati nga takimi i djeshëm në Berlin. E vërteta është se në kohën e Qeverisë aktuale dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur dhe ka degraduar në dialog teknik. Në kohën kur LDK-ja e drejtonte Qeverinë dhe dialogun, ky dialog ishte vënë në binarë të dialogut politik për elemente të marrëveshjes për normalizim me njohje reciproke të të dyja vendeve, ndonëse s’është se Serbia ishte fort entuziaste për këtë, sepse parapëlqente status quo-në, që i konvenon asaj por jo Kosovës. (E thanë miqtë tanë amerikanë vetë se status quo-ja i konvenon Kremlinit.)

M’u duk sikur Kurti tashti po thotë se do dialog të kësaj natyre: politik, për normalizim, me qendër njohjen. Iu desh një kohë Kurtit qeveritar të zbriste prej retorikës së naltë të Kurtit dhe VV-së opozitare, me të cilën morën votat. Prej poezie në opozitë ka(në) kaluar në prozë në pushtet; në prozë të dobët në këto fillime.

Periskopi: Si i vlerësoni raportet Kosovë-Amerikë në këtë fazë?

Muhamet Hamiti: Amerikanët kanë dëshmuar përkushtimin e palëkundur për Republikën e Kosovës. Kosova nuk ka pasur dhe nuk ka aleat më të fortë, falë kauzës sonë të drejtë për liri, pavarësi e demokraci dhe politikës së mençur që kanë udhëhequr prijësit tanë, duke nisur nga Presidenti Ibrahim Rugova para tridhjetë e sa vitesh dhe përgjatë gjithë jetës së tij politike, por edhe të tjerëve që kanë ndjekur këtë linjë miqësie e bashkëpunimi të ngushtë me SHBA-të. Për raportet e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga kryeministri Kurti me Administratën amerikane mund të flasim mbasi të shohim rezultate të politikave të kësaj qeverisjeje te ne, ose, më keq, mungesë të tyre, siç po shohim tash.

Periskopi: Pse sipas jush, kryeministri Albin Kurti nuk ka arritur ende të ketë një vizitë zyrtare në SHBA?

Muhamet Hamiti: Pse nuk ka arritur ende të ketë kryeministri Kurti vizitë zyrtare në SHBA mund ta thonë zyrtarët e të dyja qeverive. Vizitë sa për vizitë nuk bëhet në SHBA. Duhet të ketë substancë, agjendë për këtë vizitë zyrtare të nivelit të lartë, të përgatitur dhe të akorduar në mes të palëve, me synimin që të japë rezultate.

Periskopi: Po, paraqitjet prej ceremonisë së varrimit të ish-sekretares së Shtetit, Albright. Kurti e Osmani nga atje sikur i shisnin si takime ato me ish-politikanë të Amerikës…

Muhamet Hamiti: Ato kanë qenë takime rasti, duarshtrëngime me ndërrim fjalësh mirësjelljeje, që janë të natyrshme në aktivitete të tilla ceremoniale. Po s’janë takime në kuptimin e vërtetë të fjalës.

Periskopi: Si e komentoni dyshimin se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është i përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni. A do të duhej të shkarkohej?

Muhamet Hamiti: Ambasadori i Kosovës nuk mund të shërbejë funksionalisht në Kroaci për aq kohë sa mbi të rëndojnë pandehma për përfshirje në skandalin financiar të përfolur Ai duhej të jepte dorëheqje. Nëse jo, të shkarkohej.

Periskopi: Ku qëndron Kosova me politikë të jashtme. Çka po bën Qeveria Kurti për viza, njohje të reja etj? Si e shihni veçanërisht performancën e ministres Donika Gërvalla?

Muhamet Hamiti: Thënë shkurt, ka performancë të dobët në politikën e jashtme kjo Qeveri e drejtuar nga Kurti. Rezultate nuk ka në asnjë fushë. Skandale po, të cilat, për fat të keq, përpiqen t’i minimizojnë, duke thënë thjesht ‘s’janë gjë’, që lë mundësinë që ato të vazhdojnë pa u gjykuar apo sanksionuar prej kujt. Ministresha e jashtme Gërvalla- Schëarz dhe zv.kryeministi Bislimi, që drejton dialogun, nuk kanë dëshmuar kompetencë në punën e vet.

Intervistoi: Kaltërina Misini