Ish-komandanti i FSK’së intervistë n’Periskop: Ushtarët po e braktisin uniformën për ndonjë vizë apo pagë më të mirë

Ish-komandanti i FSK’së intervistë n’Periskop: Ushtarët po e braktisin uniformën për ndonjë vizë apo pagë më të mirë

Ish-komandanti i FSK’së, Kadri Kastrati në një intervistë për Periskopin ka treguar arsyet pse kohëve të fundit po braktiset uniforma e ushtrisë së vendit nga pjesëtarët e vet, duke qenë se vetëm vitin e fundit, ishin 70 ushtarë që u dorëhoqën nga misioni.

Sipas Kastratit, paga e kushtet jo të mira të punës, janë shkak që pjesëtarët e UÇK’së të zgjedhin një vizë pune jashtë shtetit apo edhe një punë tjetër më profitabile.

Kastrati tutje është pyetur edhe për skandalin e prezencën e gardës së FSK’së pranë përmendores së ushtarëve serbë të vrarë në vitet 1912-18.

E ish-komandanti na tregoi edhe për kapacitetet e FSK’së dhe gatishmërinë për të mbrojtur sovranitetin e integritetin territorial.

Intervista e plotë:

Periskopi: Po shohim dorëheqje nga FSK. Vetëm sot ishin dy pjesëtarë që braktisën uniformat e tyre. Pse po ndodh?

Kadri Kastrati: Arsyeja numër një pse pjesëtarët e FSK’së largohen nga FSK’ja është sepse kushtet nuk i kanë të mira, pagat i kanë shumë të ulëta dhe kushtet duhet të përmirësohen në FSK, por unë kam thënë edhe më herët se urgjentisht duhet të ulet Qeveria dhe të analizojë të studiojë këtë fenomen pse po ndodh, dhe të rritë pagat  e pjesëtarëve të FSK’së. Sepse me 400 euro inflacioni është shumë i madh, ata nuk mund ta mbajnë familjen e vet e as veten. Normal që kërkojnë kushte më të mira dhe punë më të mirë, dhe prap unë mendoj që nuk ka arsye tjetër sepse shqiptarët e duan uniformën dhe dëshirojnë t’i shërbejnë atdheut, por kryesorja duhet plotësuar kushtet minimale që ata të jenë në institucionin më të besueshëm në Kosovë dhe merret me çështjen e mbrojtjes së shtetit të Kosovës.

Periskopi: Krahas pagës së ulët, a mund të jetë arsye presioni i punës dhe angazhimi intensiv dhe me shumë rregulla, siç është të qenurit ushtar apo pjesëtar i ushtrisë?

Kadri Kastrati: Jo, unë nuk besoj që është presioni, sepse ata presionin  e kanë gjatë nëntë javëve sa e kanë trajnimin bazik dhe aty e kanë përballuar, kryesorja është që ata e gjejnë një mundësi me marr një vizë jashtë ose një punë tjetër që paguhet më shumë dhe kjo është ajo arsyeja kryesore që ata e braktisin uniformën.

Periskopi: Para disa ditëve, garda e FSK’së u gjend pranë një përmendoreje të ushtarëve të vrarë serbë në vitet 1912-18 në Dragodan. U konsiderua skandaloze. Cili është komenti juaj?

Kadri Kastrati: Aty duhet të përgjigjet komandanti dhe ministri i Mbrojtjes. Forca e Sigurisë së Mbrojtjes dhe pjesëtarët e saj janë obligativ  që të kryejnë çdo urdhër dhe vendim të Qeverisë nëse nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin. Nuk është në kundërshtim me Ligjin dhe Kushtetutën, pyetni ata pse e kanë bërë atë punë. Unë nuk duhet të merrem me të.

Periskopi: Ju më herët keni udhëhequr FSK’në. Cili është kapaciteti i ushtrisë së Kosovës për të siguruar paqen dhe sigurinë në vend?

Kadri Kastrati: Nuk e di armatimin, se nuk jam komandant e as në forcë. Sipas misionit që Forca e Sigurisë e ka, është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial. Unë mendoj se i duhet edhe një kohë FSK’së të ngritë kapacitetet e veta edhe njerëzore, edhe pajisjeve për të qenë e gatshme dhe e aftë për të sjellë gjitha këto detyrime që dalin nga  misioni.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

Shpërndaje në: